E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Gjykatat nuk mund ti bëj vegël të ekzekutivit

“I kam kërkuar zotit Rama të listojë të gjitha problemet”

Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike ishte një mundësi për Kryeministrin Sali Berisha që të fliste për tryezën e së shtunës së shkuar në Presidencë. “Pas takimit në mënyrën më serioze kemi bërë transparencë thelbësore lidhur me takimin që kemi pasur te Presidenti i Republikës, po ju them se në atë tryezë shkova me zotin Patozi. Edhe një herë mund t’ju them se unë e vlerësoj atë si një përpjekje serioze, pozitive dhe se ne shkuam aty të vendosur për të dhënë kontributin tonë më madhor. Ne mbetemi të vendosur për të dhënë kontributin tonë më madhor në zgjidhjen e problemit të krijuar nga bojkoti i Parlamentit”, tha Berisha. Tryeza, vijoi ai, përfundoi duke i kërkuar Presidentit të vazhdojë më tej të eksplorojë mundësitë e konvergjencave midis palëve. “Unë nuk dua të nxjerr detaje, meqenëse ato kishin një konfidencialitet, por ajo që kam deklaruar edhe jashtë takimit është se i kam kërkuar zotit Rama të listojë të gjitha problemet që ai konsideron se shumica duhet t’i përgjigjet opozitës dhe unë jam plotësisht i gatshëm t’i trajtoj me seriozitetin më të madh dhe mënyrën më konstruktive”, u shpreh Berisha. Sikundër propozova se opozita, shtoi ai, duke shprehur se jemi totalisht dakord me rezolutën e Këshillit të Europës, të marrë dhe të hartojë amendamentin për të gjitha rekomandimet e Këshillit të Europës dhe raportit të OSBE/ODIHR-it, i cili është edhe raporti bazë, sepse nëse rezoluta ka 3-4 rekomandime, ndërsa ai ka 13 rekomandime. “Opozita t’i marrë, t’i konvertojë në amendamente dhe t’i instalojë në Kodin Zgjedhor. E garantova se ne jemi gati që të enjten që vjen të ngremë Komisionin Parlamentar dhe opozita të ketë shumicën në këtë komision për të hetuar të gjitha problemet që do të listojnë”, theksoi Berisha. Kryeministri garantoi opozitën se është i hapur të shqyrtojë çdo kërkesë që është midis tyre, teksa theksoi se kurrë ndonjëherë nuk e ka konsideruar dhe nuk e konsideron çështje bilaterale çështjen e vendimeve gjyqësore. “Gjykatat kanë vendosur dhe do të vendosin sa herë që palët t’i drejtohen asaj, por vendimi i tyre sapo jepet nuk është më problem ndërpalësh, por është problem vetëm me gjykatën. Unë nuk i kam kërkuar asnjëherë, askujt, të trajtojë problemet tona me gjykatën. Ju e keni dëgjuar opozitën të citojë 17 vendime kundër qeverisë dhe ne si kemi kërkuar asnjëherë opozitës të bëjmë diçka kundër këtyre vendimeve, sepse ato janë vendime të gjykatave, nuk ka përgjegjësi opozita”, nënvizoi Berisha. Nuk mundem, insistoi ai, në asnjë mënyrë, që problemet që opozita ka me gjykatën t’i bëjë probleme midis qeverisë dhe opozitës. “Kjo nuk mund të ndodhë. Për vendimet e gjykatave opozita i ka problemet me gjykatat. Ka qenë dhe do të jetë kështu, derisa gjykatat janë të pavarura dhe të mos i bëjmë vegël të ekzekutivit, që s’mund të bëhen kurrë”, tha Kryeministri. Duke folur për zgjedhjet e 28 qershorit, Berisha tha se ato kanë pasur standardet më absolute të transparencës në botë dhe që kanë rekordin botëror të transparencës, numërimin e votave etj. Kryeministri insistoi se çdo shqiptar e di dhe duhet ta dijë se mandati i Fierit iu mor kësaj mazhorance duke zhvlerësuar 512 vota të Komunës së Ruzhdies. Berisha solli para vëmendjes së deputetëve edhe vendimin e Gjykatës Supreme në SHBA të marrë vetëm 5 me 4 për mandatin e njeriut më të fuqishëm në botë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›