Qeveria: Nuk pajtohemi me akuzat e prokurorise per Gerdecin

Përkujtohet njëvjetori i tragjedisë së Gërdecit: Sot është dita e respektit
Tiranë, 15 mars 12:47 NOA – Për autoritetet shqiptare, sot është një ditë nderimi dhe respekti për 26 burra dhe gra, të cilët humbën jetën në aksidentin tragjik të Gërdecit.
“Qeveria shqiptare në 1 vjetorin e kësaj ngjarjeje tragjike, shpreh edhe njëherë ngushëllimet më të thella, solidaritetin më njerëzor familjeve të viktimave, të plagosurve dhe të lënduarve të këtij aksidenti tragjik dhe ndan me ta dhimbjen e humbjes së pakompensueshme për ta”, - tha sot zëdhënësja e kryeministrit, Juela Meçani në një dalje të posaçme për mediat.
“Qeveria i siguron ata të gjithë, - vijoi Meçani qëndrimin zyrtar, - se sikundër deri më sot ajo do të jetë bashkë me ta , do të ofrojë të gjithë mbështetjen dhe solidaritetin për kapërcimin e pasojave afatmesme dhe afatgjata të këtij aksidenti tragjik”.
Ndërkohë Meçani citoi se Qeveria falënderon familjet e viktimave dhe të gjithë komunitetin e zonës së Gërdecit si dhe qeverinë vendore, për kontributin dhe bashkëpunimin e frytshëm dhe luajal me këtë qeveri, në të gjithë trajtimin e problematikës së zonës.
“Qeveria vlerëson fisnikërinë e banorëve të Gërdecit që me përçmim refuzuan përpjekjet për të manipuluar me shpirtrat e njerëzve të tyre të dashur për qëllime politike dhe vlerësuan bashkëpunimin me qeverinë dhe qëndrimin e kësaj qeverie që në minutat e para pas aksidentit e deri në ditët e sotme”, - evidentoi Meçani.
Këtu ajo bëri dhe një retrospektivë të pasngjarjes, kur tha se Qeveria që në minutat e para pas aksidentit organizoi operacionin e kërkim-shpëtimit më të shpejtë dhe më të suksesshëm në historinë e vendit, mijëra trupa të njësive të ushtrisë dhe policisë si dhe qindra banorë të zonës, u përballën me vetëmohim dhe heroizëm të pashoq, për çdo minutë për 48 orë rresht me vdekjen dhe shpëtuan dhjetëra e dhjetëra jetë.
Meçani kujtoi edhe se Qeveria, së bashku me komunitetin dhe qeverinë vendore të Vorës, mori të gjitha masat organizative dhe financiare për rindërtimin në kohë rekord të mbi 4000 banesave dhe objekteve të rrënuara apo të dëmtuara në zonë.
Po ashtu, Meçani tha se Qeveria ka bërë çdo përpjekje dhe ka dhënë çdo ndihmë me dokumentacion dhe mbështetje për hetim të shpejtë, të pavarur dhe të gjithanshëm dhe vendosjen para ligjit të autorëve të tragjedisë.
Ndërkohë, Meçani bëri të ditur qëndrimin e qeverisë se ajo “nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet me akuzat e formuluara vetëm e vetëm për të fshehur përgjegjësit e vërtetë të këtij aksidenti tragjik”, - duke shtuar edhe se, - nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet me zgjatjen e hetimit dhe pazaret politiko-mediatike me dosjen e kësaj tragjedie”.
Meçani paralajmëroi se për qeverinë shqiptare “zbardhja e të vërtetës mbi Gërdecin është me rëndësi kapitale për drejtësinë shqiptare”.
e.l/NOA