E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, kapet i kërkuari, trafikoi 11 kile marijuanë drejt Gjermanisë

TIRANE - Kërkohej në Gjermani për trafik droge, arrestohet në Tiranë "trafikanti" i dytë, i kërkuar për ngarkesën me 11 kile drogë. 

Gazmend Hasaj, 33 vjeç nga Shkodra, është prangosur mbrëmjen e të martës në kryeqytet, pasi ndaj tij Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte nxjerrë dy ditë më parë një urdhër-arresti për trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim me një person tjetër. Urdhri i arrestit është nxjerrë për shkak se tri ditë më parë, nga autoritetet gjyqësore dhe nga policia gjermane është arrestuar Edis Muja, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge. Sipas burimeve të policisë, homologët gjermanë i kanë gjetur dhe bllokuar Mujës një sasi prej rreth 11 kile drogë e llojit marijuanë, e cila ishte transportuar nga ai në drejtim të Gjermanisë. Burimet thanë se si bashkëpunëtor në këtë rast trafiku është identifikuar nga policia gjermane edhe Gazmend Hasaj, i cili aktualisht ndodhej në Shqipëri. Dyshimet e policisë janë se lënda narkotike është trafikuar nëpërmjet kufirit tokësor detar dhe më pas tokësor nga Shqipëria në drejtim të Italisë e më pas në Gjermani. Fillimisht autoritetet policore gjermane kanë ndaluar Edis Mujën dhe gjatë kontrollit i kanë zbuluar ngarkesën me 11 kile drogë. Menjëherë atij i janë vënë prangat nga policia gjermane, duke ngritur ndaj tij akuzën për trafik. Pas hetimeve të para, është mësuar se i përfshirë në këtë linjë të trafikimit dhe të tregtimit të marijuanës ka qenë edhe Gazmend Hasaj. Në pak kohë, një urdhër-arresti ka mbërritur ndaj tij nga autoritetet policore gjermane në drejtim të Policisë dhe Prokurorisë shqiptare. Menjëherë pas mbërritjes së tij, policia ka identifikuar vendndodhjen e të kërkuarit dhe më pas ai është arrestuar me të njëjtën akuzë si ajo e Edis Mujës, të arrestuar në Gjermani. Hasajt i është komunikuar nga hetuesit e Krimeve të Rënda akuza e trafikimit të lëndëve narkotike. Ai është izoluar në një nga qelitë e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ndërsa hetuesit pritet të zbardhin veprimtarinë e trafikut të drogës në drejtim të Gjermanisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›