E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Mbështes një zgjidhje konstruktive

Deklarata

Zëvendëskryeministri Ilir Meta inkurajoi dje Presidentin e Republikës, Bamir Topi, për zgjidhjen e krizës në vend. Në një komunikim me mediat, ministri i Jashtëm tha se opozita të listojë gjithë pretendimet e saj, por zgjidhja duhet të jetë konform Kushtetutës. “Dhe për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me raportet mes opozitës dhe mazhorancës, të diskutohet dhe t’i jepet zgjidhje me vullnetin më të mirë. çështja e gjykatave nuk është dhe nuk mund të jetë çështje e mazhorancës dhe e opozitës. çështjet e gjykatave janë çështje të gjykatave, ka nivele të tjera të gjykatave të cilave mund t’u drejtohet kushdo që ka probleme ose mund t’i drejtohet dhe prokurorisë në rast se ka fakte për manipulime apo për cenime të procesit zgjedhor”, tha ai. Zv.kryeministri foli për propozimet e Kryeministrit Berisha, ndërsa shtoi se është në mbështetje të çdo zgjidhjeje konstruktive, të logjikshme parimore dhe natyrisht kushtetuese, që ndihmon në rikthimin e opozitës në Parlament. Pas kësaj deklarate reagoi deputeti socialist Eduart Shalsi, i cili tha se “Ilir Meta ka të drejtë të dridhet nga frika e kutive, ku fshihet edhe e vërteta e mandatit që nuk i takon në Tiranë, por ne nuk kemi të drejtë ta falim korrupsionin e djeshëm elektoral, sepse nuk mund të lejojmë që nesër korrupsioni të gllabërojë përsëri votat e popullit”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›