Doul dhe Schultz, letër Berishës e Ramës
Bashkimi Europian kërcënon me ndërprerjen e procesit të integrimit nëse nuk zgjidhet kriza politike në vend. Në një letër të përbashkët drejtuar Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, krerët e grupeve të së majtës dhe së djathtës në Parlamentin Europian, përkatësisht Martin Schultz dhe Joseph Doul, kërkojnë arritjen e konsensusit mes palëve. “Dy grupet tona kanë frikë se nuk mund të nxirret një konkluzion mbi çështjen e funksionimit të demokracisë pa zgjidhje kompromisi të krizës politike aktuale. Do të preferonim të kërkonim një ndërprerje të procesit të anëtarësimit deri në kohën kur një zgjidhje e ndershme e krizës të arrihet në vend të rrezikut për një rekomandim negativ”, thuhet në letrën në lidhje me opinionin e pritshëm të Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë. Në kuadër të tryezës së Strasburgut, Martin Schultz dhe Joseph Doul kanë kërkuar ndërprerjen totale të protestave, grevës së urisë dhe çdo forme tjetër të përshkallëzimit të situatës. Burime të kabinetit të komisionerit Stefan Fule konfirmuan për “Top Channel” se komisioneri ka biseduar gjatë ditës me kreun e mazhorancës, Sali Berisha, dhe liderin e opozitës, Edi Rama. Komisioneri i Zgjerimit ka mbërritur që në orët e pasdites së djeshme në Strasburg dhe ka siguruar pjesëmarrjen e tij në darkën e sotme që mbahet në orën 20.30. Bisedimet pritet të vijojnë dhe të premten paradite, thuhet në letrën e europarlamentarëve, në rast se nuk do të gjendet një kompromis gjatë mbrëmjes.
Arta Tozaj
Bruksel