Berisha: Investimi më i madh në historinë e tregut në Shqipëri
Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e qendrës tregtare dhe argëtuese Tirana East Gate, një investim me vlerë 104 milionë euro
Më shumë se 1 mijë të ftuar nga fusha e politikës, biznesit, medias, artit, dhe diplomacisë kanë marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të TEG. I pranishëm në inaugurim ishin kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha; përfaqësuesit e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjes, Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli; ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Presidenti i Balfin Group, Zamir Mane, bashkë me personalitetet e tjera theksuan se kjo qendër do të sjellë për të gjithë qytetarët e Tiranës dhe gjithë vendit një eksperiencë të re blerjesh me dyqane moderne dhe të shumëllojshme, me produkte shqiptare dhe të huaja, sipas normave dhe standardeve europiane, dhe çka është më e rëndësishme me çmime të lira dhe konkurruese. Kryeministri Berisha e cilësoi çeljen e TEG-ut dhuratën më të bukur që investitori Zamir Mane, Grupi Balfin dhe Fondi Shqiptar i Investimeve i bëjnë Shqipërisë në 100-vjetorin e pavarësisë së saj. Kryeministri Berisha u shpreh se inaugurimi i kësaj qendre shënon ngjarjen më të madhe në historinë e tregut të Shqipërisë. Duke shprehur mirënjohje për të gjitha firmat që kanë zgjedhur të jenë prezent me dyqanet e tyre në këtë qendër, kryeministri Berisha i garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka, brenda ligjeve të vendit, që besimi i tyre të shndërrohet në një sukses të vërtetë për ata dhe për Shqipërinë. “Të dashur qytetare dhe qytetarë, të pranishëm sot në ngjarjen më të madhe në historinë e tregut të Shqipërisë në të gjitha kohërat, inaugurimin e kësaj qendre madhështore dhe të mrekullueshme, e cila është, do të thosha, dhe dhurata më e bukur që Grupi Balfin dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve i bëri Shqipërisë në prag të 100-vjetorit të saj. Tirana East Gate është qendra më e bukur, më e madhe, më e rëndësishme tregtare e vendit dhe, ndoshta, ndër më të bukurat në rajon dhe më gjerë”, - u shpreh Kryeministri në nisje të fjalës së tij. Duke marrë shkas nga flamujt tregtarë të Europës që valëviten në TEG, në hapësirat e të cilit është vendosur edhe Carrefour, flamuri tregtar numër një i Europës që ka ardhur nën flamurin shqiptar, kreu i qeverisë vlerësoi se kjo tregon besimin e jashtëzakonshëm që firmat më të njohura në botë kanë tek investitori i qendrës dhe Shqipëria. “Flamuj të tjerë të tregut janë në këtë qendër, gjë e cila dëshmon një besim të jashtëzakonshëm të këtyre kompanive, në radhë të parë te partneri i tyre Zamir Mane, por edhe te Shqipëria. Duke u shprehur atyre mirënjohjen më të thellë për zgjedhjen që kanë bërë, dua t’i garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka, brenda ligjeve të vendit, që besimi i tyre të shndërrohet në një sukses të vërtetë për ata dhe për Shqipërinë”, - theksoi Kryeministri. Ndërkaq, duke iu drejtuar kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, kreu i qeverisë u shpreh se ai duhet të ndihet shumë i lumtur, që 2 mijë qytetarë nisin punën në këtë qendër dhe 2 mijë të tjerë indirekt marrin rrogat për veprimtari të kësaj qendre. Në fund të fjalës së tij, Kryeministri nuk ka lënë pa përmendur se kjo qendër është vazhdim i sukseseve të Zamir Manes në fushën e tij. “I ka themelet në QTU, në qendrën tregtare që u shndërrua me shpejtësi në historinë më të madhe të suksesit të tregut në Shqipëri. I ka rrënjët në persistimin e Zamir Manes. Og Mandino në veprën e tij të famshme ‘The Greatest Salesman’ jep një mesazh për njeriun – ‘ata që persistojnë realizojnë, ia dalin’”, - u shpreh kreu i qeverisë, duke falënderuar me shumë mirënjohje Grupin Balfin, Fondin Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të gjithë ata që bënë të mundur realizimin e këtij investimi të mrekullueshëm, që, sipas tij, bën krenar çdo shqiptar, pasi i jep tregut në Tiranë dhe në Shqipëri një dimension që kurrë nuk e ka patur më parë. Shiriti i inaugurimit të “Tirana East Gate” është prerë nga kryeministri Berisha, investitori kryesor Zamir Mane, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu dhe përfaqësuesi i Fondit Amerikano-Shqiptar. Më pas të ftuarit kanë vijuar trokitjen e gotave, duke vizituar nga afër çdo dyqan të TEG si dhe hapësirat jashtë qendrës.
Zamir Mane: TEG ka një koncept funksional të përkryer
TEG do të ketë një koncept funksional të përkryer, ndërsa ka nisur tashmë udhëtimin e tij drejt një historie suksesi. Kështu u shpreh në nisje të ceremonisë së inaugurimit, investitori i TEG-ut, zoti Zamir Mane, i cili tha se “kjo qendër është një eksperiencë e re blerjeje me standarde europiane, ku do të ketë çmime të lira dhe konkurruese, me një koncept funksional të përkryer. TEG do jetë një sukses i radhës pas QTU-së, një fryt i bashkëpunimi të suksesshëm”.