E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Gruaja s’është plaçkë

 

BLEDAR HOTI

Kryeministri Sali Berisha dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli bëjnë apel për një qëndrim më të ashpër ndaj dhunës në familje. Qëndrimet e dy drejtuesve të lartë të shtetit u mbajtën dje në punimet e konferencës kombëtare me temë “Ne mund të ndalojmë dhunën në familje”, e organizuar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale. “Dhuna në familje është forma më e shëmtuar e dhunës; është forma më çnjerëzore; është, fatkeqësisht në shumë aspekte, forma më e fshehur për shkak të vendit ku ajo ushtrohet. Në Shqipëri dhuna në familje është një problem realisht serioz. Pesha e krimit familjar dhe e vrasjeve është bërë shumë problematike. Përqindja e tyre, në krahasim me krimin tjetër, është shumë më e lartë dhe e papranueshme. Dhuna në familje nuk ka marrë përgjigjen e duhur shoqërore dhe zyrtare”, tha Berisha. Kryeministri Berisha u shpreh se kjo ditë dhe kjo konferencë është një apel i madh për të gjithë institucionet e zbatimit të ligjit, të cilat duhet të përparësojnë qëndrimin e tyre ndaj dhunës në familje me qëndrimet më ndëshkuese. “Është  përpiluar strategjia kombëtare kundër dhunës në familje; është miratuar një ligj i rëndësishëm për qëndrimin ndaj dhunës në familje; po krijohen dhe funksionojnë qendra për riaftësimin, trajtimin psikologjik dhe ri integrimin e të dhunuarve, por prapë nuk kemi një opinion të fuqishëm shoqëror dhe nuk kemi ligjet për dënimin më të rreptë ndaj saj”, u shpreh Kryeministri. Sipas tij, është e domosdoshme që çështjen e dhunës në familje ta bëjmë një çështje të madhe. “Nuk duhet të kemi ndrojtje. Ajo nuk mund të luftohet as duke e fshehur dhe as duke e zvogëluar. Dhuna në familje, dhuna ndaj gruas, ka në bazë një diskriminim shekullor të trashëguar gjinor. Kjo është e vërteta. Asnjë formë diskriminimi nuk mund të luftohet në rast se nuk konsiderohet në të gjithë përmasën që është. Shoqëria në tërësi duhet të ndëshkojë, të përçmojë, të përbuzë modelin e dhunës në familje. Ky është një kusht për çdo shoqëri të qytetëruar. Familja, bashkëshortja, nuk është as skllave dhe as plaçkë, përkundrazi është një personalitet kryesor i familjes me rolin e saj”, tha Berisha.
Topalli
Kryeparlamentarja Topalli në fjalën e saj tha se “kush çon dorën ndaj nënës, apo nënës së fëmijës, nuk është burrë, e nuk falet”. “Ai është modeli i njeriut frikacak, i njeriut të pasigurtë.
Vetëm ai që është në frikë e pasiguri, kompenson me dhunë atë që i mungon në forcë e vërtetësi. Për këto të vërteta, lufta kundër dhunës në familje është detyrë dhe është njerëzore. Nuk është e thjeshtë, përkundrazi. Ndaj kërkon edhe guxim. Deri vonë për këtë krim ka pasur heshtje, vetëm heshtje. Ka ende ndrojtje, shpesh herë ka frikë, ndokujt i intereson të krijojë edhe keqkuptim.
Sepse dhuna në familje nuk ndodh vetëm tek ato që nuk dinë, apo tek ato që nuk kanë. Jo, jo. Ajo ushtrohet edhe nga ata që janë më lart, shumë më lart në shoqëri”, tha kryeparlamentarja. Sipas saj, “kjo dhunë në rastet e njerëzve jopublikë trishton, dëmton e pengon familjen. Kjo dhunë në rastet e njerëzve publikë, kërcënon të drejtat e shoqërisë, lirinë saj, zhvillimin e saj. Ai kthehet në rrezik”. “Ndaj edhe Parlamenti duhet të marrë lidershipin në këtë betejë. Të gjithë bashkë duhet t’i përgjigjemi fort dhunës ndaj grave. Kuvendi i Shqipërisë duhet të bëjë rezolutë kundër dhunës në familje. Kuvendi duhet të bëjë rezolutë kundër dhunës ndaj grave. Kuvendi duhet të kontrollojë zbatimin e ligjit që vetë ka miratuar për cilindo. Për këtë do të ketë edhe një nënkomision të veçantë”, theksoi Topalli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›