KE: Debati politik të bëhet në Kuvend
Komisioni Evropian i bën thirrje opozitës të rikthehet në Parlament. Zv.Presidenti i Komisionit Evropian dhe komisioneri për transportin, Antonio Tajani, u takua dje në Tiranë me Kryeministrin Sali Berisha. Sipas njoftimit për shtyp të Këshillit të Ministrave në këtë takim u fole dhe për bojkotin e opozitës. “Në takim u diskutua gjithashtu edhe për bojkotin e opozitës. Zv/presidenti Tajani i theksoi Kryeministrit Berisha se debati politik duhet të zhvillohet në Parlament”, thuhet në njoftimin për shtyp. Gjatë këtij takimi u bisedua gjithashtu edhe për luftën kundër korrupsionit. “Në këtë kontekst zv/presidenti Tajani theksoi se planveprimi dhe reformat e qeverisë në luftën kundër korrupsionit janë shumë të rëndësishme. Ligji “Antimafia” i sapomiratuar nga qeveria shqiptare, si dhe reformat dhe përpjekjet e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar, krimit financiar e të çdo lloji, janë shumë të rëndësishme”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp. Kryeministri Berisha e informoi zv/presidentit Tajani mbi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit, si heqja e licencave dhe lejeve që përbënin burim korrupsioni; thjeshtësimi i procedurave administrative dhe vendosja e procedurave digitale, si: 100 për qind prokurime elektronike, regjistrimi elektronik i bizneseve përmes procedurës “One Stop Shop”, E-taksa, E-dogana, reduktimi i shpenzimeve abuzive administrative , futja e procedurave “heshtja është miratim” etj. “Një ndër fushat më të suksesshme të punës së qeverisë gjatë kësaj periudhe ka qenë lufta ndaj krimit ordiner dhe të organizuar, çka bëri të mundur shkatërrimin e 206 organizatave të rrezikshme kriminale dhe sjelljen para drejtësisë të 1000 bosëve dhe anëtarëve të tyre. Qeveria është fokusuar tashmë në luftën kundër krimit ekonomik dhe sapo ka miratuar për këtë qëllim ligjin “Antimafia””, u shpreh Berisha gjatë takimit.