Fratini: Në BE ka ngurrim për Shqipërinë
Ministri i Jashtëm italian zhvilloi një takim me Ilir Metën në Romë. Fratini tha se Shqipëria mund të përfitojë nga vizat në 2010
TIRANË - Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, ka deklaruar se janë një numër shtetesh të Bashkimit Evropian, që ngurrojnë të shprehen pro marrjes së statusit të vendit kandidat nga ana e Shqipërisë për t'i hapur rrugën integrimit të saj në BE.
Gjatë një takimi në Romë me kreun e diplomacisë shqiptare, Ilir Metën, Fratini theksoi se Italia nga ana e saj do ta mbështesë Shqipërinë për t'u integruar në familjen evropiane. Sipas Fratinit në mbledhjen e ardhshme të 26 tetorit, do të kërkohet një transmetim më i shpejtë i kërkesës pranë Komisionit Evropian, që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për të hyrë BE.
Megjithatë, sipas Fratinit, ka disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian që ngurrojnë të shprehen pro njohjes së statusit të vendit kandidat. "Gjatë takimit, kemi diskutuar mbi kërkesën për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Në mbledhjen e ardhshme të ministrave të jashtëm të BE-së në Luksemburg (26 tetor) ne do të kërkojmë transmetim të shpejtë të kërkesës pranë Komisionit Evropian për të filluar më pas procesin, që ne shpresojmë se do të çojë në njohjen e statusit të vendit kandidat.
Unë e di se ka një ngurrim nga ana e një numri të kufizuar të vendeve anëtare, por shpresoj që të gjejë konsensusin e shumicës së shteteve anëtare të BE", - tha Fratini. Ky citim i ministrit të Jashtëm italian, i publikuar ne mediat italiane, nuk bëhet i ditur në faqen zyrtare në internet të Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke e mjegulluar thjesht me një përmbledhje sipërfaqësore të takimit Fratini - Meta.
Deklaratës së Fratinit, kreu i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta i është përgjigjur se Shqipëria po bën përpjekje për kryerjen e të gjitha reformave të kërkuara nga BE-ja.
Lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, sipas Fratinit, Shqipëria mund të përfitojë nga ky proces brenda vitit 2010. Ministri italian bëri të ditur se brenda gjashtëmujorit të parë, të vitit të ardhshëm, mendohet që Komisioni Evropian të marrë një vlerësim dhe një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave me Shqipërinë.
Nga ana e tij, ministri i Punëve të Jashtme të vendit tonë, u shpreh se Shqipëria po bën përpjekje për të realizuar të gjitha standardet, që kërkon procesi i liberalizimit të vizave me BE-në në hapësirën Shengen.
Megjithatë, dy ditë më parë Parlamenti Evropian miratoi një amendament për të shtuar Shqipërinë në listën e vendeve që përfituan nga liberalizimi i vizave, por më parë vendi ynë duhet të arrijë standardet e kërkuara. Shqipëria do të hyjë në këtë klasifikim, vetëm kur Komisioni Evropian të sjellë një vlerësim pozitiv për reformat e kryera nga Shqipëria.
Ndërkohë, gjatë takimit të djeshëm, të dy krerët e diplomacisë së dy vendeve e vunë theksin edhe te bashkëpunimi në nivel rajonal, sikurse do të jetë nisma Adriatiko-Joniane apo e Evropës Qendrore. Për këtë arsye, gjatë pranverës së ardhshme do të zhvillohet një ministerial i gjerë rajonal. Ministri italian, Fratini, pohoi se Shqipëria ka marrë rolin e një faktori stabiliteti në Ballkan.