E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE, angazhim për liberalizimin e vizave brenda 6-mujorit të parë të vitit 2010

Ministri i Jashtëm takon Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të KE për Imigracionin dhe Azilin, De Brouwer,


Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, i bëri thirrje Brukselit që të trajtojë me seriozitet progresin reformator në Shqipëri, pasi qeveria që drejton vendin ka arritur rezultate të admirueshme. Gjatë një takimi të zhvilluar dje me Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Komisionit Evropian për Imigracionin dhe Azilin, Jean Louis De Brouwer, shefi i diplomacisë shqiptare u shpreh se qeveria është e përkushtuar të realizojë të gjitha detyrimet e mbetura. Meta e informoi De Brouwer mbi plotësimet e detyrimeve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave nga ana e qeverisë shqiptare. Ai vuri në dukje hapat që janë marrë në lidhje me bashkëpunimin mes agjencive në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, menaxhimit të integruar të kufijve, ecurinë e procesit të prodhimit dhe shpërndarjes së pasaportave biometrike, si dhe paketën e strategjive, plan-veprimeve dhe projektligjeve të miratuara në proces. Ministri Meta u përqendrua në punën që po bëhet nga qeveria shqiptare për të siguruar jo vetëm miratimin në kohë por edhe zbatimin e plotë të angazhimeve ligjore dhe institucionale që janë ndërmarrë në këtë kuadër. Gjatë konferencës për shtyp, të zhvilluar pas takimit, ministri i Jashtëm Ilir Meta tha se, “i kam theksuar De Brouwer se sot, kur në të gjithë Evropën kujtohet rënia e murit të Berlinit, për ne shqiptarët, arritja e kësaj marrëveshje për liberaliminin e vizave me BE është si një rënie për së dyti e këtij muri që nga ardhja e demokracisë në vendin tonë. Ndaj ne e vlerësojmë shumë angazhimin e Bashkimit Evropian dhe Komisionit Evropian për t’i dhënë mundësi vendit tonë që të hyjë në këtë dialog shumë intensiv për liberalizimin e vizave”, u shpreh shefi i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta. Ndërsa nga ana e tij, De Brouwer, përgëzoi qeverinë shqiptare për progresin shumë të madh dhe substancial që është arritur gjatë muajve të fundit, duke theksuar se tashmë jemi në hapat e fundit të këtij procesi. “Ne jemi këtu për të shkëmbyer mendime me qeverinë shqiptare rreth punës dhe gjendjes së deritanishme në lidhje me procedurat e liberalizimit të vizave. Siç dihet, ky proces bazohet mbi udhërrëfyesin që përfshin kërkesat mbi vizat. Ky është një proces objektiv, i qartë dhe jopolitik, që bazohet mbi vlerësimin e përbashkët të situatës dhe zhvillimeve në këtë drejtim. Qeveria shqiptare ka bërë hapa shumë të mëdhenj gjatë këtyre muajve të fundit. Janë adoptuar plane veprimi dhe janë përgatitur projektligje. Gjithashtu, proçesi i prodhimit të pasaportave biometrike është lançuar me sukses. Tani ka ardhur koha që ky legjislacion të futet në fuqi dhe i referohem këtu në veçanti rishikimit të legjislacionit të vitit 2004 mbi konfiskimin e pasurive dhe legjislacionit të ri mbi asistencën e ndërsjellët juridike”, vlerësoi De Brouwer. Sipas tij, mesazhi nga Komisioni Evropian sot është: Na ndihmoni, që tu ndihmojmë! “Ne presim nga mesi i këtij muaji një raport tjetër nga Qeveria shqiptare lidhur me gatishmërinë e saj në këtë drejtim. Ky raport do të shërbejë si baza e planifikimit të përbashkët në nivelin e lartë zyrtar për fazën tjetër të procesit të liberalizimit të vizave. Edhe një herë, ky proces është i qartë, objektiv dhe transparent. Ne të gjithë, jemi në dijeni të kërkesave që duhen përmbushur, dhe me përmbushjen e tyre, Komisioni Evropian do të jetë në gjendje të bëjë propozimin e nevojshëm, gjë që shpresojmë se do të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur gjatë vitit të ardhshëm”, shtoi më tej funksionari i lartë i KE. Ai e siguroi ministrin Meta për vullnetin dhe angazhimin e Komisionit Evropian për ta përmbyllur këtë proces brenda gjashtëmujorit të parë të 2010, duke iu referuar madje edhe procedurave të reja që aplikohen pas hyrjes në fuqi të traktatit të Lisbonës. De Brouwer theksoi se tashmë Shqipëria gëzon mbështetje të plotë dhe se testi i fundit mbetet organizimi me sukses i misioneve të vëzhgimit, të cilat do të vijnë në terren duke filluar në muajin dhjetor për bllokun e parë që lidhet me sigurinë e dokumenteve, dhe në fillim të vitit të ardhshëm dy blloqet e tjera që lidhen me menaxhimin e kufijve, rendin publik dhe sigurinë. Jean Louis De Brouwer, është zyrtari i lartë në dialogun për liberalizimin e vizave mes vendeve të rajonit dhe Komisionit Evropian. Vizita e tij në Tiranë bëhet në kuadër të fazës finale të dialogut për liberalizimin e vizave mes Shqipërisë dhe BE.


