E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Humbëm një lider të BE-së”

Autori i Lajmit: Redaksia

Kryeministri Berisha i ka dërguar një telegram ngushëllimi Kryeministrit të Polonisë, Donald Tusk, në të cilin shpreh dhimbjen e tij për humbjen e jetës së Presidentit të Polonisë, Lech Kacinski, në aksidentin tragjik ajror.
Berisha shprehet se me vdekjen e tij, Polonia humbi një nga personalitetet e veta më të shquara dhe të respektuara, “por edhe Bashkimi Evropian humbi një nga liderët më të rëndësishëm të vendeve anëtare”. Kryeministri Berisha e ka cilësuar lajmin e vdekjes së presidentit Kacinski, bashkëshortes së tij, drejtuesve të lartë e zyrtarëve të tjerë të shtetit polak “si një lajm shokues, jo vetëm për popullin mik polak, por edhe për çdo shqiptar dhe për të gjithë miqtë e Polonisë në botë”. Berisha shpreh solidaritetin e tij personal dhe të qeverisë për humbjen tragjike të presidentit polak. “Duke ndarë me ju dhimbjen dhe pikëllimin e thellë për këtë humbje të madhe të kombit tuaj, vdekjen e Presidentit Kacinski, bashkëshortes së tij dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetërorë të vendit tuaj, Ju shpreh ju dhe Qeverisë suaj, familjarëve të të ndjerit President dhe të viktimave të tjera, ngushëllimet më të thella”,- thuhet në mesazhin e kryeministrit Berisha.

Ky lajm është publikuar: 11/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›