Ngjela braktis “Polin e Lirisë”
Preteksti, do konsolidojë partinë pastaj koalicionin
Të mërkurën zyrtarizohet koalicioni, por pa Ngjelën
Spartak Ngjela nuk do të jetë pjesë e koalicionit “Poli i Lirisë”. Partia Demokristiane dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar do të hedhin hapin e radhës, ku ditën e mërkurë do të zyrtarizojë koalicionin. Përkrah firmave të Nard Ndokës dhe Dashamir Shehit, do të mungojë ajo e Spartak Ngjelës dhe partisë së tij “Ligj dhe Drejtësi”. Lajmin e konfirmon për gazetën kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, i cili tha se “ditën e mërkurë do të zyrtarizojmë koalicionin Poli i Lirisë”. Duke mos u ndalur më tej në mungesën e Ngjelës, Ndoka u shpreh se preteksti i dhënë nga ish-deputeti i PD-së, Ngjela, për mospjesëmarrjen në koalicion, është “konsolidimi i partisë “Ligj për Drejtësi”, pastaj koalicioni”. Përtej nguresës së Ngjelës, Ndoka dhe Shehi kanë vendosur të ecin para për të zyrtarizuar koalicionin, pa pritur që t’i kthehet mbrapsht mendja Ngjelës. Duket se përtej pretekstit për të konsoliduar partinë e krijuar vetëm pak muaj para zgjedhjeve, Ngjela ka braktisur “Polin e Lirisë” për shkak të lidershipit. Kush do të jetë lideri i koalicionit? Kjo pyetje nuk ka marrë përgjigje, ndërsa besohet se është arsyeja parësore që Spartak Ngjela të ketë braktisur Ndokën dhe Shehin. Nga ana tjetër, PDK dhe LZHK, e kanë zgjidhur këtë çështje duke marrë përsipër përgjegjësitë e veta. Ndonëse në të njëjtin koalicion, të dyja partitë do të kandidojnë me siglat përkatëse, siç e kërkon edhe Kodi i ri Zgjedhor. Si Ndoka, ashtu edhe Shehi do të kërkojnë votat për partitë e tyre. I pyetur më tej në lidhje me liderin e koalicionit, Ndoka shprehet se kjo pjesë është kaluar, duke lënë të nënkuptuar se secili do të punojë për votat e veta, pa hyrë në simbolikën e liderit të koalicionit. Ngjela ende nuk ka përcaktuar në rast se do të kthehet tek Ndoka dhe Shehi, ndërsa kreu i PDK-së nuk harron të thotë se dyert janë të hapura për Ngjelën. Ditën e mërkurë, PDK-ja dhe LZHK-ja do të jenë dy partitë e vetme në koalicion, ndërsa nuk kanë reshtur tentativat për të thirrur sa më shumë subjekte. Ndoka thotë se firmën do ta hedhë edhe Partia e Djathtë Demokratike, parti ish-parlamentare, ndërsa janë duke negociuar ende me parti të vogla, për të marrë pjesë në “Polin e Lirisë”.
Ndër tratativat për t’u futur në këtë koalicion është edhe Partia e Ballit Kombëtar, e drejtuar nga Adriatik Alimadhi. Duke folur për gazetën, ndryshe nga dëshirat e Ndokës dhe Shehit, Alimadhi bën të qartë se “ende nuk ka një vendim”. Alimadhi shprehet se është duke bërë negociata si me “Polin e Lirisë”, ashtu edhe me koalicionin e PD-së. “Në momentin e duhur kryesia do të vendosë”, - thotë Alimadhi, duke përgënjeshtruar zërat se është bërë zyrtarisht me Ndokën dhe Shehin.