E Diel, 1 Nëntor 2026

Marsi “shpëton” Qeverinë, doganat e tatimet realizojnë 100% planin



Muaji mars duket se ka qenë edhe “shpëtimtari” për bilancet e Qeverisë, lidhur me realizmin e të ardhurave nga doganat dhe tatimet. Të dyja këto institucione rezultojnë me një realizim 100% të planit, madje e kanë tejkaluar atë. Nëse për marsin plani i doganave parashikonte një realizim të të ardhurave në shifrën 9 miliardë e 331 milionë lekë, në fund të muajit u realizuan 11 miliardë e 68 milionë lekë, pra një realizimin 118.62% në total. Pjesa më të madhe të këtyre të ardhurave prej 7 miliardë e 748 milionë lekë është realizuar nga mbledhja e tatimit mbi vlerën e shtuar. Gjatë marsit vihet re edhe një rritje me më shumë se 246% të të ardhurave të mbledhura nga taksa doganore. Nga ana tjetër, nëse u referohemi të ardhurave nga tatimet, situata ka qenë edhe më e favorshme. Plani i marsit për realizmin e të ardhurave parashikonte shifrën 9 miliardë e 287 milionë lekë, ndërkohë që nga bilanci në fund të muajit rezultoi një realizim 185.52% të planit me plot 17 miliardë e 229 milionë lekë. Pjesa më e madhe e këtyre të ardhurave ka ardhur si efekt i tatimit mbi të ardhurat personale, ndërkohë që edhe tatimi mbi fitimin ka shënuar një rritje 223% krahasuar me planin fillestar. Muaji mars ka bërë kthesën në situatën e vështirë që u gjendën tatimet dhe doganat gjatë muajve të parë të këtij viti. Ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë një konference për shtyp në fillim të prillit vuri në dukje këtë realizim të ardhurash, duke e konsideruar si një ogur të mirë për ekonominë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›