E Diel, 1 Nëntor 2026

Agim Krajka: Kur këndonte Vaçja këngët e ndaluara, të luante mendsh

Autori i Lajmit: Denisa Kona
“Vaçen e kam njohur rreth viteve 60 në Tiranë. Kisha bërë pak emër si fizarmoniçist kur mu krijuan disa kontakte, në fillim shoqërore, pastaj edhe artistike për ta takuar Vaçen nga afër në ndonjë koncert që organizohej nga Pallati i Kulturës. Unë në atë kohë isha me punë në Ansamblin e Ushtrisë. Por njëkohësisht punoja edhe në orkestrën e ndonjë lulishteje, si Bar Sahati ku njerëzit dëgjonin muzikë “live” dhe vallëzonin.- Kështu e nis historinë e kujtimeve të tij me ikonën e muzikës së lehtë shqiptare, kompozitori i parë i saj, Agim Krajka.- Ajo ishte dy vjet më e vogël se unë. U miqësuam shumë, ishte formimi ynë artistik që na bëri miq, por u kuptuam edhe si shokë me njëri-tjetrin”. Kështu nisi njohja mes dy prej emrave më të mëdhenj të muzikës sonë, Vaces dhe Krajkës (këngëtarët mbahen mend më mirë me emra, kompozitorët me mbiemra). Për të mos i hequr freskinë dhe origjinalitetin bisedës me kompozitorin, ne po e lëmë vazhdimin në formën e intervistës.

