E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha takohet me funksionarët e KE-së

“Progresi i Shqipërisë, reflektim në Bruksel për heqjen e vizave, kriteret kryesore të udhërrëfyesit janë përmbushur plotësisht”


Ministri i Brendshëm Lulzim Basha informon ekspertët e Komisionit Evropian mbi përmbushjen e kritereve jetike nga qeveria shqiptare, në kuadër të finalizimit me sukses të procesit të liberalizimit të vizave. Përmes një takimi të zhvilluar dje me Drejtorin për Migracionin, Azilin dhe Kufijtë në Komisionin Evropian Jean-Louis De Browuer dhe Shefin e Njësisë për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Zgjerimin Luigi Soreca, paraqiti ecurinë e deritanishme dhe arritjet e qeverisë shqiptare në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave me BE. Ai informoi ata se ka arritur në afro 252 mijë numri i aplikimeve për pasaporta biometrike, nga të cilat rreth 244 mijë janë prodhuar. “Sistemi i aplikimit, prodhimit dhe shpërndarjes së dokumenteve të identitetit është nga më modernët në Evropë, është i shpejtë dhe funksionon me efikasitet të plotë. Duke shtuar më tej Basha i informon se janë trajnuar të gjithë zyrtarët që merren me lëshimin e dokumenteve”, u shpreh ministri i Brendshëm. Për sa i takon një tjetër kriteri të rëndësishëm, të domosdoshëm për garantimin e liberalizimit të vizave, siç është siguria e kufijve, Basha tha se “është përmbyllur instalimi i sistemit TIMS në të 26 pikat e kalimit kufitar, ndërkohë që është mundësuar edhe lidhja me bazën e të dhënave të INTERPOL-it dhe me sistemin e analizës së informacionit kriminal MEMEX. Në vijim do të krijohet një ndërfaqe elektronike për ndërlidhjen e këtyre sistemeve mes tyre dhe me sistemin e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile”, tha Basha. Ai shtoi më tej se po punohet dhe për unifikimin e sistemit të kontrollit në pikat e kalimit kufitar në modelin “one stop shop” që do të përfshijë jo vetëm kontrollin e dokumentacionit, por edhe kontrollin doganor, fitosanitar etj. Ministri i Brendshëm, nënvizoi më tej se punohet në të njëjtën kohë edhe për funksionimin e Qendrës Operacionale Detare për kontrollin e kufirit detar, për vendosjen e lexuesve optikë të pasaportave biometrike në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Duke shtuar se policia e Shtetit po punon për përfundimin e Regjistrit Kombëtar për të Huajt brenda muajit nëntor, Basha tha se është në zbatim plani i veprimit të Strategjisë Ndërsektoriale të Luftës Kundër Krimit të Organizuar, Trafiqeve e Terrorizmit. Nisur nga realizimi i kushteve kryesore të vendosura nga Komisioni Evropian, Basha shprehu se ekspertët e Komisionit Evropian që do të vizitojnë së shpejti Shqipërinë do të konstatojnë këto arritje dhe do të përcjellin një raport pozitiv në Bruksel lidhur me përmbushjen e kritereve nga Shqipëria për liberalizimin e vizave. Nga ana tjetër, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Migracionin, Azilin dhe Kufijtë në Komisionin Evropian Jean-Louis De Brouwer vlerësoi maksimalisht këto arritje duke u shprehur se kriteret kryesore të udhërrëfyesit ose janë përmbushur plotësisht, ose janë pranë konkretizimit. De Brouwer e cilësoi mjaft të rëndësishëm edhe faktin se mekanizmat dhe sistemet e krijuara funksionojnë normalisht, janë efikase dhe janë konkretizim i planeve të veprimit dhe strategjive përkatëse të qeverisë shqiptare. Duke konstatuar vullnetin e qeverisë shqiptare për përmbushjen e të gjithë kritereve të udhërrëfyesit dhe për arritjen e standardeve Schengen, De Brouwer u shpreh optimist se ekspertët e delegacionit të KE që do të vizitojnë Shqipërinë do të përcjellin një raport pozitiv për progresin e arritur. Në takim ishte i pranishëm edhe Shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›