E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta, degëve të LSI-së në rrethe: Votat do t‘i mbrojmë ne

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, nuk i ka kursyer sërish dje akuzat ndaj kryetarit të PS-së, Edi Rama, dhe Kryeministrit Berisha, duke i konsideruar si të njëjtë, pra pa asnjë ndryshim mes tyre, në lidhje me politikën që bëjnë. Por Meta nuk ka fshehur as mosbesimin ndaj OSBE-së, e cila, sipas tij, nuk di të mbajë një qëndrim konkret në lidhje me deklaratat që bën. Ndaj kryetari i LSI-së, Meta u ka kërkuar kryetarëve të degëve të partisë që drejton, që të punojnë fort për të garantuar dhe mbrojtur vetë votën e lirë të shqiptarëve. Duke u ndalur te greva e urisë së dhjetë deputetëve të Parlamentit, Meta theksoi se "ne me shumë kurajo dhe me shumë sukses arritëm të ndërgjegjësonim pjesën më të madhe të shoqërisë shqiptare, që ishte edhe e lodhur nga ky tranzicion që nuk mbaron, për shkak të politikës që luan, në radhë të parë, me votën e shqiptarëve". Besoj, tha Meta në fjalën e tij, se ato nëntë ditë dhe nëntë net ndihmuan të gjithë shqiptarët, edhe ata që mund të ishin të paqartë, për të kuptuar se kush janë përgjegjësit kryesorë që duan ta nxjerrin sistemin demokratik jashtë kontrollit të qytetarëve. Meta u ka kujtuar kryetarëve të degës së LSI-së, se Rama u bashkua me Berishën për të diskriminuar në mënyrë të padrejtë dhe kriminale një forcë politike si LSI-ja. Ky sulm, u shpreh ai, tregon qartë se LSI-ja është opozita e vërtetë sot në Shqipëri. Ndaj sot është koha që t‘u drejtohemi të gjithë shqiptarëve për të përkrahur LSI-në dhe koalicionin tonë, si të vetmen garanci për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e tyre themelore, por, njëkohësisht, ne jemi që tani garantët e sigurt të mbrojtjes së zgjedhjeve dhe të votës së çdo shqiptari në qershor 2009. Meta ka theksuar më tej se ata do të punojnë fort për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme sipas standardeve ndërkombëtare. "Ne e dimë se pa votë të lirë dhe të shenjtë nuk mund të ketë as pronë të shenjtë, nuk mund të ketë as stabilitet, as prosperitet dhe as mirëqenie për qytetarët tanë dhe për popullin tonë", u shpreh Meta. Sipas tij, historia u ka ngarkuar dy detyra shumë të rëndësishme, e para, të fitojnë zgjedhjet që po afrojnë, sepse Edi Rama nuk është një alternativë ndaj Sali Berishës. Edi Rama tregoi se është me Sali Berishën, ndaj duhet të mbrojmë votën e shqiptarëve. "Ne kemi detyrë të mbrojmë votën e çdo qytetari shqiptar, për këdo parti që ai e hedh, sepse vota duhet të jetë e shenjtë, në mënyrë që edhe e ardhmja e vendit tonë të jetë e sigurt. Kjo është e vetmja rrugë dhe mënyrë që të ndahemi me tranzicionin dhe të ndahemi me partitë e vjetra e të pandreqshme në qershor të vitit 2009", është shprehur Meta.

Kryetari i LSI-së u ka kërkuar strukturave të tij të punojnë fuqishëm për të qenë forca e parë në këto zgjedhje, sepse Rama e Berisha janë e njëjta gjë. "Nuk kanë asnjë ndryshim, veçse ai tjetri është piktor dhe i fut ndonjë furçë asaj politikës së re, e cila është politika e vjetër e cenimit të zgjedhjeve", u shpreh kryetari i LSI-së.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›