E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-ushtarakët, padi për pensionet suplementare

Autori i Lajmit: Entela Duraj

Ish ushtarakët në rezervë i janë drejtuar për të disajtën herë qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse, që të mos bëhen pengesë për zbatimin e ligjit për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura. Ata kërcënuan se nëse nuk do të gjendet një zgjidhje e afërt, përgjegjësit do të duhet të përballen me padi në organet e Prokurorisë. Deklarata është bërë dje në një ceremoni përkujtimore që përkon me 14 vjetorin e themelimit të Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë. Drafti i miratuar vite më parë iu nënshtrua ndryshimeve nga qeveria, që sipas ushtarakëve cenon të drejtat dhe përfitimet e tyre financiare. Në këto kushte mjaft shoqata ankimuan ligjin në Gjykatën Kushtetuese duke e cilësuar atë të papajtueshëm me ligjin themeltar të shtetit. Në nëntor të vitit 2009-ës Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e zbatimit të tij, por ende nuk është marrë një vendim përfundimtar se cili ligj do të lihet në fuqi. Në ceremoninë e djeshme të organizuar në ambientet e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, ish-ushtarakët kujtuan 14 vitet e formimit të shoqatës së tyre që numëron mbi 17 mijë anëtarë të shtrirë në të gjitha rrethet por edhe jashtë vendit. Ata shigjetuan politikën dhe qeveritë e ndryshme të cilat kanë ndërmarrë reforma pa kritere profesionale në ushtri por mbi kritere politike duke flakur në rrugë profesionistët e ushtrisë.
Në një prononcim për gazetën kreu i Shoqatës Mehdi Pogaçe është shprehur qartë se çështja e pensioneve të ushtarakëve do të kalojë jo vetëm në hallkat e drejtësisë shqiptare por edhe të asaj ndërkombëtare. “Çështja e pensioneve të ushtarakëve për Shoqatën do të kthehet në një kallëzim penal, deri në mbërritjen e saj pranë Gjykatës së Hagës si një çështje genocidi ndaj familjeve të ushtarakëve. Në Shoqatë janë mbledhur ankesat e para të ushtarakëve të cilët do të bëjnë ankesë me shkrim pranë Avokatit të Popullit dhe do të vazhdojnë me të gjitha hallkat e mundshme të drejtësië,” ka thënë Pogaçe. Një nga argumentet me të cilët ushtarakët i janë drejtuar Kushtetueses është se në krahasim me ligjet e mëparshme, ky ligj, në vend që të përmirësojë, përkundrazi përkeqëson situatën e tyre ekonomike, çka, sipas tyre, përbën shkelje të sigurisë juridike, sipas të cilës, çdo ligj i miratuar duhet të jetë më i mirë se ai paraardhës. “Ky ligj përbën shkelje të Kushtetutës, pasi mohon disa të drejta, të cilat ish-ushtarakët i kishin fituar më anë të ligjeve, që janë miratuar vite më parë,” janë shprehur ish/ushtarakët. Një pikë tjetër tepër e kundërshtuar nga ish-ushtarakët ka të bëjë me faktin se, sipas ligjit të ri, nëse përfituesi i pensionit të parakohshëm punësohet në vende të tjera pune, që nuk kanë lidhje me funksionin e tij të mëparshëm, masa e pensionit që ai përfiton për vjetërsi shërbimi ulet në nivelin e një pensioni bazë.

Vendimi i Kushtetueses
Pas depozitimit të kërkesës së ushtarakëve (për pezullimin e ligjit egzistues për pensionin suplementar), Gjykata Kushtetuese ka vendosur kalim e çështjes për shqyrtim në seancë plenare. Për të disajtën herë ushtarakët mbeten të pakënaqur me projektligjin për rillogaritjen e pensioneve të parakohshme dhe atyre suplementare, nëpërmjet të cilit parashikohet unifikimi i procesit të llogaritjes, duke përjashtuar klasifikimin sipas gradave. Nga njëra anë kjo sjell eliminimin e gradave, por edhe bie ndesh dhe me vendimin e formës së prerë të nxjerrë nga Gjykata Kushtetuese. Sipas deklaratave të përmbledhura të ish-ushtarakëve, propozimet e bëra në projektin e fundit synojnë të rikthejnë sërish situatën problematike të bërë edhe nga qeveritë e mëparshme, ndërkohë që janë demotivuese për kategori të caktuara, që janë të punësuar aktualisht. Shkeljet që mbart ky projektligj nisën që me mosdiskutimin e tij në të gjitha komisionet parlamentare. Ky projektligj ndryshon skemën e pensioneve të parakohshme dhe atyre suplementare të ushtarakëve. Për pensionet e parakohshme janë hequr gradat (të cilat nuk do të merren parasysh për rillogaritjen), ndërsa për pensionet suplementare të pleqërisë është vendosur të merret parasysh 1 për qind e pagës për vjetërsinë. Kjo gjë ndikon në uljen e masës së pensionit për këto kategori. Fatkeqësisht, ky ligj prek edhe ata që janë në detyrë tani, pasi sjell uljen e masës së pensionit, çka ndikon në demotivimin e tyre. Shoqata e ish-ushtarakëve del zyrtarisht kundër këtij projekti.

Ky lajm është publikuar: 09/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›