E Shtunë, 31 Tetor 2026

Detektië privatë për zbulimin e vrasjeve

Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Detektivë privatë për të rritur zbulueshmërinë e krimeve. Kjo është një nismë ligjore e propozuar nga Avokati i Popullit, që ja ka dërguar tashmë Ministrisë së Drejtësisë.
Nëse Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë, pranojnë të hartojnë projektligjin dhe nëse Parlamenti e miraton atë, atëherë në Shqipëri, ashtu si në shumë vende të përparuara të botës, do të krijohet Dhoma Kombëtare e Hetuesve Privatë. Kështu, qeverisë shqiptare i është propozuar tashmë iniciativa për përgatitjen e një ligji “Për hetuesin privat”. Bashkë me propozimin për përgatitjen e ligjit, Avokati i Popullit ka dërguar në Ministrinë e Drejtësisë edhe një model të mundshëm ligji, duke u bazuar në atë që përdoret aktualisht nga Italia.
Flet Artur Lazebeu
Për gazetën Ballkan, Drejtori i Kabinetit të institucionit të Avokatit të Popullit, Artur Lazebeu shprehet se hetuesit privatë do të shërbenin për të rritur zbulueshmërinë e krimeve, si konkurrencë kundrejt prokurorisë. Lazebeu thotë se hetuesi privat mund të veprojë në rastet kur policia kriminale apo Prokuroria nuk kanë arritur të zbulojnë veprat penale që kanë cenuar të drejtat themelore të qytetarëve. “Një hetues i tillë apo një grup hetuesish privatë, të angazhuar me të ardhurat e qytetarëve apo familjeve të interesuara mund të hetojnë autorët e një vrasje, një grabitjeje, vjedhjeje apo aksidenti. Ky organizëm privat të jetë i njohur nga shteti, të ketë kompetenca të caktuara sipas Kodit të Procedurës Penale. Ky kod do të caktojë se çfarë dhe si do të trajtohen provat që do të mbledhë hetuesi privat”, thuhet në propozimin e bërë nga Avokati i Popullit.
Divorcet e çështjet civile
Por, mesa duket detektivët, sipas iniciativës në fjalë nuk do të shërbenin vetëm për zbardhjen e krimeve, pra kryesisht me çështje penale. Ata mund të pajtohen fare lehtë dhe në mënyrë private nga qytetarët, të cilët kanë çështje të ndryshme civile siç janë ato të pronësisë, apo dhe divorcet. Kështu, detektivët do të kenë në fokus të punës së tyre dhe zbulimin e tradhtive bashkëshortore, çështje që kanë nisur procedurat e divorcit. Zbulimi i provave nga këta investigatorë privatë do të bënte të mundur sjelljen e provave kundër njërit apo tjetrit bashkëshort, që do të shërbenin në gjykatë pro njërit apo tjetrit, në rastet e kujdestarisë së fëmijës. Por, jo vetëm. Hetimi nga një organizëm i tillë parashikohet të jetë më efektiv për shkak se pala e interesuar do të paguajë drejtpërdrejt hetuesit privatë, të cilët në këtë rast janë të kushtëzuar më tepër për të zbardhur krimin apo konfliktin që hetohet. Ndryshe nga shumë prej vendeve perëndimore të përparuara në Shqipëri ende nuk njihet dhe nuk funksionon ndonjë organizëm i hetuesve privatë. Ky në fakt është një profesion i vjetër dhe zhvilluar në vendet perëndimore ku mund të përmenden Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku organet e drejtësisë marrin në konsideratë dhe njohin provat e mbledhura në mënyrë të ligjshme nga detektivët privatë.

Ligji

Njohja e provave në gjykatë

Nëse krijohet me ligj institucioni i hetuesve privatë, atëherë gjykata duhet ti njohë provat, si të ligjshme të mbledhura nga hetuesi privat e në bazë të tyre të dënojë autorin e krimit”, pohojnë juristët. Sipas tyre, krijimi i Dhomës Kombëtare të Hetuesve Privatë mund të ketë efekt pozitiv edhe në kuptim të nxitjes së konkurrencës dhe cilësisë së hetimeve me Policinë e Shtetit me qëllim zbulimin e autorëve të krimeve.

Ky lajm është publikuar: 11/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›