Berisha: Hetim ndërkombëtar, dhe komision parlamentar për Ina Ramën
Kryeministri, Sali Berisha, tha dje se do kërkojë hetim ndërkombëtar për çështjen ‘Fazlliç’. Ai shtoi se krahas këtij hetimi do ketë dhe një komision parlamentar për këtë çështje duke risjellë në skenë precedentin ‘Sollaku’.
“Jam sot para jush për të informuar qytetarët shqiptarë se qeveria vendosi të kërkojë hetim ndërkombëtar për problemet e dala ditët e fundit. Ky vendim nuk merret, në mënyrë absolute, për morinë e shpifjeve dhe trillimeve të pafundme ndaj cilitdo person. Ky vendim merret për dy arsye:
E para, në rast se faktohet se qeveria shqiptare i ka dhënë qoftë edhe 1 qindarkë të vetme nga fondet publike biznesmenit Damir Fazlliç, kuptohet se kjo qeveri i ka dhënë atij miliarda. Kjo është e detyrueshme për t’u sqaruar”, - tha Berisha.
Kryeministri tha se, “qeveria do të procedojë me dekret për këtë vendim, pasi ky është një problem i ngutshëm. Ajo do të bëjë dekretin për të kërkuar hetim ndërkombëtar.”
“Sikundër, parlamenti do të krijojë një komision hetimor parlamentar. Kjo, jo për dosjen përkatëse, sepse ligjet e vendit nuk lejojnë as ndërhyrjen më minimale në një çështje që është në hetim, por parlamenti do të ndalet në marrëdhëniet e krijuara midis Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Institucionet tona janë institucione ligjore dhe veprojnë mbi bazën e ligjeve, ndaj çdo gjë duhet të bëhet transparente para shqiptarëve. Dje u informova se këtë gjë e kishte kërkuar edhe zoti Rama, kryetari i Partisë Socialiste. Nëse është e vërtetë, më vjen shumë mirë.”
Vetë zoti Rama, në një konferencë për shtyp të mëvonshme, e quajti trillim të zotit Berisha një gjë të tillë dhe u shpreh se nuk do marrin pjesë në një komision parlamentar hetimor.
Kryeministri sulmoi vetë prokurorët, pasi, sipas tij, kanë kërkuar me telefon ndalimin e Damir Fazlliç. “Por, pavarësinë e prokurorisë e shkelmojnë më shumë se çdo gjë tjetër, ata që urdhërojnë me telefon ndalimin e shtetasve të huaj apo vendas, jashtë flagrance”, - tha Berisha.
Berisha, i acaruar pas bllokimit të aseteve të Fazlliç
Kryeministri u shpreh shumë i irrituar dje në lidhje me vendimin e ngrirjes së pasurisë së Fazlliç nga ana e prokurorisë. Por Berisha nuk dha asnjë shpjegim se pse vajza dhe mbesa e tij janë të pleksura në këto biznese. Berisha tha se Fazlliç ka blerë prona private në këtë zonë, edhe pse askush nuk ka hedhur asnjë fjalë në këtë drejtim. “Damir Fazlliç ka zhvilluar veprimtari private në këtë vend dhe në këto veprimtari private, nëse ka marrë një metër tokë nga sektori publik, është e njëjta gjë që thashë për paratë publike. Një nga krimet e tij është se ka blerë tokë në Porto Romano, krejtësisht mbi baza private. Le ta bëjmë transparent problemin. Unë trashëgova një kontratë koncesioni nga paraardhësi im Fatos Nano, që i kishte dhënë një grupi të drejtën për të ndërtuar park energjitik, pompim etj. Unë iu qëndroj kontratave, kam anuluar vetëm një kontratë që kurrsesi nuk mund ta pranoja, sepse ishte me shumë pabarazi, pavarësisht se të pëlqejnë apo s`të pëlqejnë, shteti është shtet”, - tha Berisha.
Kryeministri: Hetim ndërkombëtar për çdo skandal ku del emri i tij
Berisha pranoi dje se për të gjitha çështjet ku përmendet emri i tij, ka kërkuar hetim ndërkombëtar. “Kjo nuk është hera e parë që unë e kërkoj këtë gjë, por në takime me zyrtarë të lartë të vendeve mike, kam kërkuar mbështetjen e plotë të tyre për hetimin e ngjarjes së Gërdecit. Formulimi im për këtë kërkesë ka qenë se ndihma më e madhe që mund t’i jepni qeverisë sime është që ju të kontribuoni në hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes së Gërdecit. U jam shumë mirënjohës këtyre vendeve, sepse jam i bindur që e kanë dhënë dhe po e japin këtë ndihmë. Të njëjtën gjë kam bërë edhe në rastin e aksidentit të z. Kosta Trebicka, sepse z. Trebicka pati meritën e padiskutueshme të denoncimit të aferës së Diverolit dhe për rrjedhojë, ishte e domosdoshme që vdekja e tij të zbardhej në tërësinë e vet”, - u shpreh kryeministri.
