E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Gjermania e sotme konfirmon mrekullinë e lirisë që erdhi nga rrëzimi i Murit

Kryeministri Sali Berisha ka uruar dje Kancelaren Merkel në 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, duke e cilësuar bashkimin e Gjermanisë si dhe mandatin e dytë të kancelares, e cila vjen nga ish-lindja komuniste, si mrekullinë e lirisë, që është bërë e mundur nga rrëzimi i Murit të Berlinit dhe triumfin e demokracisë edhe në gjysmën lindore të Evropës



Kryeministri Berisha i ka dërguar një mesazh urimi Kancelares gjermane Angela Merkel me rastin e 9 nëntorit, ditës përkujtimore të rënies së Murit të Berlinit.


“E dashur Znj. Kancelare, Angela Merkel!, fillon mesazhi i shefit të ekzekutivit. Sot kombi i madh dhe mik gjerman, së bashku me qytetarët e lirë në mbarë botën, festojnë 20-vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, ngjarjen më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore për kombin Tuaj, por edhe për lirinë e njerëzimit.


Sot është një ditë e madhe, në të cilën gjermanët dhe qytetarët e lirë në mbarë botën nderojnë së bashku burrërinë, trimërinë dhe guximin e jashtëzakonshëm të mijëra e mijëra djemve e vajzave, burrave e grave të Gjermanisë Lindore, që, më 9 nëntor të vitit 1989, me zjarrin e lirisë në shpirt dhe zemër u vërsulën si luanë mbi Murin e Berlinit, e shembën atë duke hapur jo vetëm dyert e bashkimit të kombit Tuaj, por edhe dyert e lirisë për qindra milionë qytetarë të Evropës, të cilët vuanin nën tiranitë komuniste.


Shembja e Murit të Berlinit i dha zgjidhje përfundimtare çështjes gjermane, e cila, siç do të theksonte Presidenti amerikan Ronald Regan ishte njëkohësisht çështje e lirisë së njerëzimit. 9 nëntori i vitit 1989 bëri të mundur që kombet evropiane, ndër të cilat dhe kombi shqiptar, të shtypura nga diktaturat komuniste, të ngrihen njëri pas tjetrit dhe të shembin regjimet e egra totalitare në vendet e tyre, duke realizuar kështu përmbysjen me shpejtësi, në mbarë Evropën, të sistemit socialist, eksperimentit më tragjik, që njerëzimi ka njohur në tërë historinë e vet.


Sot një nderim i veçantë dhe mirënjohje e thellë u takon personaliteteve botërore, Ronald Reganit, Helmut Kohlit, Xhorxh Bushit, Mikail Gorbacovit, Papa Gjon Palit të Dytë, të cilët, me vizionin e tyre, u dëshmuan misionarë, promotorë dhe arkitektë të shembjes së perdes së hekurt dhe të bashkimit të Gjermanisë.


Këto 20 vite Gjermania e bashkuar në liri u shndërrua në promotorin kryesor të zhvillimit dhe integrimit evropian. Shqiptarët kanë pasur dhe kanë privilegjin e madh të jenë në krye të listës së ndihmës dhe të solidaritetit të vendit tuaj, mik e bujar. Unë Ju garantoj se do t’Ju jemi gjithmonë mirënjohës.


Znj. Kancelare, kombi gjerman feston 20-vjetorin e rënies së murit të Berlinit si njërën nga ngjarjet më të mëdha të historisë së tij, nën udhëheqjen Tuaj, që sapo merituat mandatin e dytë, e që 20 vjet më parë ishit një studiuese, në anën e errët të Murit të Berlinit. Ky është dhe simboli më i ndritshëm i mrekullisë së lirisë”, përfundon edhe mesazhi i kryeministrit Sali Berisha

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›