-Mjeshtër Krajka, këndonte Vaçja në ato vite kur ju luanit në orkestrat e bareve të Tiranës, në këto mjedise shlodhëse?
Jo, Vaçja nuk këndonte në lokale. Me Vaçen u njohëm në mjedise të tjera, skenike. Pas kësaj krijuam edhe miqësi familjare. Kur erdhi koha që u largova nga Ansambli i Ushtrisë për tu përfshirë në orkestren e Radio-Televizionit,- në Festivalin e Parë në Radio u krijua edhe një formacion që quhej “kompleksi ritmik” ku më vunë ta drejtoja,- këtu pata fatin të nis një bashkëpunim të ngushtë me Vaçen.
-Karriera juaj si kompozitor dhe e Vaçes si interpretuese ecën paralelisht apo ju kishit nisur para saj?
Vaçja fillimet e saj i ka në Lushnje, natyrisht. Edhe unë fillimet e mia i kam që në kohën e shkollës, por si fizarmoniçist. Kur u bë Festivali i Parë, më morën si instrumentist të zgjedhur dhe aty Vaçja ishte protagoniste. Por, një ditë ajo më thotë: “Agim, përse ti nuk bën një këngë?” I thashë: “Nuk e kam provuar ndonjëherë”. “Je në vete?!”,- më tha. Ajo më nxiti dhe kështu e provova: Bëra këngën e “Lemzës” dhe e orkestrova.
-Kënga juaj, “Lemza”, në gojën e Vaçes ishte e papritur? Si ju tingëlloi?
Ishte e papritur si krijim dhe si realizim. Vaçja e mori me kënaqësi të madhe dhe ashtu siç ndodhte gjithnjë kur e pëlqente një këngë, ajo i dha asaj qenësinë “Vaçe”. Kënga na doli tmerrësisht e suksesshme, u prit me britma. Por siç duket, ishte e parakohshme, na u hoq dhe e vumë pas katër muajsh në skenë etj. Vitin tjetër, shkrova prapë një këngë për Vaçen. “Djaloshi dhe shiu”. Suksesi i kësaj kënge në zërin mjeshtëror të Vaçes më siguroi edhe mua pozitat, se për këngën e parë, nuk njihesha dhe mund të mendonin që ky këtë e ka vjedhur. Deri në Festivalin e 6-të bashkëpunimi im me Vaçen ishte i vazhdueshëm. Ajo këndonte këngët e mia.
-A e kishte Vaçja privilegjin që ti zgjidhte këngët, kompozitorët?
Natyrisht që e kishte. I zgjidhte, por kjo vazhdoi deri nga viti 67, pastaj Vaçes i rekomandohej nga lart se çfarë këngësh do të këndonte. Vetvetiu u tërhoqa, sepse nuk desha të bëja këngë me porosi partie. Ishin emra të tjerë ata që ishin caktuar për këto këngë. Duhet të them se në atë kohë, jo çdokush mund të bashkëpunonte me Vaçen. Dhe kjo nuk varej vetëm nga Vaçja, kjo varej nga këshillat artistikë që ishin me prestigj. Ato mund ta linin ose ta hiqnin këngën. Pastaj, ishin edhe profesorët tanë, që nëse nuk kishe arritur gjë me krijimin, nuk të “njihnin” as për mik as për shok. Por siç ju thashë, që pas festivalit të 6-të, Vaçja nisi të administrohej nga lart dhe i caktoheshin këngë me një përmbajtje të caktuar. Por cilëndo këngë që të merrte Vaçja, e nxirrte shkëlqyeshëm.
-Vaçja ishte një artiste, që krijonte simpati të menjëhershme në publik. Si e krijoi Vaçja simpatinë në qarqet politike?
Me talentin e saj, ajo e tundonte sallën, jurinë, edhe pushtetarët.
-Ju thoni që pushteti i kohës kishte nevojë për autoritetin dhe popullaritetin e Vaçes si artiste?
Patjetër. Cili pushtet nuk do të donte, që këngët politike të mos i këndonte këngëtarja më e mirë? Nuk kishte rëndësi përmbajtja e këngës. Vaçja ishte artiste. Por në atë kohë kishte një platformë edhe në festival. Përshembull, 12 këngë vinin të përcaktuara nga lart, dy këngë për klasën punëtore, dy për fshatarësinë etj.
-Kishte xhelozi në rrethet artistike për Vaçen?
Xhelozia në art është gjithnjë prezente, por vlerat e Vaçes asnjëherë nuk janë mohuar dot. Vaçja edhe të recitonte, ishte këngëtare e madhe. Vaçja ishte nga ato, që nuk gabonte. Se të gjitha këngëtaret në raste lodhjeje, stonojnë në ndonjë notë.
-Të gjithë thonë: “Vaçja, artiste e madhe”. Cilat ishin detajet që bënin diferencën mes saj dhe këngëtarëve të tjerë të mirë? Çfarë i dha ajo muzikës së lehtë shqiptare?
Vaçja nuk ishte vetëm e madhe. Për mua si muzikant, ajo ishte e para këngëtare që e shqiptarizoi zhanrin e muzikës së lehtë. Në atë kohë kishte shumë këngëtarë, natyrisht, jo me këto deformimet e sotme, por që kishin manira të italianizonin këngën. Përkundrazi: Edhe po të kishte në muzikë ndonjë element të tillë, Vaçja me talentin e saj, e shqiptarizonte. Kështu që ajo na tregoi portretin se si duhet të jetë kënga shqipe.
-Sot vlera e një këngëtareje matet me performancën fizike, bukurinë. Vaçja nuk është shquar si bukuroshe e prapë ishte shumë e preferuar…Cili është komenti juaj?
Le të dalë dikush nga gjenerata jonë, që të thotë: “Unë ia kam parë shalët Vaçes”. Kaq po ju them. Ndërsa për bukurinë, Vaçja ishte tmerrësisht e bukur, sepse këndonte tmerrësisht bukur. Gi de Monpasan thoshte: “Nuk ka vajza të bukura dhe të shëmtuara, ka të ditura dhe të paditura”. Dhe në sferën ku lëvronte, Vaçja ishte tmerrësisht artiste, tmerrësisht e bukur.
-Na tregoni diçka pak për Vaçen si shoqe, për temperamentin e saj
Shumë shoqe- shumë shok e kisha Vaçen. Për çdo lloj halli që ti qaje, ta dije se e kishte futur në kasafortë, pavarësisht në kishte apo nuk kishte mundësi të të ndihmonte. Nuk kemi bërë kurrë fjalë. Kur shkonim me Ansamblin e Shtetit nëpër turne nëpër botë, edhe në 1 të natës merrnin në telefon njëri-tjetrin dhe e kërkonim. Rrinim deri në mëngjes duke biseduar. Relacionet tona kanë qenë shumë të bukura, shumë të rregullta, një miqësi që na gëzonte pa masë. Me çfarë shoh sot, them lum si unë që kam jetuar atë kohë. Në atë kohë, shoqja ne klasës ishte shoqe klase, vajza e lagjes ishte vajzë e lagjes, fqinja ishte fqinjë, mësuesja ishte mësuese. Sikur një shoku im të ishte ndarë nga e dashura e tij, ajo të luante mendsh pas meje, nuk do të shkoja me të. Pra, ne kishim një kod, Vaçja kishte një kod.
-A mund të quhet Vaçja një këngëtare moderne për kohën e saj?
Moderne dhe arkaike nuk ka për artistin. Artisti nuk mund të jetë as modernist, as primitiv. Derisa i jep shoqërisë, është ai që shoqëria do. Por varet se kë quajmë moderne. Vaçja këndonte këngët më të mira të kohës së saj, qofshin këto italiane, qofshin franceze dhe spanjolle. I këndonte në rrethe të ngushta që të luante mendja.Vaçja i vinte për shtat çdo kënge. Kur këndonte këngë lushnjare, i këndonte lushnjare, kur këndonte këngë shkodrane, i këndonte tamam shkodrane, këngën italiane e këndonte tamam si italiane etj. Por çdo lloj kënge, Vaçja duke i ruajtur origjinalitetin, i jepte ngjyrat e saj. Ndërsa sot, edhe kur këndojnë këngë shqiptare, duket sikur këndojnë këngë të huaja.

