E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Integrimi ne BE proces i bazuar ne performance dhe merite

Komisioni për Çështjet Evropiane të Parlamentit Hollandez i cili po zhvillon një vizite në Shqipëri në kudrin e një turi në vendet e Ballkanit Perendimor, u prit sot në takim nga kryeministri Berisha. Qëllimi i vizitës është që të familjarizojë anëtarët e këtij komisioni parlamentar me Shqipërinë, politikën e saj dhe aktorët kryesorë të shoqërisë shqiptare, duke përfshirë edhe shoqërinë civile.

Kryeministri falenderoi antarët e delegacionit për mbështetjen dhe ndihmën që parlamenti dhe qeveria hollandeze i kanë dhënë Shqipërisë në reformat e saj demokratizuese. Në mënyrë të vecantë kryeministri falenderoi Mbretërinë e Vendeve të Ulëta për vendimin historik të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë. Pasi theksoi se integrimi në BE përbën prioritetin themelor dhe projektin më të rëndësishëm të Shqipërisë, ai u shpreh se e konsideron integrimin në Bashkimin Evropian si një proces të bazuar në performancë dhe meritë.

Kryeministri Berisha i njohu bashkëbiseduesit me reformat që qeveria shqiptare ka ndërmarrë gjashtë vitet e fundit për transformimin politik, ekonomik, dhe social të vendit. Kryeministri i njohu ata me përpjekjet për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në vend duke theksuar se zgjedhjet e vitit 2009 ashtu si zgjedhjet vendore të 8 majit, të zhvilluara në respekt të standarteve ndërkombëtare dhe të një kornize ligjore konsensuale, janë një hap i jashtëzakonshëm në konsolodimin e vlerave perendimore.

Gjithashtu kryeministri vuri theksin te lufta pa kompromis e ekzekutivit shqiptar të drejtuar prej tij ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Duke u ndalur në këto cështje kryeministri nënvizoi se tashmë Shqipëria është një vend me siguri të lartë përkundër një vendi që në vitin 2005 dominohej nga organizatat kriminale. Kryeministri theksoi se lufta e qeverisë shqiptare kundër korrupsionit bazohet në reforma dhe dënim dhe renditi një seri reformash të ndërmarra në kuadrin e reformimit të administratës publike, shpenzimit të fondeve publike, procedurave të prokurimit, rregjistrimit të bizneseve etj si dhe një seri rezultatesh në goditjen e fenomeneve korruptive.

Kryeministri gjithashtu nënvizoi se Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha ekonomike dhe investimet direkte hollandeze do të njihnin sukses. Ai u siguroi atyre mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare ndaj këtyre investimeve.

Gjatë bisedës bashkëbiseduesit diskutuan një seri cështjesh me rëndësi në kuadrin e integrimit evropian, arritjen e standarteve të vendosura nga BE, modernizimit të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›