E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbutet moratoriumi, konsensus për lëvizjen e jahteve dhe anijeve me vela

15-06-2012 / Gazeta 55

Kuvend, mazhoranca dhe opozita debate për moratoriumin e skafeve

Mazhoranca paralajmëron zbutjen e moratoriumit të skafeve, por jo shfuqizimin e ligjit i cili ka hyrë në fuqi 6 vjet më parë. Nisur nga insistimi i vazhdueshëm i pakicës parlamentare, mund të arrihet konsensusi të paktën për jahtet dhe skafet.
Deputeti demokrat Edi Paloka tha se ka amendamente të tjera për nismën e PS-së, për moratoriumin, të cilat duhet të kalojnë më parë në komisionin e ligjeve.
“Ne e kemi hedhur poshtë në komisionin e ligjeve këtë nisëm duke dhënë edhe argumentet, por janë paraqitur edhe disa rekomandime nga disa deputetë të cilët kërkojnë një lloj zbutje të moratoriumit prandaj dhe vendosëm që amendamentet të kalojnë tek komisioni i ligjeve përpare se të kalojë në seancë”, u shpreh Paloka.
Ndërsa në fjalën e tij, kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi theksoi se mazhoranca nuk ka kuorumin për të vijuar seancën plenare prandaj ka hequr edhe nismën e opozitës.
“Rendi i ditës kishte të bënte me dy amendime. Ju keni hequr nismën e opozitës pavarësisht se jemi ‘pro’ të gjitha procedurave. Nëse nisma e deputetëve është kështu siç thoni ju rregullorja duhet të ishte depozituar 24 orë më parë. Nëse kryetari i grupit të mazhorancës kishte kundërshtime duhet ta bënte në seancë. Pra të gjitha këto nuk janë shkaqe. Kjo është një shkelje proceduriale. Nisma e opozitës është hequr për arsye të tjera politike. Sot mazhoranca s’ka kuorumin për të vijuar seancën prandaj dhe është hequr nisma e opozitës. Do ju kërkoj siç keni premtuar ditën e parë që keni thënë se do ishin garante dhe avokatja e opozitës, të jeni e tillë”, shtoi Ruçi.
I menjëhershëm ishte reagimi i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli e cila tha se, mbetet avokate e opozitës.
“Siç ju kam premtuar ditën e parë, sa të jem kryetare e Parlamentit unë jam avokatja juaj, do ndihesha e fyer nëse do mendonit të kundërtën. Ju e dini këtë, por s’doni ta pranoni”, tha Topalli.
Po ashtu gjatë seancës plenare u miratua marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë, për zgjidhjen e borxhit të Republikës së Shqipërisë kundrejt Republikës së Kroacisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›