Dhoma Amerikane, organizon në Tiranë, edicionin e 9-të të Panairit të Punës, ofrohen 170 vende pune

Panairi i Punës, që u çel sot në ambjentet e Hotel Tirana Internacional nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, do të ofrojë 170 vende të lira pune, për pozicionet ekonomist, jurist, financier, inxhinier, arkitekt, operator teknik, agjent shitjeje, etj. Në këtë aktivitet që do të zhvillohet deri më datën 14 maj, marrin pjesë 29 kompani nga më të njohurat në vendin tonë si "Raiffeisen Bank", "Aluflor", "Nerënxi", "BKT", etj që operojnë në fushën e telekomunikacionit, bankave, ndërtimit, prodhimit, studiove audituese, etj. Floreta Luli Faber, Drejtoresha Ekzekutive e Dhomës Amerikane të Tregtisë, tha se "Panairi i këtij viti merr një vlerë të veçantë pasi është duke demostruar një trend ndryshe nga ai i shumëdiskutuar dhe që ka lidhje me krizën ekonomike dhe efektet e saj. Ndërsa pritej që në këto momente krize kompanitë të reflektonin një ulje të kërkesës për punonjës në fakt ka ndodhur e kundërta, theksoi ajo- sepse Panairi i këtij viti ka patur numrin më të madh të kompanive dhe të vendeve të punës të ofruara prej tyre." Sipas saj, ndërsa për të gjitha Panairet më parë Dhoma Amerikane ka patur një proçedure të përcaktuar në pranimin e aplikimeve duke vendosur nje afat kohor e me pas duke caktuar ditën dhe orën e intervistës, nisur nga fluksi i lartë i kompanive që vazhdojnë të ofrojnë vende pune, ka vendosur të pranojë edhe kandidatë që vijnë drejt për drejt në Panair dhe që do të kontaktohen nga kompanitë. Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri është një organizatë private e biznesit e angazhuar për të ndihmuar në përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri si dhe në përmirësimin e imazhit të biznesit shqiptar në tregjet amerikane dhe ndërkombëtare.
...