Pas Pezës, Edvini dhe Erjoni premtojnë “bashkëjetesë” me çadra pranë bulevardit

Duke pritur protestën e opozitës më 20 nëntor
Bojkoti i Kuvendit dhe disa protesta të dështuara në rrethe, duket se e kanë bindur dhe vetë Edvinin se nuk ishin të mjaftueshme për të realizuar oponencën ndaj qeverisë aktuale dhe për të mbështetur kërkesën për hapjen e kutive të votimit. Pas këtyre hapave kreu i PS-së Edi Rama dhe kolegët e tij të partive aleate kanë menduar mjete radikale, ngujim para kryeministrisë me çadra. Mësohet se Edi Rama dhe Erjon Veliaj, nisur nga eksperienca e këtij të fundit te Mjaft!-i, do të jenë të parët që do të kurorëzojnë “bashkëjetesën” poshtë çadrave. Për këdo që e mëson për herë të parë këtë ngjarje të pritshme, nuk është aspak një imagjinatë apo një spektakël, por një projekt real që PS po përgatit kryesisht në bashkëpunim me G 99. Në këtë mënyrë, Rama, i lodhur së tepërmi, do tu japë fund protestave të nisura në rrethe, të cilat në fakt i rezultuan aspak entuziaste dhe si rezultat iu përcoll thjesht shpërfillja e qytetarëve. Burime nga PS konfirmojnë për gazetën “55” se një grup të rinjsh kryesisht nga PS dhe G99, me kryesues, Edi Ramën dhe Erjon Veliaj, do të ngrenë disa çadra para dhe pas kryeministrisë për të qëndruar aty për një afat të pacaktuar. Ky ngujim në çadra nuk do të quhet as grevë urie dhe as turizëm dimëror, por një protestë politike, e para e këtij lloji të paktën në vendin tonë. Në të vërtetë kjo do të mundësonte copëtimin e protestës së nisur nga Rama vetëm para një muaji në një tubim jo aq shpresëdhënës në Tiranë dhe që do të përmbyllet po në Tiranë më 20 nëntor. Nga PS zyrtarisht akoma nuk flitet për ngritjen e çadrave në rrugë, por një deputet i saj ka pranuar se do të ketë protestë 24 orë në 24. Erion Braçe shkruan në faqen e tij në Facebook: “Opozita bëhet gati për protestën më të madhe të saj, 20 nëntor, në sheshin ‘Skënderbej’, në bulevard dhe para e rrotull kryeministrisë. Edhe 10 ditë, të 11-tën 24 orë në 24, derisa të dorëzohet Sali Berisha në Tiranë”. Duke marrë për bazë këtë deklaratë duket se çadrat do të rrinë. Mjeti i gjetur për të demonstruar protestën ndaj Sali Berishës duket se është gjetur, dhe në dukje konstatohet paqësore... Por çfarë nënkupton Erioni me dorëzim të Sali Berishës? Mos ndoshta frymëzimi i tij vjen nga ndonjë film artistik si p. sh:., “Dorëzimi i gjermanit të fundit”? Nejse, është e padobishme t’i biem në qafë Braçes me një hamendësim të tillë, por edhe një sqarim duhet bërë. Sali Berisha nuk e pushtoi Shqipërinë, por u votëbesua nga shumica e shqiptarëve më 28 qershor, për vazhduar projektin e nisur që më 2005-ën. Projektin ëndërr të të gjithë shqiptarëve, integrimin në familjen e madhe euro-atlantike, liberalizimin e vizave, modernizimin e infrastrukturës rrugore, rritjen e pagave dhe pensioneve, hapjen e vendeve të reja të punës, çlirimin e Shqipërisë nga varfëria, luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, mbrojtjen e ekonomisë nga efektet e krizës globale etj,. Pra siç edhe shikohet, PS me 99-shat, le të shtrihen rrugëve, pranë kryeministrisë, përballë piramidës, apo dhe përballë kryesisë së Kuvendit, por rezultati do të ketë vetëm një përfundim: Zgjedhjet janë të certifikuara, vendi ka një qeveri, pavarësisht se, ende jo një opozitë institucionale. Pikërisht kjo e fundit është pikëpyetja e këtyre ndoca hispanikëve, pinjollë të nomeklaturës komuniste. Por që, përgjigjen, Edvini dhe Erjoni nuk mund ta gjejnë kurrsesi poshtë çadrave, nëse deputetët socialistë nuk kthehen në parlament. Megjithatë, nuk është e thënë, kjo “bashkëjetesë”, e Ramës dhe Veliajt nuk mund të ketë vetëm qëllime protestuese...
...