E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama: “SHBA-të, të përkushtuara për integrimin e Shqipërisë”

24-11-2012 / Gazeta 55

Presidenti Barack Obama dërgon mesazh urimi për Presidenti Bujar Nishani, ku uron të gjithë shqiptarët për 100 vjetorin e Pavarësisë. “Aleanca me Shqipërinë është e fortë dhe e qëndrueshme” thotë presidenti amerikan, i cili ripërsërit mesazhet e sekretares Klinton në Tiranë, duke kujtuar se “fjalimi historik i Sekretares së Shtetit Klinton në Parlamentin shqiptar shënoi një tjetër gur të rëndësishëm kilometrik në marrëdhënien tonë”


Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka marrë mesazh urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë, në emër të popullit amerikan i rikonfirmon Shqipërisë miqësinë dhe përkushtimin e fuqishëm, me synim thellimin e marrëdhënieve gjatë viteve të ardhshme. “I dashur zoti President, Shtetet e Bashkuara i bashkohen popullit të Shqipërisë në kremtimin e 100-Vjetorit të Pavarësisë më 28 nëntor. Në këtë ngjarje të rëndësishme, ne i rikonfirmojmë Shqipërisë miqësinë dhe përkushtimin tonë të fuqishëm dhe presim me kënaqësi që ta thellojmë edhe më tej marrëdhënien tonë në vitet e ardhshme”, thuhet në urimin e Presidentit Obama. Duke vlerësuar aleancën midis dy vendeve, dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj misionit të NATO-s në Afganistan, Presidenti Obama shpreh përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar Shqipërinë në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe në ndërmarrjen e reformave të nevojshme për të arritur integrimin e saj të plotë në bashkësinë euro-atlantike. “Aleanca jonë me Shqipërinë është e fortë dhe e qëndrueshme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të përkushtuara për të ndihmuar Shqipërinë në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe në ndërmarrjen e reformave të nevojshme për të arritur integrimin e saj të plotë në bashkësinë euroatlantike. Vlerësojmë thellësisht mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj misionit të NATO-s në Afganistan ku ushtarakët shqiptarë shërbejnë me trimëri krah për krah me aleatët dhe partnerët e ISAF-it. Ne jemi mirënjohës gjithashtu për mbështetjen që i jep Shqipëria qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor duke ditur që përparimi i vazhdueshëm rajonal është kyç në përmbushjen e qëllimit tonë të përbashkët për një Evropë të lirë, në paqe dhe të bashkuar”, vijon urimin i Presidentit të SHBA-ve. Ndërsa, duke venë theksin në lidhjet e ngushta historike që kanë karakterizuar dy vendet, Presidenti Obama thotë se, “fjalimi historik i Sekretares së Shtetit Klinton në Parlamentin shqiptar shënoi një tjetër gur të rëndësishëm kilometrik në marrëdhënien tonë. Dy vendet tona ndajnë një lidhje të ngushtë që nisi me mbërritjen e emigrantëve të parë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara. Kjo lidhje u fuqizua edhe më tepër me ndërhyrjen vendimtare të Presidentit Willson në Konferencën e Paqes në Paris më 1919 dhe ka vazhduar të lulëzojë përgjatë dy dekadave të fundit pas vendosjes së demokracisë në Republikën e Shqipërisë. Fjalimi historik i Sekretares së Shtetit Klinton në Parlamentin shqiptar shënoi një tjetër gur të rëndësishëm kilometrik në marrëdhënien tonë. Në këtë ditë festimi, populli amerikan bashkohet me ju, duke ju uruar më të mirën në përpjekjet tuaja të ardhshme për ndërtimin e një Shqipërie demokratike dhe të begatë!”, i shkruan Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, homologut shqiptar, Bujar Nishani.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›