Veliaj në Bulqizë: Qeveria, asnjë investim për minatorët
G99 ka zhvilluar prezantimin publik në qytetin e Bulqizës në një takim me minatorët dhe qytetarë të tjerë. Duke folur në këtë takim, Erion Veliaj tha se qeveria i ka lënë minatorët në një gjendje të mjerueshme, me miniera që i zënë nën vete dhe pa spitale ku ata të kurohen. "Si ka mundësi që anestezistët duhet të vijnë nga Tirana, që spitali nuk ka kushte për të shpëtuar jetët e minatorëve dhe që për më tepër morgu nuk ka ujë të lajë xhenazet? Kur vdes një minator, u shpreh Veliaj, ai nuk është as i majtë e as i djathtë, por babai i një fëmije, gjyshi i një nipi ose mbese, familjari i dikujt. Sot në Shqipëri kemi shumë më shumë gjëra që na bashkojnë se sa që na ndajnë. Nuk kanë mbaruar në qytetet, talentet lokale që interesat e tyre të përfaqësohen nga politikanët e Tiranës, të cilëve qeveria u gjen lekët për t‘i pajisur me makina ‘Benz‘ dhe ‘Tuareg‘. Dje Kryeministri ynë na tha se Shqipëria po ndryshon. Dhe ne jemi dakord. Po ndryshon për keq dhe tani kemi nevojë që të ndryshojë për mirë. Ne nuk jemi këtu për të sharë politikanët, siç bëjnë qeveritarët rëndom, por për t‘i ftuar të bashkohemi dhe të organizohemi për të ndryshuar Shqipërinë, këtë radhë për mirë". Takimi është përshëndetur dhe nga përfaqësuesi i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri, i cili theksoi nevojën për bashkimin e shumë zërave për të sjellë ndryshimin. Xibri i ftoi minatorët të jenë më të organizuar dhe më aktivë në mbrojtje të interesave të tyre primare për sigurinë e jetës dhe statusin.