Berisha: I hapur për kërkesat e PS
Kryeministri Sali Berisha ka zbutur tonet nga Durrësi në lidhje me grevën e urisë të deputetëve socialistë dhe simpatizantëve të tyre. Ai e ka quajtur dëshmi të demokracisë në vend ngritjen e kampingut të grevës qoftë edhe para zyrës së tij kryeministrore, duke theksuar se kushdo ka të drejtë të protestojë, të bëjë zgjedhjet e veta, por edhe të marrë përgjegjësitë e veta. Në vazhdën e fjalës së vet Berisha tha se detyrë e qeverisë është të krijojë hapësirat për zhvillimin e këtyre protestave. “Deklarata e tij u bë në ditën e 19 të grevës së urisë, ndërsa ishte në Portin Detar të Durrësit. Përurimi i fillimit të punimeve për modernizimin dhe zgjerimin e kalatës lindore të këtij porti është në vazhdën e tureve të ndërmarra prej tij për përurimin e nisjes së zbatimit apo përfundimit të investimeve të ndryshme në vend, si kundërpërgjigje ndaj protestës dhe grevës opozitare. I pyetur për situatën e krijuar, Berisha mohoi të ketë krizë institucionale në vend, ndërsa tha se është i hapur ndaj kërkesave dhe opsioneve të opozitës për gjetjen e zgjidhjes, po nuk tha nëse shumica që ai përfaqëson do të pranojë kërkesën bazë të saj për hapjen e kutive si veprim që çon drejt transparencës për votën e hedhur më 28 qershor. “Institucionet po funksionojnë me intensitet të plotë, ashtu siç është e vërtetë dhe që një kamp është vendosur para zyrave të mia, dëshmi madhore e funksionimit të demokracisë së këtij vendi. Qytetarët do të kenë të drejtë të protestojnë dhe aty ku nuk ua pret mendja të tjerëve. çdo forcë politike bën zgjedhjet, zgjidhjet e veta, unë mbetem i hapur në respekt të plotë ndaj opozitës dhe opsioneve që opozita i gjykon më të përshtatshme për veten e saj”, tha Berisha, duke iu përgjigjur interesit të mediave për situatën dhe problemet e shkaktuara. Kreu i ekzekutivit shqiptar mori pjesë në fillimin e punimeve për zgjerimin dhe modernizimin e kalatës lindore në Portin Detar të Durrësit. Për këtë investim janë vënë në dispozicion nga Autoriteti Portual Durrës 1.5 miliardë lekë dhe investimi pritet të përfundojë në gusht të vitit të ardhshëm. Tenderi i zhvilluar nxori fitues bashkimin e operatorëve CMR Cooperativa Muratori Riuniti Soc.Coop a.r.l dhe Siac shpk, investimi synon rikonstruksionin e kalatës 10 me gjatësi 270 ml që aktualisht është në pjesën më të madhe jashtë funksionit, zgjerimi i kalatës në 30 m dhe rritja e aftësisë mbajtëse në 6 tonë/m2, krijimi i kushteve më të mira të punës, arritja e thellësisë së buzës së kalatës në -11.5 m, rehabilitimi i sheshit pas kalatës me gjerësi 30 m dhe me sipërfaqe 8100 m2, si dhe rritja e aftësisë mbajtëse në 10 tonë/m2. Investimet tentojnë ta kthejnë portin në një port modern multimodal në të gjithë rajonin, ndërsa nuk është braktisur ende ideja dhe dëshira për përfshirjen e tij si pikë kyçe në Korridorin 8.
#