E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Imunitetin po punojmë ta heqim në Parlament

Në fjalën e tij, përveç se bëri një panoramë të zhvillimit të Shqipërisë vitet e fundit, Berisha u përqendrua edhe tek debati për imunitetin.

"Jam thellësisht i bindur se vendi im duhet ta heqë imunitetin dhe kjo duhet të ndodhë. Ne po punojmë që ta heqim atë në Parlament. Por, në rast se kjo nuk do të jetë e mundur, shqiptarët do të kenë të drejtën të shprehin mendimin e tyre mbi këtë çështje themelore. Përsëris vullnetin e qeverisë shqiptare për miratimin e çdo mase, çdo reforme, ligji apo vendimi tjetër të nevojshëm, që vendi ynë të ecë përpara drejt rrugës së tij të pandalshme drejt BE-së. Ne po punojmë ngushtë me komisionin e BE-së dhe vendet mike për të plotësuar sa më shpejtë që të jetë e mundur të gjitha detyrimet tona për statusin e vendit kandidat”, theksoi Berisha. Berisha kërkoi gjithashtu nga Serbia që të krijojë marrëdhënie të mira me Kosovën dhe ta pranojë atë si shtet të pavarur.

“Ne ftojmë udhëheqjen e re politike në Beograd të pranojë, në interesin e saj më të mirë, Kosovën e pavarur si një realitet të parikthyeshëm në rajonin tonë dhe të tregojë të njëjtin vullnet të dëshmuar nga Republika e Kosovës për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, si rruga më e mirë për konsolidimin e paqes dhe bashkëpunimit në rajon, që në të njëjtën kohë, është në dobi të interesit më të mirë të qytetarëve të të dy vendeve dhe të rajonit në përgjithësi”, tha Berisha, duke uruar që në të ardhmen e afërt, disa vende evropiane, anëtare të BE dhe NATO, të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën, të marrin vendimin e duhur.

Punimet e këtij Forumi u fokusuan në rolin e Evropës në një komunitet ndërkombëtar që ndryshon, sfidat rajonale në Evropën Jugore dhe Azinë Qendrore, si dhe marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Kinës. /Start/

                                                                                             2012-09-04 16:50
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›