Idiotët e dobishëm të Putinit
A e keni pyetur veten se pse Rusia e mban Evropën me një fuçi? Pyetini ambientalistët gjermanë. Thuhet që Vladimir Lenini dikur i kishte quajtur simpatizuesit e Bashkimit Sovjetik në shtetet perëndimore si “idiotë të dobishëm”, të cilët pa dashje çojnë përpara çështjen e Rusisë revolucionare. Po të ishte sot i gjallë udhëheqësi bolshevik, ai do të mund t'ua aplikonte të njëjtën etiketë ambientalistëve gjermanë, ngaqë ndikimi i tyre mbi politikën energjitike të shtetit të vet ka qenë një faktor i paqëllimtë, por thelbësor në ngritjen e Moskës pas Luftës së Ftohtë. Dy dekada të rregulloreve të rrepta mjedisore e kanë bërë Gjermaninë ekonominë më të madhe të Evropës, shumë e më shumë të varur nga gazi natyral i Rusisë, eksportuesit më të madh në botë. Natyrisht, dobia ekonomike përkthehet në fuqi politike dhe ndikimi i Rusisë mbi politikën e jashtme të Gjermanisë ka qenë i dukshëm, gjersa ngatërresa në Gjeorgji vazhdonte të bënte të veten. Në fakt, Gjermania ka mënyra për të fuqizuar ekonominë e saj pa gazin natyral rus, andaj varshmëria energjitike është e panevojshme. Fillimisht, është vendi i rezervave më të mëdha të qymyrit në Evropë. Por, duke iu falënderuar politikës mbrojtëse të Bashkimit Evropian për zvogëlim të ndryshimit klimatik, skema për tregti të emetimeve e tërë kontinentit, ekonomitë e prodhimit të energjisë janë zhvendosur kundër qymyrit, ngase djegia e tij lëshon më shumë gazra serrë sesa cilido burim tjetër konvencional i energjisë. Duke pasur parasysh që tash për tash qymyri është tabu, Gjermania do t'i përmbushte nevojat e saj energjitike duke zgjeruar përdorimin e energjisë nukleare, e cila nuk lëshon aspak dyoksid të karbonit, kur përdoret për të mbledhur elektricitet. Megjithatë, lëvizja ambientaliste në Gjermani kundërshton energjinë nukleare, sepse mënjanimi i mbeturinave të saj është i vështirë dhe i rrezikshëm. Në vitin 2000, ambientalistët fituan miratimin e Ligjit për Zhdukjen e Nukleareve, i cili detyron shërbimet e Gjermanisë që të dalin nga përdorimi i fuqisë nukleare gjerë në vitin 2020. Në vend të qymyrit apo nukleares, lëvizja ambientaliste preferon burimet e ripërtërishme të energjisë si era dhe burimet diellore, dhe ka bindur qeverinë gjermane që t'i japë stimuj bujarë industrisë së energjisë së ripërtërishme. Por, pavarësisht nga këto investime, burimet e ripërtërishme ende kushtojnë shumë në mënyrë që të zëvendësojnë burimet konvencionale të energjisë dhe kjo është arsyeja pse energjia me erë ose me diell përbën më pak se 2 për qind të prodhimtarisë primare të energjisë në Gjermani, sipas vlerësimeve nga qeveria. Mbetet vetëm gazi natyror, i cili është më i pastër sesa qymyri dhe më i lirë se energjia alternative. Gjermania ka fat, sepse ka depozita të mëdha të gazit, më shumë se 255 miliardë metra kub, shumica e së cilës mendohet se gjendet nën shtetin veriperëndimor të Niendersachen. Rregulloret ambientaliste, sidoqoftë, kanë eksplorim dhe zhvillim të kufizuar në rajon. Për të përmbushur kërkesat e saj për energji, Gjermania iu kthye “Gazprom”-it, një kompani shtetërore, e cila ka