E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Gjatë mandati të dytë, 160 mijë vende të reja pune

Kryeministri Sali Berisha ka vijuar takimet e tij elektorale me banorët e Laprakës, ku ju garantoi 450 familjeve të pastreha të kësaj zone se do ju siguronte strehimin gjatë mandatit të dytë të qeverisë së tij. Berisha tha se qeveria e tij e ka gati projektin për strehimin e 450 familjeve të kësaj zone, dhe përmes financimit të qeverisë së tij gjatë katër viteve të ardhshme do ju sigurojë banorëve të Laprakës 24 orë në ditë ujë të pijëshëm. Qeveria e Partisë Demokratike ka gati projektin e strehimit të 450 familjeve përmes ndërtimit të banesave sociale si dhe financimet për të sjellë ujin e pijshëm në çdo familje shqiptare. Këto janë premtimet që unë ju bëj për katër vitet e ardhshme, u shpreh Berisha. Ai u bëri të ditur banorëve të këtyre zonave se kjo është fushata e bashkimit të të gjithë shqiptarëve, dhe ftoi socialistët e Laprakës që ti bashkohen Partisë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit, sepse sipas tij vetëm projekti i qeverisë së tij dhe PD për Shqipërinë Evropiane është ai që do ju japë mundësinë e artë shqiptarëve që të lëvizin të lirë në Evropë. Ndaj në këtë betejë elektorale, le të jetë kjo fushata e bashkimit të të gjithë shqiptarëve rreth këtij projekti. Socialistëve të Tiranës u takon detyra historike të nxjerrin nga skena politike kryetarin e tyre burracak, deklaroi Berisha. Ai akuzoi kryetarin e PS Edi Ramën i cili është njëkohësisht dhe kreu i bashkisë së Tiranës, për mbajtjen peng të planit rregullues të Tiranës, gjë të cilës nuk do tia falin kryeqytetasit në 28 qershor. Rama nuk ia mbajti që të kandidonte për deputetë. Nuk ia mbajti, se e di mirë që Tirana nuk ia fal atij kurrë mbajtjen peng të planit të përgjithshëm rregullues të qytetit. Tirana nuk ia fal kurrë atij që 70 për qind të lejeve të ndërtimit i marrin vetëm dy kompani, e Eftimit dhe e Shkrelit të tij, më të cilët ndan dhe gjobit ndërtuesit shqiptar, theksoi Berisha. Ndër të tjera ai u ndal edhe tek programi elektoral i partisë që ai drejton për katër vitet e ardhshme. Berisha deklaroi se gjatë katër viteve të ardhshme PD, dhe qeveria e tij do të ketë prioritet kryesor uljen e papunësisë në vend, ai tha se gjatë mandatit të dytë të qeverisë së tij do të krijo 160 mijë vende të reja pune. Projekti i Shqipërisë Evropiane do të bëjë të mundur të rrisim rrogat dhe pensionet tona më shumë se qytetarët e gjashtë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian; projekt i cili do të na bëjë të mundur që pasuritë përrallore që Zoti i dha këtij vendi dhe kësaj toke, ti shndërrojmë në vlera për veten tonë, për fëmijët tanë, për kombin tonë; projekt i cili do të na bëjë të mundur që ta bëjmë Shqipërinë zonjë të vërtetë, ashtu siç shqiptarët kanë ëndërruar që nga lindja deri më sot, përfundoi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›