E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Konkurset e Ramës janë të paligjshme

 

"Konkurset e organizuara nga Rama janë plotësisht të paligjshme me juri të paligjshme dhe janë pjesë e aferës së Ramës me investitorët pranë tij". Kështu u shpreh dje sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, i cili ka vazhduar denoncimin e betonizimit të hapësirave pranë Liqenit Artificial. Vasili përgënjeshtroi njoftimin e bashkisë se hapësirat e Kopshtit Botanik dhe klubit sportiv "Dinamo" nuk janë pjesë e projektit holandez për këtë zonë. "Nëse këto 16 kulla gjigande të projektit holandez, në ajër do të rrinë apo do të mbështeten në tokë? Nuk është faji ynë që Edi Rama ka lindur gënjeshtar, por është detyra jonë të mbrojmë Tiranën nga babëzia konsensuale Rama-Berisha, që synon betonizimin përfundimtar të qytetit për hir të fitimeve marramendëse", tha Vasili. Sipas tij, LSI do të vazhdojë të denoncojë dy standardet e sjelljes së kryetarit të Bashkisë së Tiranës me pronarët e ligjshëm të trojeve në kryeqytet. "LSI-ja është e papajtueshme dhe do të denoncojë vazhdimisht në të gjitha nivelet e shtetit dhe shoqërisë shqiptare dy standardet e Ramës, i cili qindra e qindra pronarëve e ish-pronarëve në Tiranë, ju dhunon pronat dhe i nxjerr në rrugë të madhe, pavarësisht nga tapitë që të kohës së Mbretërisë së Mbretit Zog, që ata disponojnë dhe në anën tjetër, disa prona të tjera vihen për shfrytëzim në shkelje flagrante të ligjeve në fuqi", u shpreh Vasili. Përfaqësuesi i lartë i LSI-së u shpreh dje se, kjo praktikë e kryetarit të bashkisë vjen nga mentaliteti komunist dhe arbitrar për të përvetësuar pronat. "Ky mentalitet komunist dhe arbitrar i përvetësimit, shpronësimit dhe përbuzjes së të pambrojturve dhe të njerëzve pa përkrahje, bën që në shkelje të plotë me ligjet, në vijim të pazarit me Berishën, leja për ndërtim i jepet dhëndrit të Berishës, duke asgjësuar mjedise publike të mbrojtura me ligj dhe në anën tjetër qindra e qindra pronarë që në mënyrë të ligjshme, duan të zhvillojnë pronat e tyre, Rama nuk ua jep dhe ua mohon një të drejtë të tillë.
Pronarët dhe qytetarët e Tiranës nuk mund të hapin një dritare pa dhënë para në bashki, ndërkohë që qindra mijë metra katrorë jepen në një minutë me një copë letër", shtoi Vasili. Por sekretari i Përgjithshëm i LSI-së akuzoi Ramën se në mënyrë të organizuar me këshilltarët socialistë të Këshillit Bashkiak injorojnë vendimet gjyqësore për pronat. "Me urdhër të Ramës, këshilltarët e tij braktisin dhe pengojnë funksionimin e Këshillit Bashkiak, duke bllokuar në mënyrë antikushtetuese dhe antiligjore zbatimin e vendimeve të gjykatave, që ju hapin rrugë pronarëve që të zotërojnë ligjërisht pronat e tyre si sipërfaqe qesharake nga 50 deri në 100 m2 në një kohë, që Rama dhe Berisha duke shkelur ligjin, japin qindra, mijëra metra katrorë ambiente publike të mbrojtura me ligj. Qytetarët e Tiranës dhe LSI-ja nuk mund të lejojnë zhvillimin e modeleve të tipit siçilian të viteve '60-'70, kur ligjin e bënte mafia dhe kur qindra, mijëra qytetarë vuanin pasojat", tha Vasili. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së i bëri thirrje kryetarit të Bashkisë së Tiranës të tërhiqet nga planet e tij me kryeministrin Berisha dhe premtoi se në ditët në vazhdim të tjera fakte do të dalin në dritë në lidhje me bashkëpunimin mes Ramës dhe Berishës. "Sot qytetarët e Tiranës janë më të qartë se kurrë më parë se pazari me Berishën, shitja e interesave të socialistëve dhe betonizimi vrasës i shëndetit të tyre janë dimensionet e patjetërsueshme të modelit mesjetar të errët të politikës së re. Demagogjia e kryetarit të bashkisë ka marrë fund. Rama të tërhiqet menjëherë nga planet e tij shkatërrimtare dhe i bëjmë thirrje të merret me zgjidhjen e ujit të pijshëm, me trafikun dhe të pastrojë qytetin nga pisllëku dhe kutërbimi që e ka pushtuar atë", vijoi Vasili. Ai i bëri apel Ramës të heqë dorë nga shantazhet ndaj LSI-së dhe "të reflektojë në kohë lidhur me detyrimet, që ai i ka pjesëtarëve të tjerë të aferës dhe t'i kthejë ato sa është ende në kohë".                    a.l

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›