E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: Kompromisi? Shpresoj, jo thjesht sa për të mbyllur grevën

Një prej deputetëve grevistë flet për mbylljen e grevës dhe takimin e sotëm mes Berishës dhe Ramës

Deputeti socialist, Arben Malaj, dha dje në një intervistë për “Shqip” vlerësimet e tij rreth mbylljes së grevës së urisë dhe takimit të sotëm në Strasburg mes Berishës dhe Ramës.

Si e shikoni mbylljen e grevës dhe a i arriti qëllimet e parashikuara?

Misioni bazë i kësaj greve ishte sensibilizimi i të gjithë faktorëve politikë dhe ndërkombëtarë që vendi duhet të përfundonte ngërçin politik. Nëse u arrit, do të duhet të shikojmë marrëveshjen që do të arrihet mes palëve, e rëndësishme është që marrëveshja të mos ketë pasur si qëllim final, mbylljen e një greve urie, por gjetjen e një kompromisi për reformat që mund të bëhen në Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, në mënyrë që të të drejtës së votës t’i japin statusin e një të drejte universale të pacenueshme. Pyetja qëndron nëse ishte kompromis për të mbyllur grevën dhe më pas nuk do të kemi një vullnet të qartë mbi kërkesat e PS-së? Në këto raste nuk është mirë të paragjykojmë. Por do të mbetet një sfidë sidomos për PS-në, nëse angazhimi 11-mujor politik dhe radikalizmi me grevën do të sjellë një përfitim real për standardet e votës dhe demokracisë në Shqipëri.

A e lexoni takimin e nesërm (sotëm) të Ramës dhe Berishës në Strasburg, si një marrje në dorë të kësaj situate nga autoritetet ndërkombëtare?

Fakti që mbyllet greva dhe shkohet në Strasburg me një grevë të përfunduar ndoshta e ushqen më mirë arritjen e një kompromisi. Ndërsa personalisht për politikën shqiptare mbështes faktin se një vend që aspiron të bëhet pjesë e BE-së, nuk mund të vazhdojë me një mentalitet krenar, që për problemet e brendshme dhe për krizat të keqkuptohet, kur faktori ndërkombëtar importon arritjen e disa kompromiseve për disa standarde që duhet të jenë të qëndrueshme.

A mund të sjellë impakte të tjera në marrëdhëniet dhe në skemën e sotme qeverisëse kjo marrëveshje që pretendohet të arrihet në Strasburg?

Momenti i parë midis opozitës dhe mazhorancës ka të bëjë me luftën për transparencë dhe demokraci. Por momenti real është se ky moment duhet të konvertohet edhe në përmirësimin e qeverisjes së vendit, i cili ndodhet edhe në sfida jo të lehta ekonomike. Por kjo do të mbetet në përgjegjësi të mazhorancës, nëse do të kuptojë momentin se vendi dhe qeverisja ka nevojë të ndryshojë së pari në mentalitet në raport me opozitën dhe më pas në raport me qytetarët shqiptarë. Qëndrimet tekanjoze 11-mujore e kanë dëmtuar jo pak qeverisjen e vendit dhe sidomos zhvillimin ekonomik dhe social të tij.

A mund të lexohet tërheqja e opozitës në një mënyrë të papritur si një dobësi e saj në opinion publik dhe në perceptimin e qytetarëve? Po në rast se nuk arrihet një marrëveshje në Strasburg, a mund të shkaktojë kjo probleme brenda PS?

Nëse marrëveshja ishte vetëm për mbylljen e grevës së urisë, përfitimi i shqiptarëve do të ishte minimal, jo në raport me atë çfarë pritet, por në raport me atë që ka qenë e detyrueshme. E dyta, nëse nuk do të kemi një marrëveshje të plotë, pasojat janë negative jo vetëm për vendin, por edhe për forcat politike. Në fund të fundit, marrëdhëniet e një lideri duhet të jenë në përputhje me arritjet e tij në kuadër të demokracisë dhe zhvillimet ekonomike të vendit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›