E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Jemi të shqetësuar, prokuroria po kërcënohet

Nga Armand Maho, Luljeta Progni

Sulmi i kryeministrit, Sali Berisha, ndaj Prokurorisë së Përgjithshme ka sjellë dhe reagimin e ambasadës amerikane në Tiranë.

Zëdhënësi i kësaj ambasade, Biks Aliu, komentoi dhe ndërhyrjet e Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Brendshme në pavarësinë e prokurorisë. Në një deklaratë të tyre theksohet se situata është shqetësuese dhe se të gjitha çështjet duhet të hetohen në mënyrë të pavarur, pa asnjë kërcënim nga ekzekutivi. “Ne jemi shumë të shqetësuar nga veprimet e fundit të ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Brendshëm për të ndërhyrë në pavarësinë e prokurorisë gjatë një hetimi në vazhdim. Të gjitha çështjet duhet të hetohen në mënyrë të plotë, tërësore dhe të pavarur, pa kurrfarë ndërhyrjeje apo kërcënimesh nga jashtë ndaj prokurorëve. Respektimi i të gjitha institucioneve të pavarura është me rëndësi thelbësore për një demokraci të shëndetshme”, - thekson zëdhënësi Aliu.

Prokuroria: Bllokuam pasuritë e Fazlliç deri në verifikimin e tyre

Lidhur me deklarimet e djeshme të kryeministrit, Sali Berisha, burime nga prokuroria i thanë “Zërit të Amerikës” se nuk ka asnjë masë për sekuestrime, por vetëm bllokim të pasurive të biznesmenit Fazlliç deri në verifikimin e tyre, si dhe është kërkuar vetëm verifikim i pasurive të kunatit të ministrit të Jashtëm, Basha, por në asnjë rast sekuestrim.

Pak orë më parë, kryeministri kishte deklaruar se është tentuar në disa mënyra të bëhet bllokimi i aseteve të këtyre kompanive, por vetë ai i ka penguar. Berisha e quajti Ramën shërbëtore të mafies. “Të ngrish asetet në llogari për hesap të hanxharëve të vjetër të mafies, kjo nuk duhet të lejohet. Të atakosh firmat që kanë bërë biznese në të gjitha qeveritë me dinjitetin më të madh dhe që nuk kanë asnjë lloj penaliteti, kjo do të thotë se ke shkelmuar mbi një parim shumë themelor të vendi dhe të biznesit tënd. Kjo kërkon një zbardhje të plotë. Presionet janë evidente, por detyrimi i kryeministrit, detyrimi i prokurorit, detyrimi i gjykatësit, është t’iu qëndrojë presioneve dhe të mos tundohet. Është bërë një presion i jashtëzakonshëm për të bllokuar në mënyra të tjera një nga kompanitë, së cilës i janë ngrirë asetet sot. Po kanë hasur në një mur dhe ky mur ka qenë Sali Berisha”, - tha Berisha.

Rama: Hetimin ndërkombëtar nuk e vendos Berisha dhe as klani i tij

Kryetari i PS, Edi Rama, tha dje se hetimi ndërkombëtar që kërkon Sali Berisha është një manovër për të penguar hetimin kushtetues. Kryetari i PS doli dje në konferencë për të folur në lidhje me arsimin e lartë, por u pyet nga gazetarët për sulmin e Berishës ndaj prokurorisë. “Hetimin ndërkombëtar nuk mund ta vendosë as Sali Berisha, as klani i tij, që është i përfshirë drejtpërdrejt në këtë hetim, jo si subjekt, por si objekt i hetimit, e as forcat qeveritare, të cilat bëjnë mirë t’i mbajnë duart larg nga prokuroria, bëjnë mirë të shikojnë se po shkojnë shumë larg në përpjekjen për t’i qëndruar solidarë kryeministrit të tyre, i cili le të marrë kurajën e të shkojë në prokurori e ta ndihmojë prokurorinë. Mund ta ndihmojë me ato që di, shumë me tepër sesa mund ta ndihmonin prokurorë hipotetikë ndërkombëtarë”, - tha Rama.

Kryetari i PS kërkoi që prokuroria të mos zmbrapset ndaj kësaj situate. “Unë ndaj me ju bindjen se presionet sa vijnë e shtohen ndaj prokurorisë. Ajo çka më takon si kryetar i opozitës, është të vazhdoj t’i jap prokurorisë në emër të opozitës mbështetje, por nga ana tjetër edhe të kërkoj në emër të qytetareve e qytetarëve që presin nga prokuroria zbardhjen e së vërtetës, që, jo vetëm të mos zmbrapset, por edhe të mos vonojë në një proces, që e përsëris është një proces, ku duhet të ndahen Shqipëria e vjetër, e politikës së vjetër të së shkuarës, e cila nuk ka lejuar me zhurmat e tamtamet e saj asnjëherë e në asnjë rast që drejtësia të bëjë punën e vet, e pandikuar, e papresuar, e pangacmuar nga politika me Shqipërinë e re të së ardhmes”, - tha Rama.

Rama komentoi dhe deklaratat e Berishës se opozita është shprehur se Trebicka është vrarë. “E konsideroj të turpshme nga ana e kryeministrit të vendit që i flet opozitës dhe Partisë Socialiste për moralin në raport me të vdekurit e me vdekjen duke shpifur, sepse si dëshmojnë edhe dokumentet filmike e të shkruara as unë personalisht, e asnjëri nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste nuk ka deklaruar se i ndjeri Kosta Trebicka u vra. Por, kemi deklaruar atë që e deklaroj përsëri sot, fakti që një popull i tërë e konsideroi atë ngjarje tragjike një vrasje, dëshmon se në ç’nivel ka rënë besimi te kjo qeveri e te ky kryeministër. Historia e sekserit serb të Sali Berishës dhe të klanit të tij nuk është asgjë tjetër veçse një tjetër gur i një mozaiku që po zbulohet përditë në sytë e shqiptarëve, që është mozaiku i keqqeverisjes së punëve publike dhe i qeverisjes me instrumentet e pushtetit të qytetarëve i punëve private, duke e kthyer qeverinë e këtij vendi në një mjet për të garantuar përfitime të paligjshme, të tjerat janë rapsodi që unë ia lë kryeministrit”, - u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›