E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Investitorët, besim në Shqipëri



Kryeministri viziton Elbasanin në Ditën e Verës

Berisha, akuza Ramës për planin urbanistik të Tiranës

Kryeministri Sali Berisha, i ndodhur dje në qytetin e Elbasanit me rastin e Ditës së Verës, tha se Shqipëria po kthehet në një vend besimi për investitorët e huaj. Kreu i qeverisë tha se në kushtet e një krize ekonomike botërore, Shqipëria ofron siguri për të investuar. Ai vizitoi kompaninë “Kurum” në Elbasan, e cila ka investuar së fundmi 120 milionë euro. “Ky investim është gjithashtu antidoti më i shkëlqyer për të parandaluar pasojat e krizës dhe për t’i zvogëluar ato në Shqipëri. Shqipëria, siç e shihni, është dhe mbetet vendi i besimit të palëkundur të investitorëve të mëdhenj të huaj”, - tha Berisha. Duke marrë si shembull investimin e madh të kompanisë turke në Elbasan, kreu i qeverisë tha se kjo tregon besim për ekonominë shqiptare, e cila nuk është prekur nga kriza. “Kjo krizë në thelb është shoqëruar me një shembje të besimit tek financat dhe biznesi sa kurrë ndonjëherë më parë. Ky inaugurim është dëshmia më e qartë e soliditetit të ekonomisë shqiptare, e besimit të madh dhe të palëkundur të bankave, të kompanive të biznesit tek Shqipëria dhe klima e saj investuese”, - deklaroi Berisha.

I shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Lulzim Basha dhe ministri i Kulturës, Adrian Turku, Berisha u takua me banorët e Elbasanit, duke i uruar për Festën e Ditës së Verës. Kreu i qeverisë premtoi për qytetarët e Elbasanit mjaft investime të reja, mes tyre edhe rrugën fushore Tiranë-Elbasan. “Rruga do të ndërtohet dhe Elbasani do të ketë rrugën tjetër, të sheshtë dhe fushore, me të cilën do të komunikojë me Tiranën”, - tha Berisha. Kryeministri akuzoi më tej kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, se po mban peng zhvillimin e kryeqytetit. Berisha tha se Rama po mban peng planin urbanistik për interesa korrupsioni me kompani ndërtimi. “Dua t’u bëj thirrje sot për ditë feste kryetarit të Bashkisë së Tiranës, si dhe të kryetarëve të të gjitha qyteteve të mëdha, por në mënyrë të veçantë atij të Tiranës, sepse ai ka përfunduar dhe e ka ndryrë në sirtar, të dorëzojë planin urbanistik, sepse nuk është pronë as e EDIL-it dhe as e Edvinit, por është pronë dhe pasuri e qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë”, - tha Berisha. Më pas, Kryeministri shëtiti në sheshin qendror të qytetit të Elbasanit, ku u takua me qindra qytetarë që festonin Ditën e Verës. Kryeministri vizitoi panairin e Ditës së Verës, një aktivitet i përvitshëm në këtë ditë, duke u ndalur në të gjitha stendat, ku kompani dhe firma të ndryshme nga Qarku i Elbasanit kanë ekspozuar produktet e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›