E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Rama e Berisha,ortakë në kapjen e shtetit

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, në një intervistë për TVSH-në shprehet se, Edi Rama dhe PS-ja të kthehet në aleatët natyralë të saj para se të bashkëpunojë me Berishën. 

Sipas tij, ky bashkëpunim ka sjellë vetëm antireforma, që kulmuan me ndryshimet kushtetuese të 21 prillit dhe po vazhdojnë me afera të dyshimta me interesa financiare të njerëzve pranë Ramës dhe Berishës, duke zhdukur sipërfaqe të gjelbërta dhe ambiente sportive për të ndërtuar kulla shumëkatëshe.
Z. Meta si e shikoni mundësinë e bashkëpunimit me Partinë Socialiste tashmë edhe me kushtet që ju i keni paraqitur?
Ne besojmë se bashkëpunimi brenda opozitës është jo vetëm i nevojshëm, por edhe i domosdoshëm për të garantuar në radhë të parë bllokimin e revanshit uzurpator të Kryeministrit Berisha ndaj gjithë institucioneve, e në veçanti një sukses në luftën e opozitës kundër këtij korrupsioni të jashtëzakonshëm që përfaqëson qeverisja aktuale. Njëkohësisht, edhe përsa i takon fitores në zgjedhjet e ardhshme në vitin 2009. Por, sikurse dihet ka qenë lidershipi i PS-së që në mënyrë të njëanshme, jo vetëm ka shkelur marrëveshjen e pesë partive opozitare, por njëkohësisht ka hyrë në marrëdhënie flagrante do të thosha, të cilat cenojnë jo vetëm funksionimin e institucioneve demokratike në vend, të cilat cenuan rëndë Kushtetutën e vendit dhe gjithë thelbin demokratik të saj, që bazohej në ndarjen dhe balancat midis pushteteve, por njëkohësisht edhe përsa i takon deformimit të procesit të ardhshëm zgjedhor në vend. Në këto kushte kuptohet  kur PS-ja bashkëpunimin brenda opozitës e ka zëvendësuar me një bashkëpunim krerësh me Partinë Demokratike, në funksion jo të fuqizimit të opozitës por të dobësimit të saj, dhe padyshim mendoj se të gjitha premisat për një bashkëpunim varen kryekëput nga distancimi i këtyre lidhje aspak transparente dhe principiale midis Ramës dhe Berishës, dhe rikthimin e PS-së në pozicionin e një opozite parimore, e cila është e ndërgjegjshme që vetëm duke bashkëpunuar me forcat e opozitës mund të imponojë një bashkëpunim të dobishëm edhe me maxhorancën përsa i takon garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në 2009.
Z. Meta një nga reformat më të rëndësishme për arritjen e disa standardeve të kërkuara është ai i reformës zgjedhore. Sikurse dihet tashmë, kjo reformë është shtyrë për disa herë radhazi, dhe nëse nuk arrihet kalimi i këtij kodi të ri në sesioni parlamentar të ardhshëm, a do të jetë LSI-ja pjesë e reformave të tjera?
Deri tani nuk shikoj ndonjë reformë që është realizuar në vend. Përkundrazi, kemi pseudoreforma apo antireforma. Antireforma më e madhe është dhunimi i Kushtetutës më 21 prill, dhe pasojë e kësaj antireforme janë ato ndodhira të papëlqyera në Parlament, ku maxhoranca për fat të keq edhe me bashkëpunimin e një pjesë e opozitës është përpjekur të kufizojë kompetencat kushtetuese të Presidentit përmes ndryshimeve të Rregullores së Parlamentit. Njëkohësisht, kemi shumë produkte apo nënprodukte të tjera, të cilat jo vetëm që nuk sjellin progres apo përparime në fusha të caktuara, por përkundrazi kthehen edhe në një rrezik për të mirë publike. Këtu kam parasysh bashkëpunimin PS-PD në ndryshimin e ligjit "Për sportin", ku qëllimi kryesor ishte për të legalizuar ato veprime të paligjshme të ndërmarra më parë, dhe që synohet të bëhen në të ardhmen. Ku duken qartë interesat e biznesit të ndërtimit që qëndron pas krerëve të PD-së dhe PS-së në dëm të interesit publik, duke sjellë zëvendësimin e komplekseve shumë të mëdha dhe të njohura sportive me ndërtime dhe beton, apo me kulla deri në 22 apo 33 kate në parkun e Liqenit Artificial të Tiranës. Gjë që tregon që nuk ka pasur asnjë vullnet për t'u zhvilluar reforma në interes të integrimit evropian të vendit apo në NATO, por thjesht në një ortakëri në kapjen e shtetit, të institucioneve dhe realizimin e interesave të dyshimta ekonomike që dëmtojnë interesat publike. Mendoj se gjithçka po qartësohet, dhe gjithnjë edhe më shumë nga kjo marrëveshje Rama-Berisha paraqitur si një interativë për momentin, që kalonte vendi ka të bëjë me një aferë të madhe që nga mbyllja e çështjes së tragjedisë së Gërdecit, edhe deri tek kthimi i një Gërdeci urbanistik edhe të këtyre terreneve sportive apo sipërfaqeve të gjelbra, që kanë mbetur në kryeqytet apo në zonat e tjera të vendit.
Zoti Meta nëse nuk ka një afrim të LSI-së me PS-në, pra nëse nuk mund të arrihet në një marrëveshje mes partive të majta, kjo do të thotë që LSI-ja do të dalë e vetme në zgjedhjet e ardhshme?  
LSI-ja e ka bërë të qartë se ajo ka nisur përgatitjet e saj për zgjedhjet e ardhshme, ku do të bashkëpunojë me të gjitha forcat dhe faktorët politikë apo socialë dhe grupet e shoqërisë civile, që e ndiejnë si të domosdoshme dhe si një detyrë qytetare që kanë të bëjnë me frenimin e uzurpimit të gjithë jetës politike, institucionale dhe ekonomike nga një kastë dypartiake, e cila fillon që nga përjashtimi i vendimmarrjes së shumicës së shqiptarëve për të drejtat e tyre më themelore. Në këtë drejtim ky koalicion i ri që ne do ta afirmojmë së afërmi, padyshim do të synojë për të qenë koalicioni fitues i zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme në vend, dhe kjo është e vetmja rrugë dhe e vetmja mënyrë për të shpëtuar vendin vërtet nga një kastë, e cila nuk ka asnjë ndjenjë, jo përgjegjësi, por as keqardhje për këtë gjendje dramatike ku është zhytur shumica e popullsisë.
Këtu nuk përjashtohet as Partia Socialiste?
Nuk e kemi përjashtuar asnjëherë reflektimin e PS-së dhe bashkimin e saj me këtë koalicion. Pasi duket qartë se PS-ja humbi mundësinë për të pasur lidershipin e një koalicioni të gjerë opozitar, sepse e kishte këtë mundësi dhe jo vetëm që braktisi dhe e shkeli marrëveshjen e koalicionit, por praktikisht shërbeu si nënkontraktor i Sali Berishës në disa nga operacionet më antidemokratike që ndodhën në vend, ku kulmi ka qenë ndryshimi i dhunshëm i Kushtetutës më 21 prill. 
Marrë nga TVSH

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›