Rasti flagrant: Berisha detyron gazetaren të tregojë burimin e informacionit
Edhe pse ishte në konferencë për të theksuar se është në favor të pavarësisë së pushteteve, kryeministri solli vetë një rast flagrant se si ai e shkel atë pavarësi. Duke iu referuar hetimit për çështjen ‘Trebicka’, Berisha tha se kishte detyruar një gazetare, përmes drejtorit të saj, që t’i tregonte burimin e një lajmi. Sigurisht që bëhet fjalë për televizionin “Klan”. “Dua të informoj shqiptarët se krahas angazhimit të madh për të zbardhur të vërtetën mbi çështjen ‘Trebicka’ dhe jashtë çdo tendence politike, në Prokurorinë e Përgjithshme u bënë përpjekje të mëdha për të deformuar të vërtetën. Gazetares së një televizioni kombëtar iu kërkua nga një prej prokurorëve kryesorë të çështjes që të informonte shqiptarët se nuk do të jetë ekspertiza e ekspertit amerikan që do të përcaktojë vendimin, pasi për këtë gjë ishte marrë një ekspert i pavarur. Do t‘i lutem këtij televizioni kombëtar të ketë njerëzinë ta ritransmetojë këtë kronikë për ta dëgjuar të gjithë shqiptarët. Një ndër shikuesit e këtij televizioni isha edhe unë, që pas transmetimit të saj, komunikoj me drejtuesin e TV dhe i them se si ka mundësi kjo gjë. Vendi ka thirrur një ekspert ndërkombëtar për këtë çështje. Pas kësaj, drejtori i këtij televizioni i kërkoi sqarime gazetares dhe ajo i tha emrin e prokurorit që i kishte kërkuar formulimin e këtij lajmi. Unë nuk e kam bërë publike këtë gjë, por natyrisht kam mbajtur shënime”, - tha Berisha.
Dy standarde vlerësimi, mediat që i bëjnë fresk, thonë të vërtetën, kush e sulmon, është shantazhaxhi
Për të sulmuar prokurorinë kryeministri ka përdorur gjatë një kronikë të një gazetareje të një televizioni pranë qeverisë. Por, sapo është pyetur në lidhje me tokën në Porto Romano, dhe skandalet e shumta të zbuluara nga mediat e pavarura, ai i ka sulmuar ashpër ato.
“Le t’i përdorim mediat e tyre në mënyrat më të lira që të duan, por një gjë do t’ua bëj të ditur, biznese s’do të mund të pengojnë dot, gjoba s’do mund të presin. Ky është i gjithë morali. Në qoftë se ai ka marrë qoftë dhe një metër katror tokë publike, atëherë i kemi dhënë 10 mijë ha”, - tha Berisha.
Berisha, sulm prokurorëve nominalisht
Kryeministri qartazi ka vazhduar sulmin duke përmendur dhe nominalisht prokurorë të veçantë, çka e bën dhe më të rrezikshme situatën. Kjo për shkak se ata janë edhe zyrtarë që po hetojnë dhe aferën e Gërdecit.
Berisha tha për njërin prej tyre se ai është djali i tezes së kryeprokurores. “Ka dy gjëra që nuk kanë ndodhur ndonjëherë në këtë vend që nga ditët më të zeza të diktaturës. Njëra prej tyre është se një prokuror kryesor në Prokurorinë e Përgjithshme, zv/prokuror në Prokurorinë e Tiranës që për rastësi, siç thonë, është tezak i Prokurores së Përgjithshme, më datën 8 tetor urdhëroi dy oficerë të lartë policie të ndalojnë dhe shoqërojnë shtetasin e huaj, biznesmenin Damir Fazlliç.
Sipas deklaratave me shkrim të të dy oficerëve të policisë, drejtorit të Policisë së Kufirit për Tiranën dhe komisarit për Tiranën, prokurorët Zamir Shtylla nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Eni Mazreku nga Prokuroria e Tiranës iu kërkojnë këtyre dy oficerëve me telefon, pa shkresë, të shoqërojnë shtetasin Damir Fazlliç në prokurori. Unë dua t`ju them se policia natyrisht një urdhër të tillë nuk ka marrë përsipër ta zbatojë. Policia nuk mund të zbatojë urdhra telefonikë, të cilët ligji ia njeh prokurorit jo me policinë, ia njeh gjykatësit jo me policinë, por ia njeh direkt me të interesuarin në të gjitha rastet, përveçse kur është nën hetim ose i pandehur”, - tha Berisha.