Intervistoi Denisa KONA

Natyra e Vaçes

Ajo kishte një natyrë mjaft të pëlqyeshme në shoqëri. Kudo që shkonte, sillte njëlloj gëzimi me melosin e saj, me tipin e saj. Unë u njoha me të shoqin e Vaçes, Pjetrin, një njeri shumë i nderuar që jetonte 200 metra larg shtëpisë sime, derivat i një familjeje shumë të mirë. Krijuam miqësi

“I dha portretin këngës shqipe”

“Mua më vjen tmerr, që dëgjoj këngë të kompozitorëve shqiptarë të kënduar me maniera amerikane, angleze etj, etj. 50 vjet përpara, kishte këngëtarë që i dhanë portretin artistik këngës shqiptare dhe ndër ta më e madhje ishte Vaçe Zela. Kanë shumë për të mësuar këngëtarët e rinj nga kjo Vaçe. Nuk është puna për vokalin, se vokalin ta jep Zoti, por ishte formimi i saj, çfarë kishte akumuluar ajo në emër të dashurisë për këngën shqiptare, dhe pse ajo njihte shumë mirë edhe këngën italiane, këngën franceze, këngën spanjolle.”

Kur Vaçja dhe Krajka “lajthitën” Pallatin e Sportit, me këngën e “cigares”

Shpesh ndodh që pasi kënga u është kthyer në profesion, harrojnë të këndojnë për qejf nëpër shtëpi, në rrethe shoqërore, nëpër darka familjare. Ndërsa për Vaçen, kënga nuk ishte vetëm profesion, por mënyrë të jetuari. Ajo nuk hoqi dorë kurrë nga të kënduarit për qejf. Vaçja kishte kërkesë për cilësinë, por edhe për larminë e repertorit. Nuk mund të duronte të kalonte një vit, sa të vinte sërish festivali. Ja se si tregon Agim Krajka, kompozitori që i dhuroi Vaçes, këngët e dashurisë në repertorin e saj. “Vaçja donte aktivitet, këngë të reja. Më thotë njëherë: “Hajde Gim bëjmë këngë, këndojmë”. Kështu bëra dhe nja dy këngë, që ishin shumë të bukura për tu kërcyer, por nuk na e mbante ti këndonim në skenë. I këndonim në rrethet tona shoqërore si “Unaza”, “Cigarja”, etj. Mirëpo, me njërën nga këto, guxuam të bënim një “kokëkrisje”. Na çuan një natë nga Komiteti Ekzekutiv, në Pallatin e Sportit, sepse duhet të përshëndesnim në pushim, takimin e volejbollit mes Dinamos dhe Partizanit. Kënduam nja dy këngë. Vaçja më thotë: “Gim e bëjmë atë këngën e re njëherë?” Dhe kështu e provuam para publikut. Vaçja e këndoi, salla u çua në këmbë, ulërimat nuk po na lëshonin. Ne nuk dinim nga të iknim, nuk i thamë “Natën e mirë” asnjërit se kishim hall mos na thoshin: “Çishte kjo këngë e pamiratuar, jashtë programit?” Mirëpo shyqyr Zotit, ashtu shpejt sip u këndua, edhe u harrua. Vonë-vonë më thotë dikush: “Çe kishit atë këngë ju?” U thashë: “Na u kujtua, nuk po dinim çfarë të luanim dhe e luajtëm”.