monopol legal mbi eksportet e gazit natyral nga Rusia. Gazi natyral tani përbën afro një të katërtën e tërë energjisë që konsumohet në Gjermani, përfshirë rrymën nëpër shtëpi, gazolinën në automjete dhe qymyr për ngrohësit industrialë të ujit. Kjo është rritje prej 40 për qind që nga viti 1991. Dhe, “Gazprom” tani furnizon 40 për qind të tërë konsumit të gazit natyror në Gjermani, një rritje prej 55 për qind gjatë periudhës së njëjtë. Aktualisht, afro 40 për qind e konsumit shtëpiak të gazit natyral në Gjermani vjen nga Rusia. Ky numër sigurisht do të rritet me ndërtimin e Gazsjellësit Verior, një projekt që do të kompletohet në vitin 2010, i cili do të lidhë gazin rus direkt me tregjet e Evropës Qendrore. Nuk është çudi atëherë, që kancelarja gjermane, Angela Merkel, ishte udhëheqësja e parë e rëndësishme botërore, e cila vizitoi presidentin e ri rus, Dmitry Medvedev. Apo që gjatë samitit të pranverës së kaluar të NATO-s në Rumani, diplomatët gjermanë orkestruan kundërshtimin ndaj planit të presidentit të SHBA, George W. Bushit, që zgjerimi i aleancës ushtarake trans-atlantike të përfshijë Gjeorgjinë dhe Ukrainën. Para samitit, zyrtarët rusë kishin paralajmëruar se zgjerimi i NATO-s do të shkaktonte një “krizë të thellë”, dhe do të provokonte një “reagim” nga Rusia. Pastaj, javën e kaluar në Shën Peterburg, Merkel u bë udhëheqësja e parë perëndimore që ktheu lidhjet e afërta të dyanshme me Rusinë pas konfliktit të gushtit me Gjeorgjinë. Jo rastësisht, udhëtimi i Merkelit në Rusi ndodhi në të njëjtën kohë kur u nënshkrua një marrëveshje e madhe për gaz, në mes “Gazprom”-it dhe E. On, gjigantit gjerman të gazit. Merkel ka qenë e hapur, gjersa Kremlini ka demonstruar një gatishmëri të dukshme që të përdorë burimet energjitike të Rusisë si topuz në mosmarrëveshjet ndërshtetërore. Gjersa po afrohej dimri para një viti, “Gazprom” kërcënoi se do të këpuste furnizimin e Ukrainës me gaz, pasi kandidati pro-rus atje i humbi zgjedhjet kryesore. Koha e paralajmërimit gjerësisht është interpretuar si një kërcënim, i fshehur pas një veli të hollë. E ashtu ishte edhe vendimi nga Transneft, kompania gazsjellëse shtetërore, e cila ka monopol mbi eksportet e naftës nga Rusia, që menjëherë të ndërpresë furnizimet e Republikës Çeke korrikun e kaluar, pasi Çekia nënshkroi një marrëveshje me SHBA që të vendosë teknologji të radarëve, si pjesë e një mburoje globale kundër predhave, një politikë e cila kundërshtohet fuqishëm nga Moska. Por, veprat flasin më shumë se fjalët, dhe Medvedev edhe mësuesi i tij, kryeministri Vladimir Putin pa dyshim më shumë po i kushtojnë vëmendje asaj se çfarë po bën udhëheqësja e Gjermanisë sesa çfarë po thotë. Kundërshtimi ndaj Gazsjellësit Verior kohëve të fundit është rritur dhe ka filluar një debat rreth së ardhmes së qymyrit në Gjermani. Sa për të ardhmen e parashikueshme, sidoqoftë, politika e jashtme e Gjermanisë do të jetë borxhlie e varshmërisë energjitike të saj nga Rusia. Dhe për këtë duhet të falënderojmë lëvizjen ambientaliste.
Wiliam Yetaman është analist i politikave energjitike në institutin “Competititve Enterprise”, Uashington