Kronologjia e grevës, 19 ditët e ngujimit në çadra
Vetëm pak ditë para 30 prillit, në ambientet e ngushta politike nisi të qarkullojë një version se opozita do të ndërmerrte një vendim ekstrem pas mbylljes së protestës së madhe të planifikuar për t’u zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Por askush nuk e dinte realisht se çfarë po “gatuanin” liderët e opozitës shqiptare. Ata kishin marrë të gjitha masat për të siguruar një pjesëmarrje sa më të madhe në tubimin e përcaktuar si nisja e “protestave të pandalshme”. Fjalimi i kryetarit të opozitës në sheshin përpara godinës së Kryeministrisë tërhoqi vëmendjen e gjithë qytetarëve rreth kauzës së opozitës për transparencën e votës. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, deklaroi pas mitingut se do të komunikohet shumë shpejt vendimi mbi ecurinë e protestës. Një mbledhje e grupit parlamentar mjaftoi që të deklarohej se plot 22 deputetë dhe rreth 180 mbështetës do të hynin në grevën e urisë. Ata ishin: Besnik Baraj, Enkelejda Shkreli, Artan Gaçi, Ermonela Felaj, Blendi Klosi, Gazmir Bizhga, Shegush Ligori, Taulant Balla, Agim Leka, Skënder Hasa, Armando Subashi, Pirro Lutaj, Ervin Koci, Fatos Tushe, Arben Ahmetaj, Olta Xhaçka, Asllan Dogjani, Gjovalin Kadelli, Ilir Beqja, Eltar Deda, Arben Malaj dhe Fatmir Xhafaj. Në orët e para të datës 1 maj nisi zyrtarisht greva e urisë dhe në shesh u montuan çadrat e posaçme për strehimin. Mazhoranca nuk reagoi aspak pozitivisht ndaj këtij pozicionimi të ri të opozitës. Deputetët dhe funksionarët e selisë blu e cilësuan si të papërshtatshëm marrjen e këtij vendimi. Brenda pak orësh, pikërisht më 1 maj, Partia Demokratike organizoi një miting festiv me rastin e Ditës së Punëtorëve. Në deklaratat publike nuk u artikulua nga Kryeministri për asnjë moment greva e deputetëve të opozitës. Me kalimin e ditëve, presioni i mazhorancës përballë grevistëve erdhi duke u rritur. Opozita realizoi mitingje të përditshme në sheshin përpara Kryeministrisë, sipas një skeme rrotacioni me mbështetës nga të 12 qarqet e ndryshme të vendit. Komisioneri Stefan Fule shfrytëzoi një takim në Bruksel në kuadër të Komitetit të Stabilizim-Asocimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, për të bërë apelin e fortë që synonte zgjidhjen e krizës politike. Në mungesë të reagimit, ambasadorët e akredituar në Tiranë nuk rezistuan të vihen në lëvizje. Ata zhvilluan takime me kreun e shtetit, Bamir Topi, dhe me protagonistët e krizës politike. Më 14 maj u zhvillua protesta e radhës, në rang kombëtar dhe ishte pikërisht kjo dita kur erdhi sinjali i parë i kompromisit që u artikulua nga goja e ambasadorit të OSBE-së, Robert Bosch. Daljet nga greva për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore u shtuan ndjeshëm, ndërsa ditën e fundit u plotësua numri total prej 66 personash.
#