E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Gërdeci, hetim deri në qelizë

Qeveria i kërkon Prokurorisë zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike të Gërdecit. 

Kryeministri Berisha, pikërisht nga Vora, aty ku 22 javë më parë ndodhi shpërthimi tragjik i Gërdecit, i bëri thirrje prokurores së Përgjithshme të hetojë në çdo qelizë tragjedinë. "Ne patëm një tragjedi të tmerrshme më 15 mars. Një tragjedi, e cila duhet të hetohet në çdo qelizë të saj dhe unë kam besim të plotë se kjo do të ndodhë, se hetimi është një detyrim madhor moral ndaj shpirtrave të atyre që nuk janë më, familjarëve të tyre dhe të gjithë komunitetit", deklaroi Berisha. Kryeministri ndodhej në Vorë për të marrë pjesë në inaugurimin e një shkollë 9-vjeçare. Nga ana tjetër, Berisha ka shtuar se, "unë dhe qeveria kemi bërë të gjitha përpjekjet për t'i dhënë përgjigjen më energjike pasojave të kësaj tragjedie të tmerrshme, rikuperimit sa më shpejt dhe zvogëlimit sa më të madh të tyre. Sot, zona po rindërtohet dhe ne nuk do të ndërpresim mbështetjen e fuqishme, derisa të vendoset dhe tulla e fundit, derisa të rindërtohet rruga dhe rrugica e fundit në këtë zonë". Duke iu drejtuar banorëve të pranishëm, ai u shpreh se, "ne qëndrojmë fuqishëm prapa jush". "Në tërësi është bërë zgjidhja kompensimi më i gjerë i mundshëm, por duke thënë këtë, jam i bindur se ka edhe zemërthyer nga gabimet që mund të jenë bërë", u shpreh kryeministri. Ai siguroi qytetarët e Vorës dhe të Marqinetit se, qeveria do të vazhdojë përkujdesjen e saj, do të vazhdojë financimet, projektet, të cilat do ta bëjnë këtë zonë dhe fshatrat e saj shumë më të urbanizuara, më të sistemuara dhe më të bukura nga pikëpamja e ndërtimeve, se asnjëherë më parë. Qeveria do të finalizojë të gjithë projektin e rehabilitimit dhe rindërtimit të plotë të kësaj zone dhe më pas të inkurajimit të madh të biznesit në të. "Ju jeni dëshmitarë të veprimit më energjik të parë ndonjëherë në Shqipëri, në radhë të parë nga autoritetet vendore, së pari nga kryetari i bashkisë, i cili e përballoi me ndershmëri, dashuri, dhembshuri dhe fuqi menaxhuese të admirueshme dhe u shndërrua këtu në një shtyllë kryesore tuajën dhe të qeverisë në zgjidhjen e problemeve", vijoi Berisha. Gjatë vizitës në Vorë, kryeministri Berisha përuroi përfundimin e rrugës hyrëse, që lidh autostradën me këtë qytet, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 37 milionë lekë. Disa ditë më parë zonën e Gërdecit, e vizitoi edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers. Ai së bashku me ministrin e Mbrojtjes ndoqën nga afër procesin e pastrimit të zonës ku ndodhi shpërthimi. Ambasadori Uidhers në takimet me banorët e zonës u shpreh se, zona nuk është ende e sigurt për të nisur jetesën nga e para, siç ishte përpara ngjarjes tragjike. Vetëm pas këtij takimi ushtria shqiptare bëri evakuimin e 6 mijë predha të mbledhura në panele të ndryshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›