Plani i ri Urbanistik, Tirana me 5 Unaza
Mblidhet grupi strategjik për hartimin e Planit Urbanistik. Komunat përreth Tiranës bien dakord që Plani Rregullues të shtrihet përtej kufijve administrativë të kryeqytetit
Bashkia e Tiranës ka gati grupin ekspertëve që do të punojnë për Planin e ri Urbanistik, në të cilin parashikohet që kryeqyteti të ketë pesë Unaza, nga të cilat dy do të jenë tërësisht të reja. Në një takim me grupin strategjik të punës, ekspertëve dhe studiuesve, kryebashkiaku Lulzim Basha tha se ky plan do të nisë fillimisht me ndërtimin e 5 Unazave të qytetit, krijimin e 2 parqeve të tjera, përveç atij të Liqenit Artificial dhe ndërhyrjet në infrastrukturë që lidhen me zgjatjen e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” te Stacioni i Trenit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës drejtoi dje mbledhjen e grupit strategjik për hartimin e Planit Urbanistik të Tiranës, ku morën pjesë ekspertët më në zë të arkitekturës dhe urbanistikës, ku u diskutua në lidhje me rrjetin rrugor të kryeqytetit dhe Tiranën e gjelbër. Në prezantimin e sugjerimit të bërë nga grupi teknik i hartimit të Planit Rregullues, Tirana parashikohet të ketë 5 Unaza, 2 prej të cilave do të jenë tërësisht të reja. “Ramë dakord të orientojmë grupin teknik të eksplorojnë detaje për 5 Unazat e kryeqytetit, në sens orar dhe anti-orar alternativ, si arteriet kryesore infrastrukturore të Tiranës metropolitane për 30 vitet e ardhshme. Njëkohësisht, të eksplorohet deri në fund edhe sistemi hierarkik i rrugëve sipas drejtimeve të horizontit, në veçanti aksi veri-jug, por edhe lindje-perëndim. Të integrohen në këto zgjidhje, në bazë të projektimit të popullatës me skenarin optimal edhe zgjidhjet e tjera me një dy dhe tre nivele, parkimet nëntokësore dhe mbitokësore”, - tha Basha. Kryetari i bashkisë vlerësoi gjithashtu faktin se grupi strategjik ka gjetur mirëkuptimin e përfaqësuesve të komunave përreth Tiranës, për të bërë që studimi dhe Plani Rregullues të shtrihen përtej kufijve administrativë të kryeqytetit. “Në këtë kuadër, ndodhen me ne kryetari i Qarkut dhe prefekti i Tiranës, ndërkohë që u mor kontakt me të gjitha bashkitë dhe komunat kufitare individualisht dhe së bashku u ra dakord për hartimin e një plani pune, një protokolli bashkëpunimi, i cili do të ketë natyrë ligjore, brenda Ligjit të ri të Urbanistikës, brenda kuadrit të ligjit për pushtetin vendor dhe që do të funksionojë në nivelin e Qarkut të Tiranës”, - u shpreh Basha. Grupi Strategjik diskutoi edhe për krijimin e zonave të gjelbra, që nga parqet e deri te ndërhyrjet në çdo lagje të kryeqytetit për të rritur hapësirat e gjelbra. “Miratohet në parim vendosja e parqeve të mëdha të Tiranës metropolitane, konkretisht të Parkut ekzistues të Liqenit Artificial, parkut të ri të Paskuqanit, parkut të Farkës, Parkut të Pishave të Kodrave të Vaqarit, korridori rekreativ i Lumit të Tiranës, si investime strategjike, dhe parqe të gjelbra me hapësira të mëdha. Miratohen kriteret për ndërhyrje gjelbërimi të sipërfaqeve të mesme brenda qytetit si dhe kriteret për ndërtimet e reja dhe ekzistuese si dhe koeficientin e gjelbërimit në përputhje me objektivin e vendosur nga detyra e projektimit e miratuar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës ”, - u shpreh më tej Basha. Sipas tij, faza ku është futur procesi i hartimit të Planit është e rëndësishme, pasi ka të bëjë me projektimin e nevojave për investime, nevojave për strehim dhe shërbime. Basha u shpreh se kjo fazë vjen pas analizave të ndryshme që janë bërë, çka e largon Planin nga subjektiviteti, dhe e afron me realitetin dhe logjikën profesionale. Duke theksuar se aspekti mjedisor është parimi kryesor i hartimit të Planit Urbanistik, Basha tha se kjo e bën të domosdoshme konsultimin me publikun, i cili do të nisë së shpejti.