E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherret e politikës, gjashtë krizat që zgjidhën ndërkombëtarët

Nga ardhja e Perez de Kuelarit e deri te zgjedhjet lokale të 2007-s

Shqiptarët e kohëve moderne i janë afruar disa herë në 20 vitet e fundit tragjedive të mëdha, pa arritur t’i zgjidhin vetë krizat e rënda që rrezikonin përplasje sociale dhe konflikte qytetare. Kanë qenë gjithmonë ndërkombëtarët: amerikanët dhe europianët që kanë ndërhyrë në momentet kyçe, duke i detyruar “zotërit e politikës” për t’u ulur të arrijnë kompromise të nevojshme për të shmangur dramat e mëdha. Historia fillon që prej vitit 1990 dhe vazhdoi deri në mbrëmjen e djeshme, ku vetëm ndërhyrja e gjatë, energjike, madje edhe kërcënuese ka afruar paqen aq të dëshiruar nga shqiptarët.

OKB

Ishte vera e vitit 1990, kur regjimi komunist në Shqipëri po jetonte muajt e fundit të agonisë më se 50-vjeçare, por nomenklatura nuk e kishte kurajën për të hapur portat e zgjidhjes. Më 2 korrik të atij viti, një numër i madh qytetarësh mësyn ambasadat e shteteve perëndimore në Tiranë, për të kërkuar azil politik. Në kryeqytetin shqiptar mbërrin sekretari i atëhershëm i përgjithshëm i OKB-së, peruani Perez te Kuelar, i cili i kërkoi Presidentit të atëhershëm të vendit, Ramiz Alia, nisjen e ndryshimeve politike në vend. U deshëm pak muaj që Shqipëria të rrëzonte sistemin komunist njëpartiak.

Roma

Zgjedhjet e para pluraliste në vend, ato të 31 marsit të vitit 1991 u fituan nga komunistët, por rezultati nuk solli paqen sociale në vend, përkundrazi acaroi situatën. Një ditë pas zgjedhjeve në Shkodër u vranë katër mbështetës të Partisë Demokratike dhe më pas i gjithë vendi u përfshi në proces të grevave të vazhdueshme që paralizoi qeverisjen. Riaktivizohet eksodi, ku mijëra qytetarë rrëmbejnë anijet në Portin e Durrësit dhe marrin rrugën drejt Italisë. Në Tiranë mbërrin ministri i Jashtëm italian, Giani de Michelis, pasi Italia ishte zgjedhur nga Komuniteti Europian (kështu quhej BE-ja e sotme) për të ndjekur gjendjen në Shqipëri. Pas negociatave vendoset krijimi i një qeverie koalicioni, që do ta çonte vendin në zgjedhje më 22 mars të vitit 1992.

1996

Zgjedhjet parlamentare të 26 majit të vitit 1996 u zhvilluan në një klimë të rëndë, e cila detyroi opozitën socialiste të bojkotonte administrimin e zgjedhjeve, duke larguar të gjithë komisionerët. Pak ditë më pas, misioni vëzhgues i OSBE-ODIHR-it i cilësoi zgjedhjet parlamentare të manipuluara dhe kërkoi përsëritjen e tyre në disa zona. Presidenti i atëhershëm Sali Berisha nuk pranoi. Në Tiranë mbërriti edhe një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, për të kërkuar zgjidhjen e krizës, por mazhoranca e atëhershme refuzoi. Vendi u zhyt në një krizë të gjatë, e cila u mahis deri në fillimin e vitit 1997.

1997

Fillimi i vitit e gjeti Shqipërinë të përfshirë në protesta të mëdha qytetare pas falimentimit të disa kompanive piramidale mashtruese. Në të gjitha qytetet e vendit u zhvilluan protesta të shumta që kërkonin dorëheqjen e qeverisë. Berisha nuk pranoi zgjidhje politike, por disa studentë të Vlorës hynë në grevë urie që zgjati disa ditë. Situata precipitoi pas vrasjes së një qytetari dhe në Tiranë, Berisha thirri negociatat me opozitën. Por kjo ndodhi vetëm me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, që sollën në Shqipëri edhe një forcë të armatosur për të siguruar zhvillimin e zgjedhjeve dhe ruajtjen e rendit. SHBA dhe BE caktuan ish-kancelarin e Austrisë, Franc Vranicki, si negociator për zgjidhjen e krizës shqiptare.

2001

Në qershor të këtij viti u zhvilluan zgjedhjet parlamentare ku socialistët fituan mandatin e dytë qeverisës. Me shumë probleme këto zgjedhje u shoqëruan me tensione dhe akuza për manipulime. PS arriti mazhorancën për të formuar qeverinë, por jo dy të tretat që zgjidhnin Presidentin. Por kulmi u arrit kur në raundin e tretë, në një fshat të Lushnjës, pikërisht në Dushk, PS-ja arriti atë që donte, në bazë të proporcionalit mori edhe 10 deputetë që u takonin aleatëve. Opozita e cilësoi si një devijim të vullnetit të qytetarëve dhe manipuloi punimet e Kuvendit. Ndërhyn Bashkimi Europian, që delegon zonjën Doris Pack për të negociuar dhe ajo i kërkon mazhorancës të zgjidhë krizën politikisht, duke zgjedhur Presidentin e vendit dhe Prokurorin e Përgjithshëm me konsensusin e opozitës. Gjë që ndodhi.

2007

Zgjedhjet lokale të vitit 2007, për të parë janë shtyrë si pasojë e ndërhyrjes së ndërkombëtarëve, pas refuzimit të opozitës për t’u futur në zgjedhje me certifikatat që përdoreshin atëherë. Në Tiranë mbërrin një delegacion i lartë i OSBE-së, i cili i jep Presidentit të atëhershëm, Alfred Moisiu, fuqinë për të drejtuar negociatat mes mazhorancës dhe opozitës. Pas disa ditësh bisedimesh brenda Presidencës pa pushim, të gjitha partitë politike arrijnë në marrëveshje për zgjedhjet lokale që u dekretuan më 18 shkurt.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›