“Gjermania, mbështetësi më i fuqishëm i integrimit të Shqipërisë në BE”

Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti takon homologun gjerman, Guido Vestervelle. Së shpejti vizitë në Shqipëri
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti ka marrë mbështetjen e Berlinit, për kursin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Ministri Panariti i kërkoi ministrit Vestervelle mbështetjen e Gjermanisë për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Ai theksoi se Shqipëria dhe vendet e rajonit kanë nevojë për një perspektivë të qartë evropiane pasi në të kundërt në këto vende do të gjenin terren tendencat ekstremiste dhe nacionaliste, që do të rrezikonin marrëdhëniet miqësore mes vendeve.
Nga ana e tij, ministri Vestervelle vlerësoi progresin e arritur deri tani në Shqipëri dhe klimën politike që u krijua për miratimin e reformave dhe ligjeve të nevojshme për plotësimin e rekomandimeve të komisionit evropian. Ai nënvizoi domosdoshmërinë e miratimit të ligjeve të mbetura dhe marrjen e hapave konkrete për zbatimin e kësaj pakete rekomandimesh, e cila nuk duhet bërë pjesë e interesave të ngushta politike.
Ministri Vestervelle konfirmoi se vendi i tij është mbështetësi më i fuqishëm i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ministri gjerman theksoi se Evropa nuk mund të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor. Gjatë takimit, ministri Vestervelle vlerësoi gjithashtu, politikën konstruktive rajonale të Shqipërisë e cila ka kontribuar dukshëm në stabilitetin e rajonit.
Duke e uruar Ministrin Panariti për 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, ministri Vestervelle konfirmoi se do të zhvillojë së afërmi një vizitë zyrtare në Shqipëri për të diskutuar në lidhje me zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe çështjet e integrimit evropian të Shqipërisë.