E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama mbyll grevën: Një shans i ri

Kreu i opozitës falënderoi të gjithë ata që u bënë pjesë e grevës së urisë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, njoftoi dje përfundimin e grevës 19-ditore të opozitës për transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Në fjalën e mbajtur përpara simpatizantëve të Partisë Socialiste mbrëmjen e djeshme, Rama theksoi se me dhimbje i ftonte grevistët ta mbyllnin grevën e urisë, sepse ndërkombëtarët ishin të mendimit që kjo situatë nuk mund të vijonte më kështu. “Ndërkombëtarët i kanë kuptuar qëllimet tona ndaj krizës. Të majtë dhe të djathtë europianë kanë rënë në një mendje, se kjo situatë nuk mund të vazhdojë më dhe kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me të dyja palët për një zgjidhje kompromisi që i hap rrugë transparencës”, deklaroi Edi Rama përpara protestuesve që ishin mbledhur përpara çadrave të grevës. Sipas Ramës, ftesa për të dalë nga greva kishte ardhur për shkak se PS nuk mund t’ia lejonte vetes të humbte një shans të tillë, i cili mund të sillte një zgjidhje për situatën politike në vend. “është ora e një shansi të ri dhe një mundësie të re, është dita për të mos e lënë këtë shans të humbasë dhe për të mos e lënë këtë shans të zhbëhet”, deklaroi Rama, duke shtuar se PS po respektonte qëndrimin e ndërkombëtarëve. Po kështu, Rama deklaroi se PS ishte shumë e ndërgjegjshme në lidhje me faktin se Shqipëria tashmë kishte sfida të rëndësishme përpara, siç ishte liberalizimi i vizave dhe integrimi i vendit në Bashkimin Europian. “Ne nuk e kemi harruar për asnjë sekondë të vetme se në ç’moment të rëndësishëm është Shqipëria në rrugën drejt BE-së. Pavarësisht se janë munduar të thonë që ne jemi të pandjeshëm ndaj vizave dhe BE-së, e kundërta është e vërtetë, ndjeshmëria jonë ndaj këtyre sfidave na ka mbajtur në protestë. Po, ne jemi të gatshëm t’i japim zgjidhje kësaj krize, jemi të gatshëm të hapim rrugën për liberalizimin e vizave dhe Shqipërisë në BE”, deklaroi kreu socialist teksa shpjegoi raportin e PS-së me këto sfida të rëndësishme për vendin. Por Rama në mënyrë të qartë theksoi se beteja e socialistëve nuk përfundon këtu dhe i ftoi protestuesit të vijonin ta mbështesin pasivisht opozitën, në rast se nuk arrihej të gjendej një zgjidhje nga negociatat me ndërkombëtarët. “Le të urojmë që nesër është dita e mbarë, por le ta përshëndesim njëri-tjetrin duke garantuar njëkohësisht se ne nuk ndalemi dhe se nuk zmbrapsemi dhe jemi të gatshëm për përpjekje e sakrifica të reja në rast se zgjidhja s’do të vijë dhe në rast se arsyeja e forcës nuk do ta mposhtë forcën e arsyes”, bëri të qartë Edi Rama për të gjithë protestuesit në bulevardin kryesor. Përpara se Rama t’u bënte të ditur protestuesve se ai kishte pranuar në emër të tyre fillimin e negociatave, ai nuk harroi të falënderojë dhe të shprehë mirënjohjen ndaj atyre që i konsideronte si njerëz që po shkruanin historinë. “U shpreh mirënjohjen atyre të cilët vendosën forcën e tyre të bashkuar në këtë grevë, atyre njerëzve të zakonshëm që po shkruajnë një histori të jashtëzakonshme për Shqipërinë, që meriton më shumë”, deklaroi Rama. PO kështu, ai shprehu keqardhjen për të gjithë ata persona të cilët kërkuan të hidhnin baltë mbi këtë grevë. Po kështu, kreu i PS-së deklaroi se ndjeu keqardhje dhe për ata persona të cilët të detyruar nga buka e përditshme që përfitojnë nga pushteti nuk arritën të ishin pjesë e grevës dhe protestave dhe madje edhe të festonin kur kjo gjë kërkohej.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›