E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitësit në qeli, mungojnë lekët

Autorët e grabitjes së filialit të një banke në auto-stradën Tiranë-Durrës, kanë arritur brenda tri ditëve të humbin gjurmët e 1 milion lekëve të reja që kanë vje-dhur me armë. 

Trazhgim Sokolaj

Asnjë qindarkë nga paratë që janë marrë nën kërcënimin e armëve nga personat e maskuar, nuk është gjetur nga policia gjatë arrestimit të tre personave të dyshuar për autorësinë e krimit. Lajmi konfirmohet nga burime të Prokurorisë, të cilat pohuan dje se edhe pas arrestimit të tre të dyshuarve për grabitjen e bankës, Fatjon Karanxha, Luan Kuçi dhe Edmir Shehi, policia nuk ka mundur të zbulojë paratë e vjedhura, madje as njërën prej makinave me të cilat kanë lëvizur grabitësit ditën kur ndodhi krimi. Në hyrje të rrugës dytësore për në Vorë, ata kanë braktisur makinën pa targa me të cilën kishin vepruar tek filiali i bankës dhe duke përdorur një automjet tjetër, tre grabitësit arritën të largohen nga vendi i krimit, ditën kur ndodhi ngjarja. Agjentët e policisë kanë rënë në gjurmët e makinës së braktisur, por makinën tjetër nuk kanë arritur ta gjejnë. Gjatë ditës së djeshme, tre të arrestuarit Fatjon Karanxha, 22 vjeç; Luan Kuçi, 22 vjeç, të dy nga Domja dhe Edmir Shehi, 18 vjeç nga Dibra, janë marrë në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Atyre u janë kërkuar sqarime për vendndodhjen e parave, pasi besohet se nuk i kanë harxhuar ato vetëm për tri ditë që qëndruan në liri pas grabitjes. Pas një seance të zgjatur pyetjesh dhe veprimesh hetimore, fillimisht ka qenë vetëm njëri nga të arrestuarit që ka pranuar autorësinë e krimit dhe pas disa orëve vonesë, të njëjtën gjë kanë bërë edhe dy të arrestuarit e tjerë.
Përgjimi zbuloi autorët
Të premten e javës së kaluar, më 1 gusht 2008, tre persona të armatosur dhe me maska hynë në filialin e bankës në autostradë. Duke penguar edhe një punonjëse që tentoi të shtypë butonin e alarmit, nën kërcënimin e armëve ata morën 1 milion lekë të reja dhe u larguan me një makinë pa targa deri në rrugën dytësore në drejtim të Vorës. Më pas grabitësit përdorën një makinë të dytë për t'u larguar akoma më shumë dhe për të humbur gjurmët. Ndërkaq grupi hetimor i policisë hartoi një listë me personat e dyshuar për krimin. Sipas burimeve zyrtare nga hetimi, mësohet se i pari në këtë listë të dyshuarish ka qenë Fatjon Karanxha, banues në Domje, person i skeduar nga policia dhe që mbahej në vëzhgim. Sipas burimeve të konfirmuara hetimore, e gjithë autorësia e grabitjes u zbulua nga përgjimi i telefonatave të këtij personi, i konsideruar edhe si "ndërmjetës" për këdo që kishte probleme me targat e makinës. Në aktivitetin e përditshëm të tij, ai mësohet se vazhdimisht arrinte të mbaronte punë në një kohë të shkurtër për drejtuesit e mjeteve që duhej të rinovonin targat e makinave, apo kishin nevojë të kryenin veprime lidhur me dokumentacionin e tyre. Gjatë përgjimit të telefonatave të Fajton Karanxhës, është arritur të lokalizohet vendqëndrimi i tij dhe më pas të zbulohen edhe numrat e dy personave të tjerë të dyshuar, të cilët kanë komunikuar me bashkëpunëtorin e tyre. Në këto biseda mësohet se është folur për grabitjen e bankës, madje edhe për rrezikun e arrestimit nga policia. Menjëherë pas dokumentimit të këtyre komunikimeve, Prokuroria nxori urdhër-ndalimet dhe policia bëri kapjen e tre të dyshuarve, dy prej tyre të strehuar në periferi të Tiranës, ndërsa i treti në Dibër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›