E Diel, 1 Nëntor 2026

“Do të çojmë në ndjekje penale abuzuesit dhe falsifikatorët e dokumenteve”

20-12-2011 / Gazeta 55

Azilkërkuesit - reagon ministri i Brendshëm Bujar Nishani
 
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani denoncoi dje organizatat e ndryshme të pajtimit të gjaqeve, të cilat sipas tij, japin shifra të pavërteta për gjakmarrjen në vend. Gjatë raportimit të tij në komisionin parlamentar të Integrimit rreth ecurisë së procesit të liberalizimit të vizave, Nishani vlerësoi se të gjitha rastet e azilkërkuesve me motivacion gjakmarrjen janë në hetim ndërsa ka akuzuar edhe pushtetarët për falsifikim dokumentesh. Nishani tha se muajt e fundit ka një rënie të kërkesave për azil politik në vendet e Bashkimit Evropian.
“Strukturat e Policisë së Shtetit dhe struktura të Ministrisë së Brendshme funksionojnë për këtë qëllim. Është ngritur një task – force për të evidentuar kërkesat për azil politik në vendet e zonës “Schengen”. Organizata të ndryshme me qëllim thithjen e financimeve të projekteve spekulative, adresojnë shifra të tmerrshme, të papranueshme dhe të falsifikuara, sa i takon gjakmarrjes”, u shpreh Nishani.
Duke vlerësuar heqjen e regjimit të vizave si ndikues në uljen e ndjeshme të trafiqeve ai tha se sistemi i prodhimit të pasaportave nuk lejon falsifikimet. “Janë 500 raste të tentativës nga qytetarë të ndryshëm që kanë tentuar të aplikojnë me të dhëna të rreme apo të dyfishta dhe të trefishta dhe sistemi i ka dekonspiruar dhe në asnjë rast në këto tentativa nuk ka patur asnjë përfitim të një dokumenti identiteti apo pasaporte biometrike”, tha ai. Sa i takon përfshirjes së policisë në procedurat e pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike Nishani u shpreh se kjo është një ndërhyrje e përkohshme për realizimin e një sistemi të ri filtrimi për rritjen e sigurisë dhe luftën ndaj falsifikimeve të mundshme.
Kreu i Policisë, Burgaj: Liberalizimi i vizave nuk cenohet/ “Procesi i liberalizimit të vizave nuk kërcënohet”. Kështu ka deklaruar drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, nga pika kufitare e Kapshticës ku ndodhej për një inspektim. “Me masat e marra kohët e fundit është ulur ndjeshëm numri i azilkërkuesve dhe nuk do të cenohen vizat për asnjë nga qytetarët shqiptarë”, deklaroi Burgaj.
Ndërkaq në analizën vjetore të policisë së Korçës, Burgaj ka paralajmëruar oficerët e policisë të mos fshehin ngjarjet në të cilat janë përfshirë, ndryshe do të përjashtohen. “Çdo oficer ose punonjës i policisë që përpiqet të fshehë një ngjarje, ndaj tij do të merret masa e përjashtimit nga Policia e Shtetit”, u shpreh Burgaj. Sipas kreut të Policisë së Shtetit nuk ka një rritje të kriminalitetit në shoqëri, por ka shtim të rasteve të krimit në familje.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›