E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i Bankës Botërore: Rritet varfëria në Shqipëri

 

Kriza ka prekur më shumë vendet e varfra dhe sidomos familjet me të ardhura të pakta. Për rrjedhojë në Shqipëri mund të kemi 40 mijë familje të varfra më shumë. Raporti më i fundit i publikuar nga Banka Botërore jep një panoramë të qartë lidhur me mënyrën se si e kanë përjetuar krizën familjet në vendet e Evropës dhe Azisë Qendrore. Sipas raportit për sa i përket shpenzimeve për t’u ushqyer, konsumi që kanë familjet bie në mënyrë të njëtrajtshme me të ardhurat. “Në disa vende më të ardhura të ulëta në rajon, sasia e shpenzimeve për t’u ushqyer tek familjet e varfra është 70% deri në 80%. Në Shqipëri 60% të familjeve shqiptare kanë më pak se 5 dollarë për frymë të ardhura në ditë. “Të varfrit janë ata që preken më shumë siç është shembulli i Shqipërisë” thuhet në raport. Sipas Bankës Botërore në një studim të kohëve të fundit të 11 shteteve duke përfshirë edhe Shqipërinë specialistët zbuluan se familjet më të varfra kishin tendencën të prekeshin më shumë nga rritja e çmimit të ushqimeve ndërkohë që kjo varfëri kufizon edhe mundësitë e arsimimit. Niveli i varfërisë sipas raportit theksohet të jetë rritur ndjeshëm edhe pse në Shqipëri nuk ka një përllogaritje të saktë që nga viti 2008, kur INSTAT deklaroi një shifër 12% për 6 mujorin e parë të vitit. Por nisur nga kjo sipas BB-së mjafton një rritje 10% e çmimeve të ushqimeve që familjet shqiptare të konsiderohen 5.33% më të varfëria. Në raport nuk jepet një shifër ekzakte lidhur me varfërinë por me përafërsi përshkruhet se tashmë ky fenomen mund të jetë rreth 15%. Një pikë tjetër që prek raporti është borxhi familjar. “Rritja e shpejtë e borxheve familjare në disa vende të Ballkanit Perëndimor si Shqipëria, dhe Serbia i ka ekspozuar familjet ndaj një serie goditjesh të tregut të kreditimit” thuhet në raport. Sipas Bankës Botërore borxhet familjare kanë ndikuar në një farë mënyre në përmirësimin e jetës së shumë prej atyre që i kanë marrë duke i lejuar që të zbusin harxhimet, të ndajnë rrezikun, të bëjnë blerje të qëndrueshme, dhe të investojnë për shtëpitë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›