E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita shkreh çadrat mes brohoritjeve dhe luleve

Reportazh

19 maji ka ofruar një skenografi fitoreje për socialistët. Të ngujuar për 19 ditë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, qytetarë dhe deputetë socialistë i kanë dhënë fund dje një greve urie, e cila nisi dhe përfundoi në emër të votës së lirë. Përfundimi i saj, ngritja e çadrës së qëndresës, padyshim që për simpatizantët e PS-së nuk ka qenë asgjë më shumë se pagëzimi i një fitoreje. Kjo fjalë në fakt e ka bërë më homogjene turmën e protestuesve të pranishëm, të cilët pas kaq kohe në shesh kanë hequr çdo mëdyshje për t’iu gëzuar një suksesi ndaj Sali Berishës. “Fitore-fitore”, ishte thirrja e vetme e protestuesve. Shtrëngime duarsh mes deputetëve dhe simpatizantëve, përqafime mes njerëzve dhe grevistëve, tufa me lule; të gjithë këta elementë të “ceremonialit” tradicional shqiptar janë shfaqur dje në mbrëmje si pjesë e një gëzimi që gjithsesi është i ligjshëm. Fjala e kryetarit Edi Rama ka tërhequr me vete buzëqeshje të shumta, por pse jo edhe lot gëzimi të shumëkujt që një problem politik e ka parë gjithnjë me sytë e besimit në një kauzë të ndershme. Asgjë e vërtetë dhe nuk i ka munguar këtij peizazhi njerëzor të plotësuar me dekorin politik të parullave të shumta. Të afërm dhe familjarë të grevistëve, mbështetës të sinqertë, kuriozë të një fitoreje të shumëdiskutuar dhe “të papritur” ndaj Berishës, të rinj dhe të reja; flamuj dhe pankarta që riprodhojnë me simbolikën e tyre atë që fjala e ndërpret me ritmin e vet. Në finale protagonistët e saj; grevistët që lënë çadrën e ngujimit me veshjet sportive të një stacionimi rrugor të politikës, me shallin kuq e zi të pritur nga duartrokitjet e shumta dhe përqafimet e protestuesve. “Ju faleminderit shumë! Na keni dhënë një mbështetje shumë të madhe”, u është drejtuar deputetja Ledi Shamku miqve të shumtë që e kanë rrethuar duke e uruar. Me më pak fjalë, 19 maji i ka lejuar socialistëve të shijojnë një fitore politike “ekskluzive”. Por fundi i grevës dhe turma që ka pasur privilegjin e përjetimit të saj mund të shihet edhe si panoramë e një ngjarjeje me protagonistë në distancë. Nga godinat ngjitur, figura publike, njerëz të afërm të drejtuesve politikë socialistë, përkrahës dhe ish-deputetë, aleatët e PS-së kanë ndjekur kronikën e një ngjarjeje që në këto mjedise ka mbërritur përpara se t’i komunikohej opinionit shqiptar. Mbi sheshin e grevës; tubimi i fundit është përcjellë me qetësinë e zakonshme të njeriut që më shumë sesa përjeton, analizon ngjarjet. Në ecejaket e shkallareve të lëvizshme, mes bulevardit dhe bareve ku për 19 ditë është vendosur politika opozitare, nuk kanë munguar figura të njohura të PS-së, ata që deri më tani janë gjykuar me metrin e kundërshtarit të brendshëm. Më shumë se përjetim i fitores, qetësia e ambientit flet për një shikim drejt perspektivës; beteja me Sali Berishën ka ecur një hap përpara, por siç edhe u shpreh kryetari, “nëse nuk do gjendet zgjidhja, ne nuk do zmbrapsemi”, sepse me Kryeministrin aktual, për socialistët ka gjithnjë një nëse.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›