Luan Zhegu tregon se si u njoh me këngëtaren të cilën e kishte idhull që 11 vjeç

“Me këngën e Marinelës, Vaçja mahniti grekët”

Kujtimet në Estradën e Tiranës, në festivalet e këngës në RTSH, nëpër turnetë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, janë për Luan Zhegun, pjesë e albumit të paçmuar me ikonën e këngës shqipe. Edhe pse ata të dy kishin 10 vjet diferencë, Vaçja i shkrinte të tëra diferencat. Mjeshtri i Madh i Skënës, Luan Zhegu kujton se si u bë adhuruesi i saj që nga festival i parë i këngës në Radio, kur binte të flinte me zërin e saj në kokë, tek njohja kur ishte baterist dhe më pas, në bashkëpunimin si kompozitor-këngëtare. E cili kompozitor nuk do të ndihej me fat të dëgjonte këngën e tij në zërin e saj? Luani e provoi këtë lloj lumturie. Në intervistën e tij, në ditën e 71-vjetorit të Lindjes së Vaçes, ai jep këtë intervistë, duke e nisur dhe mbyllur me fjalët: " Kam shumë qejf që ta takoj, të na vijë këtu. Do të jetë një ditë e mrekullueshme”.

-Çfarë përbën për ju, nxjerrja e një albumi të përzgjedhur më këngë të Vaçe Zelës?
Kënaqësia është e pafundme për një artist e jo më për një ikonë të muzikës shqiptare siç është Vaçe Zela. Ministria e Kulturës duhet përgëzuar për këtë album, por më mirë vonë, sesa kurrë. CD-të e kësaj përmbledhjeje do të nxjerrin në pah vlerat ekzakte, që edhe brezi i ri të dëgjojë se kush ka qenë Vaçe Zela. Sepse e njeh vetëm si emër, por nuk e njeh zërin e saj.
-Na tregoni se si e keni njohur Vaçen?
Kjo zë fill nga fëmijëria ime. Unë kam 10 vjet diferencë me Vaçen, i përkas brezit 60-vjeçar, Vaçja brezit 70-vjeçar, Irma brezit 50-vjeçar e me radhë. Më përpara se Vaçja, kanë qenë Anita Take, Pavlina Nika, Pjetër Gergji. Ishte viti 1961-Festivali i Parë i Këngës në Radio. Vaçja këndonte këngën “Fëmija i Parë”. Unë e kam akoma si sot në vesh zërin e saj. Atëherë kam pasur një radio të madhe “Pionier”, që kishte dëgjim të mirë. Altoparlantët i kishte të mëdhenj. Të them të drejtën, në atë moment kur e dëgjova zërin e Vaçes, isha kaq i dhënë pas saj, saqë e mësova këngën dhe e riprodhova krejt si melodi. Gjithë natën rrija me zërin e saj në mendje, aq shumë më pëlqeu. Nuk diskutohet që, nga ai moment ajo u bë idhulli im, ishte shkolla ime dhe për diksionin e saj, se si e përdorte. Kur them shkollë, Vaçja na mësoi se si këndohet muzika e lehtë, edhe pse kishte pasur edhe këngëtarë të tjerë më përpara. Por Vaçja e trajtonte në mënyrë të përkryer këngën, i rrumbullakoste notat, intonacionin, ritmikën e kapte në mënyrë perfekte. Diksionin vokal e kishte të parametrave botërorë. Ne nuk kishim lidhje absolutisht me botën, ajo kishte një intuitë dhe një dhunti të madhe. Kënga prej Vaçes mu kthye në dashuri të madhe dhe që në moshën 12-vjeçare nisa të këndoj në Pallatin e Kulturës.
-Kur e mbani mend takimin e parë me Vaçen?
E mbaj mend në vitin 1972 në Estradën e Tiranës. Vaçja ishte këngëtare, kurse unë u emërova baterist i Teatrit të Estradës. Kështu që unë shoqëroja Vaçen. Aty në estradë unë isha vetëm baterist, edhe pse jashtë këtij mjedisi, këndoja.
-Pra, ju e njohët Vaçen në Estradën e Tiranës. Sa kohë punoi Vaçja aty?
Vaçja vinte nga Estrada e Ushtarit, por nuk qëndroi shumë as në Estradën e Tiranës. Ajo shkoi në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Me Vaçen kemi qenë më pas të lidhur nga festivali. Unë pata fatin që në vitin 75 me Vaçen të kisha një këngë. Ishte koha kur këngët këndoheshin nga dy këngëtarë në dy variante. Kënga mori çmim të dytë
-Çmimi u takonte të dy interpretuesve?
Po, të dyve, bashkë me kompozitorin dhe autorin e tekstit.
