E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Gruevski: Gati ndërtimi i lidhjes së përbashkët hekurudhore

Shqipëria dhe Maqedonia kanë shprehur gatishmërinë për ndërtimin e lidhjes hekurudhore, që do të lidh këto dy vende.

Kryeministri Sali Berisha dhe homologu i tij maqedonas, Nikolas Gruevski, shprehën dje në Shkup angazhimin për fillimin e ndërtimit të lidhjes hekurudhore mes dy vendeve. Kryeministri Berisha ndodhej në Shkup për të marrë pjesë në veprimtaritë festive me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit. Në këtë kuadër, Kryeministri zhvilloi në mesditë një takim me Kryeministrin e Maqedonisë, Nikolas Gruevski, gjatë të cilit u konstatuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe u diskutua rreth mundësive për intensifikimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe atë rajonal. Në bisedimet e tyre, dy kryeministrat u ndalën veçanërisht në zhvillimin e projekteve konkrete, që zgjerojnë bashkëpunimin mes dy vendeve. Kryeministri Berisha vlerësoi si një nga lajmet më pozitive që del nga ky takim, faktin se qeveritë respektive do fillojnë ndërtimin e lidhjes hekurudhore mes dy vendeve. "Qeveria maqedonase është marrë me përcaktimin e trasesë dhe shpronësimet, ndërsa Shqipërisë i kanë edhe mbetur tre-katër kilometra dhe ne do përpiqemi që brenda vitit 2009 ta kompletojmë detyrimin tonë", tha Berisha. Gjatë takimit, të dy palët shprehën interesin e tyre për një bashkëpunim të gjerë në të gjitha fushat, në luftën kundër kriminalitetit, për një marrëveshje të re për menaxhimin e ujërave të përbashkëta dhe mbrojtjen e tyre, kontrollin e integruar të kufijve dhe pikat e reja doganore. Kryeministri Berisha, është takuar dje në Shkup dhe me dy liderët e partive shqiptare, përkatësisht, kreun e BDI-së, Ali Ahmeti dhe me kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›