Ministri Nishani takon zyrtarë të lartë Komisionit Evropian/Reforma në Drejtësi - ministria ka gati ligjet, konsensusi politik garanton qëndrueshmëri Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, zhvilloi dje një takim me pune Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë në Komisionin Evropian, Jean Louis De Brouwer, Ambasadorin e Delegacionit te Komisionit Evropian në Tiranë, Helmuth Lohan, si dhe shefin e Njësisë për Marrëdhëniet me Jashtme në Komisionin Evropian, Luigi Soreca, me të cilët u diskutua mbi realizimet dhe sfidat që vendi ynë ka përpara në kuadër të detyrimeve që kanë dalë nga Progres Raportit i KE-së për Shqipërinë. Në prezantimin e tij, ministri njohu pjesëmarrësit me hapat e ndërmarrë nga Ministria e Drejtësisë në kuadër të hartimit të Strategjisë së Reformës në Drejtësi, hartimin dhe miratimin e një pakete ligjesh për funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend si dhe iniciativa të rëndësishme të qeverisë Shqiptare në çështje të lidhura me reformën e pronësisë së tokës si dhe garantimin e të drejtave të të burgosurve e përmirësimin e kushteve të jetesës në institucionet e vuajtjes së dënimit. “Ministria e Drejtësisë, në procesin e hartimit të Strategjisë së Reformës në Drejtësi, si dhe në hartimin e disa ligjeve të rëndësishme që prekin reformën e sistemit të drejtësisë, është e orientuar drejt një procesi gjithëpërfshirës që garanton thithjen e mendimeve të çdo faktori dhe aktori të këtij sistemi. Shumë prej ligjeve kërkojnë një shumicë të cilësuar për miratim në Kuvend ndaj edhe Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria Shqiptare janë të angazhuara për marrjen e konsensusit politik të opozitës”, u shpreh ministri Nishani. Ndërkaq, nga ana e tij, zyrtari i lartë i Komisionit Europian, De Brouwer, përgëzoi ministrinë e Drejtësisë dhe qeverinë Shqiptare për progresin e shpejtë të arritur në rrugën e integrimit evropian dhe theksoi se, “plotësimi i detyrimeve që dalin nga plani i veprimit në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave është një ndihmë më shumë për Shqipërinë për të çuar përpara me shpejtësi procesin e integrimit evropian drejt marrjes së ftesës së vendit kandidat”. Në mbështetje të deklarimeve të ministrit Nishani, Jean Louis De Brouwer theksoi se marrja e konsensusit politik dhe procesi gjithëpërfshirës në hartimin e akteve ligjore garantojnë qëndrueshmërinë në zbatimin e ligjeve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›