Më pas kam qenë në dy rrugë jashtë shtetit me Vaçen. Kemi qenë në Greqi në vitin 77 dhe në shfaqjen që dhamë në Athinë, në radhën e parë ishte Marinela me grupin e saj, (ne i kthyem vizitën që na kishte bërë në Shqipëri), ishin edhe personalitete të shtetit grek. Vaçja pati një sukses të paparë në publikun grek, sidomos kur këndoi një këngë të Marinelës. Pastaj kemi qenë në Kosovë bashkë. Vaçja rrinte me shumë emocione para shfaqjes, kurse unë që kisha qenë edhe dy herë të tjera, i them: “Kosovarët të presin si në asnjë vend të botës”. Vaçja ishte jashtëzakonisht sensibël. Komunikimin me sallën e kishte brilant. Vaçja komunikonte bukur, atë që themi sot performanca, Vaçja e kishte të natyrshme. Edhe lëvizjen e dorës nuk e bënte kot.
-Por ju pse keni qenë shumë statik në skenë? Ka qenë natyra juaj?
Jo, por sepse ashtu ishte koha. Kishin ndodhur shumë gjëra, ishin futur njerëz në burg dhe thashë më mirë “nuk po luaj”. Natyra ime nuk ishte statike, sepse unë jam baterist dhe o lëviz bateristi, o nuk lëviz asnjë. Por pastaj, kjo më hyri në natyrë, kishte shumë faktorë që ndikuan.
-A ishte tip emocional Vaçja? A kishte gjithnjë emocione të forta para shfaqjes, edhe pasi kishte dalë dhjëtëra e qindra herë para publikut?
Shumë, por çdo artist provon emocione para se të dalë përballë publikut. Nëse nuk i ka këto emocione për mua nuk është më artist, duhet ta lërë artin. Por ajo kishte më shumë sesa ne të tjerët emocione, edhe më shumë sesa unë. Kishte një emocion të paparë, ulej para se të dilte në skenë, tek kuintat. Por kur dilte para publikut, gjithë ai emocion, asaj i kthehej në vlerë.
-Mos ka qenë edhe pak qaramane, pasi njerëzit e ndjeshëm, edhe preken? Ju mbani mend raste kur Vaçja të jetë mërzitur për diçka?
Por edhe prekej. Ka pasur situata të tilla, kur e kam parë të mërzitur, të prekur. Me atë jetë që kishim, kishte arsye që Vaçja të prekej. Ajo ishte e lënduar, sepse një një zë i tillë, i mrekullueshëm, nuk kishte mundësi të përfaqësonte Shqërinë në festival europian. Ajo vërtet dilte jashtë shtetit, por donte të përfaqësohej ashtu siç donte ajo, jo vetëm me këngë popullore në Ansamblin e Këngëve Popullore. Unë gjithashtu dilja jashtë shtetit me këngë popullore. Ne e kishim peng që nuk mund të përfaqësoheshim jashtë me këngen moderne shqiptare.
-Si shoqe, kolege, si i trajtonte këngëtarët e tjerë?
Vaçen e kisha si me qenë shok, nuk shfaqte dallim moshe. Vaçja komportohej me çfarëdolloj moshe dhe me çfarëdolloj mjedisi. Kishte një cilësi që më bënte ta admiroja: Nuk e pranonte përçmimin. Nëse nuhaste qoftë edhe nga larg, se në një mjedis të caktuar mund ta përçmonin, ajo shpërthente dhe e injoronte shpërfilljen. Ajo mbronte figurën e saj dhe të artistit.
-Nga natyra njihej si njeri i thjeshtë, por nga ana tjetër, flitet edhe për një lloj moderniteti në sjelljen e Vaçes. A mund të quhej Vaçja një vajzë moderne për kohën?
Shumë moderne, shumë e emancipuar, por Vaçja ishte njëherësh edhe familjare shumë e mirë. Sidomos vajzën e saj Irmën, e kishte pikë të dobët dhe nuk linte tavolinë pa e përmendur.
-Vaçja ishte një talent më shumë i lindur, apo edhe e kultivuar? A punonte shumë?
Vaçja ishte e lindur talent, por një talent i lindur, nëse nuk punon, vdes shumë shpejt. Vaçja punonte jashtë mase. Kishte edhe një dhunti të lindur në përzgjedhjen që u bënte këngëve. Kur një kompozitor i propozonte një këngë, Vaçja kishte një gjë. Nuk i bënte kurrë qejfin kot. Nëse kënga nuk i pëlqente, nuk e pranonte dhe thoshte: më fal, por kjo nuk është për mua. Unë do të këndoj diçka që më shkon mua”.
-Këngën e cilit vend këndonte më mirë Vaçja? Cila i shkonte si temperament?
Vaçja çdo këngë e këndonte bukur. Çfarë ti jepje, e këndonte.

