Hapet TEG, porta e firmave europiane me çmime për shqiptarët
Qendra më e madhe tregtare “Tirana East Gate” hap dyert për miqtë dhe klientët, duke festuar me aktivitete dhe koncerte për 4 ditë. Firmat më të njohura europiane që kanë zbritur në godinën gjigante tregtare në vend
Vetëm 4 km nga qendra e Tiranës duhet të përshkosh për të mbërritur në destinacionin më të madh tregtar dhe argëtues në vendin tonë, që ka hapur dje dyert për të gjithë publikun. Befasia nis që nga godina gjigante, plot 90 000 m2, e vendosur mes një peizazhi të bukur natyror, në të dalë të Tiranës. Paraditen e djeshme Rruga e Elbasanit ishte nën pushtetin e trafikut, pasi lajmi i inaugurimit të qendrës tregtare “Tirana East Gate” (TEG) kishte mbërritur, përveçse te qindra të ftuar, edhe te qytetarët e thjeshtë. Një çift pensionistësh, të veshur tamam si për festë, porsa kishin dëgjuar lajmin në televizor për hapjen e dyerve të TEG, kishin dalë nga shtëpia për të shkuar drejt qendrës tregtare. I vetmi shqetësim me të cilin ata u përballën para mbërritjes në qendër ishin përgjigjet mohuese të shoferëve të furgonëve të Elbasanit, të cilët nuk e dinin që qendra çelej dje, ndaj edhe nuk mund t’i ndihmon të moshuarit me informacione se ku duhej të prisnin, për të marrë autobusin e posaçëm për në TEG. Por megjithë këto pengesa, të moshuarit e gjetën zgjidhjen: morën autobusin e linjës së Saukut për të mos humbur inaugurimin e qendrës më të madhe tregtare, të hapur në vendin tonë. Duheshin vetëm 10-15 minuta udhëtim me makinë dhe gjendeshe përballë qendrës TEG, në të cilën, në një ditë të ngarkuar si ajo dje, nuk ishte aspak problem parkimi i makinës. Jo vetëm në oborr, por edhe përbri hyrjes kryesore në TEG është krijuar një hapësirë e madhe për parkimin e automjeteve. Ndërkohë që dy hapa larg derës së qelqtë kryesore, në katin e parë të godinës, është vendosur një nga supermarketet më të mëdhenj në botë, Carrefour, në të cilin mund të gjesh produkte nga më cilësoret dhe me çmimet konkurruese në treg. Një botë plot artikuj cilësorë dhe me çmime të favorshme për xhepin e shqiptarëve, kanë zbritur në lindje të Tiranës. Firmat më të njohura në tregjet europiane kanë sjellë në këtë qendër gjigante tregtare produkte nga më të ndryshmet, duke filluar që nga ushqimet dhe enët e kuzhinës, veshjet intime e deri tek ato të modës së fundit. Por, Carrefour nuk është e vetmja risi në TEG. Në të gjenden edhe dyqanet më të njohura të veshjeve që jemi mësuar t’i shohim në zonën e Bllokut apo dhe “Myslym Shyrit”. Kështu, risi në TEG dhe në të gjithë tregun shqiptar janë emrat, si: Carrefour, i dyti supermarket më i madh në botë; Jumbo me 40 000 artikuj për fëmijë dhe për shtëpi; IXY ËORLD, koncept unik për argëtim pa fund, si edhe shumë emra të tjerë të rinj që vijnë për herë të parë në Shqipëri, si: Cortefiel, Carpisa, Piazza Italia, Parfois, por pa harruar edhe marka tashmë të njohura për tregun shqiptar, si: NEPTUN, rrjeti më i madh i elektroshtëpiakeve prezent në TEG me një sipërfaqe prej 3 500 m2, Mango, Calliope, Springfield, Prenatal, Okaidi, Terranova, Golden Point , Etam Lingerie etj.
TEG është lindja e një destinacioni të ri, tek i cili çdokush që do të ndalet mund të gjejë atë që kërkon, jo vetëm në cilësi, por edhe në çmim. Me një hapësirë prej 90 000 m2. TEG krijon një ndërthurje mes kënaqësisë së blerjeve dhe argëtimit, duke nisur me numër të madh dyqanesh me markat më të njohura, tek agjencitë e udhëtimit apo të këmbimit, ndërsa baret e restorantet japin mundësinë e një oazi relakuses për çdo vizitor të saj. Qendra Tregtare e Portës Lindore të Tiranës, e vendosur vetëm 4 km nga qendra e kryeqytetit, mes ajrit të pastër, rrethuar nga zona më e gjelbër e Tiranës, do të tërheqë vizitorë nga afër dhe larg dhe do të bëhet pjesa më interesante e kryeqytetit, duke ofruar për konsumatorin kënaqësinë e blerjeve dhe argëtimit. Planet për qendrën tregtare përfshijnë një fasadë futuriste me një koncept magjepsës ndriçimi shumëngjyrësh dhe një arkitekturë spektakolare. Me konceptin novator, TEG tenton të sjellë një eksperiencë të re të blerjes dhe argëtimit në të gjithë rajonin. Pikat e forta të qendrës janë shumëllojshmëria e markave dhe produkteve, hapësira e gjerë për shitje, prezantimi i markave ekskluzive, hapësirat për argëtim, restorant-kafetë dhe komoditeti maksimal për klientët. Tirana East Gate (TEG) është një investim i Balfin Group dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, me vlerë 104 milionë euro në total, ku rreth 50 milionë euro janë investim i vetë bizneseve dhe 54 milionë euro janë investim i qendrës. Qendra parashikon të punësojë 2 000 punonjës direkt dhe 2 000 të tjerë indirekt.
TEG, me një sipërfaqe prej 90 000 m2 dhe 42 000 m2 sipërfaqe dyqanesh, e vendosur vetëm 4 km nga qendra e kryeqytetit, e bën këtë qendër unike, kjo jo vetëm prej pozicionit të favorshëm gjeografik në raport me qytetin e Tiranës, por edhe nga shumëllojshmëria e dyqaneve në të.
Të dhëna
104 milionë euro në total është investimi për TEG
50 milionë euro janë investim i vetë bizneseve
54 milionë euro janë investim i qendrës tregtare
90 000 m2 është hapësira e qendrës tregtare
42 000 m2 është sipërfaqja që zënë dyqanet
2 000 punonjës direkt dhe 2 000 indirekt do të punësohen
4 km nga larg nga qendra e kryeqytetit gjendet TEG
Firmat e njohura në TEG
Carrefour
Jumbo
IXY ËORLD
Cortefiel
Carpisa
Piazza Italia
Parfois
NEPTUN
Mango
Calliope
Springfield
Prenatal
Okaidi
Terranova
Golden Point
Etam Lingerie etj.