Lulzim Basha: Shoqata e kryebashkiakëve do të shndërrohet në një Kuvend të mirëfilltë
Zhvillohet në Tiranë mbledhja e Byrosë së Kongresit Europian të Autoriteteve Lokale e Rajonale në kuadër të Presidencës shqiptare të Këshillit të Europës
Shqipëria ka marrë Presidencën e radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Në kuadër të saj, në Tiranë është zhvilluar Mbledhja e Byrosë së Kongresit Europian të Autoriteteve Lokale e Rajonale ku e vlerësuan si shumë të rëndësishëm këtë moment për Shqipërinë. Presidenti i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, Keith Whitmore e ka uruar Bashën për zgjedhjen në krye të Shoqatës së Bashkive si dhe e ka siguruar për bashkëpunimin, edhe në rolin e Kryetarit të Shoqatës së Bashkive, edhe si kryetar i Bashkisë më të madhe në vend.
“Në emër të gjithë anëtarëve të kësaj Byroje më lejoni tu uroj për zgjedhjen tuaj në krye të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë. Kjo na kënaq vërtet sepse ne kemi punuar ngushtë me Shoqatën Shqiptare të Bashkive dhe ne e shohim këtë lidership si siguri për bashkëpunim të mëtejshme ndaj më lejoni tu uroj sërish”, u shpreh Whitmore.
Në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës së Bashkive, Basha ka shprehur angazhimin e tij për ta shndërruar këtë shoqatë në një kuvend, ku të diskutohet dhe bashkërendohen vendimet, se si t’u shërbehet më mirë dhe më me efiçencë qytetarëve. Basha tha se është i hapur për të bashkëpunuar me të gjithë të zgjedhurit vendorë, pavarësisht nën siglën e cilës parti janë zgjedhur, pasi interesi i përbashkët është përmirësimi i jetës së qytetarëve, pavarësisht se në cilën njësi të qeverisjes vendore ata gjenden.
“Sot, si Kryebashkiak i Tiranës por edhe si Kryetar i sapo zgjedhur i Shoqatës së Bashkive jam i lumtur t’u komunikoj ju, që në kohën e presidencës shqiptare të Këshillit të Evropës, jemi gati dhe të angazhuar tu japim eksperiencën dhe pikëpamjet tona, në linjë me prioritetet e Këshillit të Evropës, për një demokraci lokale më të mirë në të gjithë Evropën”, shpreh Basha.
Më tej ai shtoi se “në lidhje me këtë çështje, prioritetet tona, siç janë shprehur edhe nga Ministri i Jashtëm dhe nga ato që u morën nga presidenca e Mbretërisë të Bashkuar, ne shprehim angazhimin tonë jo vetëm në qëllim por edhe në burimet tona, për t’u siguruar që këto prioritete jo vetëm të diskutohen por edhe të implementohen në një kohë sa më të shkurtër e për sa më tej, ne do të ecim para me dialog dhe bashkëpunim me Byronë dhe presidenca dhe në veçanti, ajo pjesë që merret me qeverisjen lokale me këto qëllime dhe këto rrugë dhe me konsolidimin e tyre, me të cilat ne kemi ecur në këto 17 vite që kemi qenë anëtarë të KiE”.
Gjithashtu ai ka theksuar se kjo është një mundësi shumë e mirë, për t’u përçuar qytetarëve tanë vlerat e demokracisë dhe të të drejtave njerëzore si edhe rëndësinë e qytetarit dhe pjesëmarrjen e tyre në qeverisje.
“Të gjithë së bashku mund të shijojmë mikpritjen në këtë vend plot diell, në Tiranën tonë të bukur, Shqipërinë tonë të bukur. Kjo është një mundësi shumë e mirë, për tu përçuar qytetarëve tanë vlerat e demokracisë dhe të të drejtave njerëzore, rëndësinë e qytetarit dhe pjesëmarrjen e tyre në qeverisje dhe më e rëndësishmja se Evropa është më pranë nesh se më parë dhe ky është një hap paraprak për suksesin tonë të radhës, që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian”, theksoi kryebashkiaku.