Zhegu: Kur Vaçja më bëri mua të qaj...

“Më kujtohet që në vitin 1978, i kam bërë një këngë dhe i shkoj në shtëpi. I them me një emocion të madh: Vaçe, unë kam bërë një këngë për ty”. “Hajde ta dëgjojmë më tha”. Vaçja kishte një pianino (piano në vogël) në shtëpi dhe aty nisëm ta provonim. Kënga titullohej “Nusja e lirisë” me tekst të Sulejman Matos dhe i dedikohej heroinës Margarita Tutulani. “Ç mu kujtove sonte, nuse e lirisë, me fustan të grisur si dritë lirie”. Vaçja e mori me qejf këngën me të cilën ne u përfaqësuam në “Dekadat e Majit” të vitit 1975. Vaçja ishte veshur atë natë në Teatrin e Operas dhe të Baletit, ashtu si Margarita. Ajo kishte pyetur familjarët për veshjen e heroinës. Margarita vishej me një fund të zi dhe një këmishë të kuqe, si flamuri. Jo se ishte kënga ime, por unë nisa të lotoj, kur gjithë salla u ngrit në këmbë me duartrokitje që nuk pushonin. “Ne teskt ishte “Qëlloni pra, çprisni ju të mallkuar” dhe këtë pjesë unë e kisha lënë recitativ. Kur Vaçja i reciton këto vargje, salla nuk u përmbajt më. Mua më dridheshin këmbët, lotët nuk i mbajta dot dhe ika përpara, nuk pashë më kur dola pas kuintave. Vjen Vaçja dhe më kap për qafe. Unë nuk flisja dot”.

I tingëllonin të gjitha notat

Kompozitori e kishte pak më lehtë të krijonte për Vaçen sepse nuk kufizohej. Vaçja kishte një shtrirje vokale jashtëzakonisht të mirë. Veç kësaj, i tingëllonin edhe notat poshtë, edhe notat e qendrës edhe notat e sipërme, i kishte të plota. Vaçja i këndonte të gjitha këto nota me zë gjoksi, edhe mund të impostonte po të donte, por nuk e kishte të nevojshme.

Ky lajm është publikuar: 08/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›