“Reforma zgjedhore të përfundojë para zgjedhjeve, forcat politike të gjejnë gjuhën e përbashkët”

Kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth
Kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth theksoi sërish rëndësinë që diskutimet për reformën zgjedhore të përfundojnë përpara pranverës, për të shmangur problemet në zgjedhjet e ardhshme. Nga Korça, ambasadori Ëollfarth deklaroi se puna për reformën zgjedhore është e rëndësishme dhe u bëri thirrje partive politike të shfrytëzojnë kohën e mbetur për të gjetur gjuhën e përbashkët.
“Është shumë e rëndësishme që kanë filluar diskutimet në parlament për reformën zgjedhore, vendi i duhur ku duhet të mbahen. Në demokraci duhet gjetur gjuha e shumicës dhe jo të gjitha pretendimet e partive të vogla mund të miratohen. Kjo nuk i vendos asnjë lloj kufizimi diskutimeve. Është mirë të shfrytëzohet koha pasi zgjedhjet e ardhshme po afrojnë.
Unë shpresoj në diskutime të shëndosha dhe reforma zgjedhore duhet të përfundojë brenda pranverës së ardhshme. Kodi zgjedhor duhet të përfundojë për t’i lënë kohë të mjaftueshme zgjedhjeve. Politika duhet të ofrojë shembullin e bashkëpunimit për të gjithë qytetarët”, u shpreh ambasadori Eugen Ëollfarth.
Puna për reformën zgjedhore ka hasur në kundërshtimin e partive të vogla, të cilat këmbëngulin për nevojën e ndryshimit të sistemit zgjedhor, duke kërkuar zëvendësimin e sistemit aktual spanjoll.
Pak ditë më parë, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi deklaroi se reforma zgjedhore po dështon, pasi sipas tij, është e komanduar dhe e parafabrikuar. Ai akuzoi publikisht PD-PS se po synojnë vjedhjen e mandateve të partive të vogla. Edhe kryetari i PR-së Fatmir Mediu akuzoi dy partitë e mëdha për kurthin që u bënë partive të vogla, duke shmangur ndryshimin e sistemit zgjedhor nga axhenda e komisionit të posaçëm parlamentar.