E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fyle-Panaritit: Mbyllni reformat, keni shans për statusin

Ecuria e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, në veçanti zhvillimet politike të kohëve të fundit si dhe ecuria e procesit të plotësimit të 12 Prioriteteve të Komisionit Evropian, ishin në qëndër të diskutimeve gjatë këtij takimi.

Nga ana e tij, Komisioneri Fyle vlerësoi përpjekjet e bëra nga qeveria dhe opozita për të forcuar bashkëpunimin në kuadrin e reformave institucionale dhe përshëndeti zhvillimet pozitive të arritura së fundi. Ai deklaroi se Shqipëria ka një perspektivë reale për një progres në rrugën drejt integrimit evropian në vitin 2012 dhe për këtë duhet të arrijë masën kritike të rezultateve konkrete në reformat kryesore.

Ai shtroi nevojën që dialogu konstruktiv politik duhet të vazhdojë për të plotësuar reformën parlamentare. Gjithashtu ai vuri në dukje domosdoshmërinë për vazhdimin e progresit në përmbushjen e 12 prioriteteve të vendosura nga Komisioni Evropian, veçanërisht ato që lidhen me shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë kontekst, z. Fyle deklaroi se rishikimi i sistemit të imuniteteve do të ishte një hap i rëndësishëm në këtë drejtim.

 Duke rikonfirmuar angazhimin dhe mbështetjen e plotë të këtyre përpjekjeve, komisioneri Fyle e ftoi Shqipërinë që të mbetet e fokusuar në realizimin e reformave të cilat janë të nevojshme për arritjen e objektivit kombëtar të integrimit evropian.

Ministri Panariti e njohu Komisionerin Fyle me ecurinë e deritanishme të plotësimit të 12 Prioriteteve të Komisionit Evropian për Shqipërinë, duke e vënë theksin tek arritjet që ka patur në këtë drejtim, arritjet të cilat kanë qenë fryt i një klime të re politike në vend.

Z.Panariti rikonfirmoi edhe njëherë angazhimin e mazhorancës për të bashkëpunuar ngushtësisht me opozitën në drejtim të plotësimit sa më të shpejtë të reformave kyçe, aq të nevojshme për të siguruar një vlerësim pozitiv nga ana e Komisionit dhe e vendeve antare për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Ai vuri ne dukje se mazhoranca ka vullnetin maksimal për gjetjen e zgjidhjeve brenda një kohe të shkurtër dhe për përfundimin e reformës parlamentare dhe çështjen e kufizimit të imunitetit të zyrtarëve të lartë, me miratimin e së cilës përmbyllim një nga prioritetet më madhore politikë.

Ministri Panariti vuri në dukje se lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, reforma në sistemin gjyqësor dhe administratën publike, do të vazhdojnë të mbeten në krye të agjendës së punës të Qeverisë.

Swoboda: Shqipëria e meriton statusin

Ndërkohë, kreu i Grupit të socialistëve dhe demokratëve të Parlamentit Evropian, Hannes Swoboda, thotë se ka ardhur momenti që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Edhe ai priti në një takim ministrin shqiptar të Punëve të Jashtme. "Unë besoj se Shqipëria e meriton statusin dhe kjo procedurë nënkupton dy faza: E para është dhënia, në parim, e statusit kandidat për Shqipërinë, në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, dhe faza e dytë, çelja e negociatave të bëhet pas zhvillimit korrekt të zgjedhjeve të reja. Unë mendoj se janë bërë hapa nga të dyja palët dhe kjo e mundëson dhënien e sinjalit pozitiv. E mira do të ishte, që të mos luftohet mes njëri-tjetrit, në këtë rast midis pozitës e opozitës, por të luftohet për të mirën e përbashkët. Kjo është e rëndësishme që Evropa të mbështesë përpjekjet e palës shqiptare, sidomos në fazën e parë, për dhënien e statusit", deklaroi Swoboda.

/S.Ll/Start/

                                                                                             2012-09-05 08:58
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›